Presidenti Obama e nis punën me krizën ekonomike

Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, po takohet me ekipin e tij ekonomik në Çikago dhe do të mbajë konferencën e parë të shtypit pas fitores në zgjedhje. Zotit Obama i kanë mbetur vetëm 10 javë nga dita e inaugurimit, kur ai do të marrë mbi shpatulla edhe krizën më të madhe ekonomike në vend që nga Depresioni i Madh i viteve 30. Ka shumë spekullime mbi emrat e ardhshme të administratës së presidentit Obama veçanërisht mbi postin e Sekretarit të Thesarit, që pritet të njoftohet shpejt. Zoti Obama zgjodhi kongresmenin demokrat nga Ilinoi, Rahm Emanuel, për postin e Shefit të Kabinetit. Zoti Emanuel ka shërbyer edhe në administratën e presidentit Klinton. Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, tha se zoti Emanuel është një mik i tij i mirë dhe një njeri që kryen punë. Zoti Emanuel tha nga ana e tij se do të bëjë çdo gjë të mundur që presidenti i ardhshëm Obama të bashkojë vendin dhe të sjellë ndryshimin për të cilin ka nevojë vendi. Pentagoni në përgatitje për administratën e re amerikane/Tranzicioni aktual presidencial në Uashington realizohet gjatë një periudhe lufte për herë të parë që nga viti 1968, kur presidenti Lindon Xhonson i dorëzoi drejtimin e vendit presidentit Riçard Nikson gjatë Luftës së Vietnamit. Kjo ka një rëndësi të veçantë në Pentagon, selia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Çfarë përgatitjesh po bëhen për të garantuar se zyrtarë të rëndësishëm të administratës do të jenë gati për të marrë nën kontroll ushtrinë më të fuqishme të botës në momentin kur Barak Obama të vijë në Shtëpinë e Bardhë: Zëdhënësi i Pentagonit Brajan Uitman shoqëroi një grup gazetarësh që vizituan zyrat që janë përgatitur për ekipin e tranzicionit të zotit Obama. Ai shpjegon se janë krijuar 3 hapësira të mëdha zyrash të pajisura me telefona, kompiutera, pajisje kancelarie si dhe po hartohet një listë me disa nga çështjet kryesore me të cilat do të përballet që në fillim administrata e re. „Vendi ka një histori të gjatë tranzicionesh pa probleme. Vëmendja është tek realizimi i këtij procesi në mënyrë sa më efikase pasi vendi është në luftë“. Zyrat e sapomobiluara mund të akomodojnë rreth 20 vetë dhe ndodhen pranë zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes. Zëdhënësi parashikon se ekipi i tranzicionit i zotit Obama në Çikago do të japë së shpejti listën e emrave të grupit të parë të zyrtarëve që do të punojnë në këto zyra, të cilët do të fillojnë të asimilojnë informacionin e shumtë që nevojitet për të marrë përsipër programet e departamentit dhe për të kontrolluar forcat e armatosura. Ekipit të zotit Obama do t’i duhet të mësojë shumë para se presidenti të dërgojë rreth 200 emërime politike në Pentagon, shumë prej të cilëve në poste të rëndësishme politike dhe menaxhimi. Zyrtarët e rinj do të duhet të mësojnë shumë hollësi mbi operimin e ushtrisë amerikan, por edhe një numër sekretesh për luftrat në Irak dhe Afganistan. Ndër çështjet më delikate do të jetë kohëzgjatja e angazhimit amerikan në Irak: Zoti Obama ka bërë thirrje për tërheqjen e trupave luftarake amerikane nga Iraku brenda 16 muajsh nga dita që merr detyrën. Drejtuesit ushtarakë janë kundër vendosjes së afateve kohore dhe thonë se tërheqja duhet të bazohet në kushtet reale në terren. Zyrtarët ushtarakë të emëruar nga Presidenti Bush do të qëndrojnë në post, të paktën për ca kohë. Ndër ta do të jetë edhe ushtaraku më i lartë me përgjegjësi direkte në Irak, dhe më pas në Afganistan, Gjenerali David Petreas, Shefi i sapoemëruar i Komandës Qendrore, të cilit i është njohur në masë të madhe merita për ndryshimin e gjendjes në Irak. Në një intervistë para zgjedhjeve, zoti Petreas nuk i kushtoi rëndësi mundësisë për tensione me presidentin e zgjedhur: „Kurdo kur ka tranzicion