Një roman mbresëlënës me një aktualitet të thekshëm
Sot, kur po flitet për dosjet dhe për dënimet e krimeve të komunizmit, mendimi i parë që të përftohet për këtë roman të Reshat Kripës, është se kjo vepër ka ardhur në kohën e duhur. Pasi lexon romanin, lexuesi befasohet me krimet që bëhen brenda atyre qelive të errëta e të mistershme, për të cilat kemi dëgjuar shumë, por jo gjithçka. Dhe ky sensibilizim që na bën vepra, përmes personazheve të skalitur, që na lënë përshtypje të thellë se gjer në ç’pikë mund të arrijë mizoria e shpirtit njerëzor, jetësohet jo vetëm nga përmbajtja me një potencial tronditës e tragjik, por veçanërisht edhe nga mënyra e shtjellimit të ngjarjeve, nga aftësia e autorit për t’i bërë këto ngjarje të besueshme, në një stil të thjeshtë, në përshkrime të natyrshme, në rrëfime të rrjedhshme; por, - jo më pak e rëndësishmja, - me vlera të qenësishme letrare. Autori nuk është rishtar në artin e të shkruarit. Me këtë roman ka arritur nivelin më të lartë, dëshmi kjo se vepra e tij në prizmin artistik është gjithmonë në rritje. *** Ministri i brendshëm u dha krah sadistëve, me atë pohimin e tij për t’i vrarë njerëzit „kot më kot“: „Fshatarët e pasur, tregtarët, pronarët, na kanë mbajtur me bukë e me veshje gjatë luftës sonë partizane. Dhe tani, që ne i kemi shpallur të deklasuar e armiq, ata prapë po na ndihmojnë. I kemi vënë nën pranga dhe i kemi mbyllur në kampe që, falas, të na thajnë kënetat, të nxjerrin mineralin e nëntokës, të ndërtojnë aeroportin, pallatet e banimit, të hapin kanale vaditëse... I keqtrajtojmë, i burgosim, i vrasim kot më kot dhe kur të duam. Nga ky tmerr dhe nga kjo llahtari frikësohet në palcë e gjithë pjesa tjetër e popullit dhe na bindet. Disa prej tyre me hir, por edhe me pahir, i kemi kthyer në spiunë, në bashkëpunëtorët tanë. Kështu, klasat e përmbysura kanë punuar dhe po punojnë për ne...“. Ja, drejtësia cinike komuniste. Këtë panoramë të llahtarshme që e jep ministri i Brendshëm se ç’tmerre janë bërë e duhet të vazhdojnë të bëhen në bodrumet dhe nëpër qelitë e hetimeve, këto qëndrime kriminale ndaj të pandehurve prej njerëzve shpirtkazmë për të cilët njeriu nuk ishte veçse një qenie që mund të të mbetej në dorë nga torturat çnjerëzore dhe vrastari mund të shlyhej vetëm me një procesverbal përligjës, bash këtë xhungël gjakpirësish nga më të pamëshirshmit, ka synuar ta ngrejë në art, autori i „Shkallëve të ferrit“. Dhe ia ka arritur qëllimit, duke përfituar edhe nga e vërteta e hidhur se ka qenë vetë objekt i këtyre shkallëve të ferrit. Ai citon dy tercete të Dantes, që përmbajnë vargun e famshëm „O ju që hyni mbrendë keni mbarue!“. Ata që i kanë provuar këto shkallë, e dinë edhe në origjinal: „Lasciate ogni speranza, o voi ch’entrate“. Nga ato që ka shprehur ministri i Brendshëm, përveç togfjalëshit cinik „i vrasim kot më kot“, del edhe mosmirënjohja dhe pabesia, kur thotë që viktimat e pafajshme dikur i mbanin me bukë. Syrja Selfo ka qenë ndër mirëbërësit vetjakë më të përkushtuar të Enver Hoxhës dhe diktatori shtiret sikur nuk e di se ishte vënë nën torturë, për t’u vetakuzuar e për t’u dënuar me vdekje. Në romanin tonë protagonisti është bir dëshmori, kryeinxhinier, me studime të larta të kryera në Çeki. Por i ndershëm e me karakter siç ishte, e quajti si fyerje dhe nuk pranoi që të vinte një firmë bashkëpunimi, prej njerëzish të paskrupullt të Sigurimit, për t’u angazhuar si informator. Ky mospranim i kushtoi burgosjen me akuza të sajuara, shkatërrimin e familjes, përdhunimin e gruas