administratash, pa dallim se kush vjen në pushtet, ka edhe dialog mbi rëndësinë relative të misioneve të ndryshme. Udhëheqësit ushtarakë dhe Pentagoni do të kenë mundësinë të japin opinionin e tyre lidhur me forcat që nevojiten për të kryer misione të ndryshme. Pra do të ketë dialog. Pikërisht këtë dialog mirëpret udhëheqja e lartë në Pentagon“. Disa ekspertë mendojnë se presidenti i ri nuk ka gjasa të bëjë ndonjë veprim që rrezikon përparimin e deritanishëm në Irak, edhe nëse një veprim i tillë nënkupton që Presidenti do të heqë dorë në një farë mase nga disa nga premtimet e tij. Një çështje e rëndësishme është se kush do të jetë Sekretari i ardhshëm i Mbrojtjes. Një numër artikujsh në shtyp theksojnë nevojën që Sekretari aktual Gejts të qëndrojë në post, por në një konferencë për shtyp në prill ai la të kuptohej se nuk ishte i interesuar: „As që mund t’i imagjinoj rrethanat që do më shtynin ta bëj një gjë të tillë“. Zoti Gejts thotë se ka në plan të dalë në pension dhe të vendoset me të shoqen në pjesën perëndimore të vendit. Ndërkohë ka spekulime të shumta për personin që mund të bëhet Sekretar i Mbrojtjes. Të gjitha spekulimet do të sqarohen së shpejti, pasi ekipi i tranzicionit i presidentit të ardhshëm t’i vihet punës për të piketuar personat që do të mbushin zyrat e sapo-mobiluara në Pentagon. E ardhmja e marrëdhënieve Shtëpi e Bardhë-Kongres në dy vitet e ardhshme/Shumica demokrate në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve mund të ndihmojë presidentin e ardhshëm Barak Obama të vërë në zbatim objektiva ambiciozë vitin e ardhshëm për arsye të shtimit të numrit të demokratëve të zgjedhur nga populli. Por analistët thonë se nuk mund të pritet që demokratët të bien plotësisht dakord me çdo gjë që do të kërkojë presidenti demokrat. I hedhim një vështrim të ardhmes së marrëdhënieve Shtëpi e Bardhë- Kongres në dy vitet e ardhshme. Kryetarja e Dhomës së Përfaquesve Nensi Pelozi u zotua se demokratët do të bashkëpunojnë me presidentin e ardhshëm Barak Obama. Ajo tha se shtimi i anëtarëve demokratë në Kongresin amerikan do t’u lejojë atyre të punojnë bashkarisht me presidentin e ri amerikan për një vizion të ri për Amerikën. Profesori i Universitetit Amerikan Alan Lihtmen thotë se faktet tregojnë që mund të realizohen shumë gjëra kur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë kontrollohet nga një parti e vetme. „Historia tregon se nëse presidenti ka një program të gjerë me objektiva të mëdha mënyra më e mirë për t’i realizuar ato të kesh një kongres të partisë tënde. Franklin Roosevelt, i cili u zgjodh në vitin 1932 si kandidati demokrat po kështu e mori postin në mes të një krize të rëndë ekonomike dhe Kongresi, që në atë kohë drejtohej nga demokratët, mundi të kalonte 15 ligje me vlerë në 100 ditët e tij të para në punë“. Por, zoti Lihtman po kështu thotë se demokratët në Kongres nuk do të vulosin automatikisht çdo gjë që do të propozohet nga zoti Obama. Analistë të tjerë bien dakord dhe vërejnë se demokratët mund të jenë liberalë, mund të kenë tendenca konservative, mund të jenë të moderuar si dhe mund të jenë të ndarë në baza kulturore apo rajonale. Norman Ornstin nga Instituti Amerikan Enterprise thotë se udhëheqësit demokratë do ta kenë të vështirë të sigurojnë që demokratët do të miratojnë gjithnjë nismat e zotit Obama dhe ndonjëherë do t’u duhet edhe mbështetja e opozitës. Sipas tij kjo ka rëndësi veçanërisht për Dhomën e Përfaqësuesve ku demokratët do të kenë më shumë se 250 nga 435 deputetë. „Që demokratët t’ia dalin të miratojnë çdo gjë pa ndihmën e republikanëve do të duhet që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Pelozi të mbajë një pozitë jashtzakonisht të kujdesshme dhe të balancuar. Kjo do të jetë e vështirë dhe do të jetë e detyrueshme që demokratët të krijojnë aleanca me republikanët”. Senatori demokrat nga shteti i Konektikatit, Kris Dod, thotë se situata mbetet e njëjtë megjithë shtimit e numrit të demokratëve në Kongres. „Supozohet se nëse arrihet një numër i mjaftueshëm demokratësh atëherë ligjet mund të miratohen automatikisht. Kjo nuk është e vërtetë. Edhe pse e kemi shtuar numrin e demokratëve në Kongres, nëse bashkëpunimi me partinë tjetër lihet jashtë vëmendjes atëherë rezultatet do të jenë të pakta”. Profesori Alan Lihtmen nga universiteti Amerikan thotë se do të jetë shumë me rëndësi që zoti Obama të veprojë menjëherë pasi në muajt e parë të administratës së tij ai do të ketë mundësi të shijojë frytet e të ashtuqaujtutirt muaji mjalti në politikë. Sipas profesorit Lihtman përvoja e zotit Obama si senator edhe pse vetëm për dy vjet i ka dhënë atij njohuri me vlerë të proçesit legjislativ. Edhe senatori republikan nga shteti i Indianës Riçard Lugar i cili është republikani në postin më të lartë në Komisionin e Marëdhënieve të Jashtme të Senatit bie dakord me këtë vlerësim. Senatori Lugar thotë se fakti që si presidenti edhe zvpresidenti i ardhshëm janë ish senatorë tregon se ata e kanë vlerësuar që në fillim rëndësinë legjislative. Zoti Obama do të ketë objektiva ambicioze që përfshijnë përpjekje për të rimëkëmbur ekonominë, për të gjetur burime alternative të energjisë, reformën e taksave, sistemit shëndetësor si dhe tërheqjen e trupave luftarake amerikane nga Iraku Komenti - Sa pushtet do të ketë Obama?/Të martën, Barack Obama nuk e fitoi vetëm presidencën amerikane. Partia Demokratike e tij fitoi shumicën në Kongres. Në shumë shtete, një fitore e tillë e dyfishtë do t’i jepte presidentit pushtet të pamasë. A është kështu edhe në SHBA? „Sonte, për shkak të asaj që bëmë në këtë ditë, në këto zgjedhje, në këtë moment vendimtar, në Amerikë ka ardhur ndryshimi“. Kështu tha Barack Obama, duke shpallur fitoren në zgjedhjet e së martës, para një turme prej 100 mijë njerëzish në Çikago. Kjo fitore i vë kapakun luftës mes dy partive politike amerikane për Shtëpinë e Bardhë. Por, nuk është luftuar vetëm për Shtëpinë e Bardhë në këto zgjedhje. Të martën, amerikanët po ashtu votuan kandidatët për ulëset në Kongres. Ata votuan edhe për 35 vende në Senat. Zgjedhjet, shtet më shtet, përcaktojnë se cila parti kontrollon legjislativin. Ky pasion shpesh derdhet në luftën e profilit të lartë mes dy kandidatëve presidencialë. Në disa raste, senatori republikan, John McCain, u ka kërkuar votuesve që ta zgjedhin atë si president, duke thënë se zgjedhja e Obamës mund të krijojë një pushtet të pakontrolluar demokrat në Uashington. Por, në fund, Partia Demokratike e Obamës fitoi edhe presidencën, edhe shumicën në legjislativ. Në Kongres, sipas rezultateve të deritashme, demokratët kanë fituar 20 vende shtesë. Ata do ta kenë shumicën prej të paktën 256 vendeve në dhomën 435 anëtarëshe. Në Senat, demokratët fituan 6 vende shtesë. Kjo u jep atyre shumicën prej 56 ulseve në dhomën 100 anëtarëshe. Pas zgjedhjeve, McCain u kërkoi përkrahësve të tij që ta lënë pas rivalitetin e hidhët. „U bëj thirrje gjithë amerikanëve që më mbështetën, të më bashkohen jo vetëm në urimin ndaj tij, por edhe t’i ofrojmë presidentit tonë të ardhshëm vullnetin tonë të mirë për t’i gjetur kompromiset e nevojshme dhe për të kapërcyer dallimet, në mënyrë që ta rivendosim prosperitetin, ta mbrojmë sigurinë tonë në këtë botë të rrezikshme, që t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një vend më të mirë dhe më të fortë, sesa e trashëguam“, tha McCain. Por, disa nga shqetësimet e fushatës mbesin ende, veçanërisht rreth asaj nëse partia fituese zotëron pushtet të pakontrolluar. Në shumë shtete, kjo është normë. Disa shembuj që vijnë në mend përfshijnë Rusinë, por edhe fqinjët e saj, dikur vende të ish-Bashkimit Sovjetik....