dhe të bijës 15-vjeçare, për t’ia shkëputur atë firmën poshtëruese në hetuesi për pranim akuzash të shpikura. Duke dashur të jem sa më i thukët në përmbajtjen e veprës, për të mos fashitur atë kureshtjen e natyrshme të lexuesit, nuk mund të shtyhem më tej, në hollësí që kërkojnë njohje të thellë të poshtërsive të hetuesve, operativëve dhe të oficerëve të një institucioni që është shpërfillës ndaj ligjeve dhe masakrues i të drejtave njerëzore më fillestare. Por do të nxjerr vetëm një përfundim, që është ai i autorit: Se është thuajse e pamundur që t’i shmangesh dot një vetakuzimi me shkrim, nëse kjo kërkohet me çdo kusht nga ata që të kanë në dorë, me epërsinë që të jep përdorimi i torturës dhe trysnia e manipulimi me njerëzit më të shtrenjtë të familjes. Do të më lejohet të përkthej nga kapitulli i rëndësishëm „La revolution dévore ses enfants“ të librit që është quajtur një kryevepër saktësie dhe qartësie nga Time, atë pjesë që bën fjalë për pohimet e detyruara të të pandehurve nga Stalini. Hetuesi Mironov, në organizatën e partisë flet për Kamenievin, që nuk i pranon akuzat. -Ti mendon se ka të ngjarë që Kamenievi të mos e pranojë akuzën? – e pyet Stalini. -S’di ç’t’ju them. Ai duket i vendosur të mos e pranojë – përgjigjet Mironovi. -Ti nuk ditke ç’të thuash? – nxehet Stalini, duke ia ngulur sytë ashpërsisht. -Po Shteti ynë, me të gjitha uzinat, makineritë, armatimet, anijet e marinës, e di ti sa peshon? Mironovi dhe të gjithë të pranishmit e shohin Stalinin me habì. – Pa mendo njëherë dhe m’u përgjigj, vazhdoi sërish Stalini. Mironovi nënqeshi, duke besuar se Stalini përçapej të bënte një shakà. -Të pyeta sa peshojnë të gjitha këto! – iu hakërrua Stalini. Mironovi e humbi toruan. Por Stalini nuk ia shkëpuste sytë dhe priste përgjigjen. Mironovi ngriti supet dhe, si një nxënës i turbulluar, tha me një zë bëlbëzues: - Këtë askush nuk mund ta dijë, Josif Visarionoviç, janë gjëra të fushës astronomike. -Bukur. Po një njeri a mund ta durojë dot këtë peshë astronomike? – pyeti Stalini me një ton të vrazhdë. -Jo,- u përgjigj Mironovi. - Mirë, atëherë. Mos më thuaj që Kamenievi apo ky ose ai i burgosur mund ta përballojë këtë peshë. Dhe mos m’u duk më para sysh, pa më prurë pohimin e Kamenievit në tabakà“ (f.518). Lexuesi do të kuptojë se personazhi kryesor i librit të Reshat Kripës, Agron Canaj, ka hequr në trup e në shpirt këto pesha astronomike, për të cilat flet Stalini. Falë dhuntisë letrare të autorit, ky personazh i letërsisë shqipe të dhembjes së një populli të tërë fatkeq për pesë dhjetëvjeçarë nën peshën e dhunës komuniste, është dhënë i gjallë, pa artifise, i besueshëm. Fill pas moshës 25-vjeçare fillon zhytja n shkallët e ferrit: Në hetuesi, në burg, pas burgut, gjersa vdiq nga leuçemia, në vitin 1987. Nga më të aftët në punë si kryeinxhinier, optimist prej natyre, i dashur me të gjithë, u shndërrua në mënyrë të befasishme, në një ditë fatale të 1975- s, në personin që mund ta gjente ngushëllimin vetëm te vetmia. Citojmë autorin: 1985: Dalja nga burgu. „Të nesërmen shkoi në varreza. U gjunjëzua dhe derdhi lot para tyre. (gruas së dashur, Lumturisë dhe vajzës së shtrenjtë, Iridës). Puthi fotografitë në porcelan. Foli me to. (...). Syrjau donte ta shoqëronte, por ai donte të ishte i vetëm në dhimbjen e tij. Kishte ndenjur dhjetë vjet thuajse i vetmuar në burg. Me vetminë e tij kishte mundur të përballonte gjendjen e vështirë të atyre viteve. Me vetminë e tij donte të përballonte edhe dhimbjen e tanishme. Vetmia i dukej se e qetësonte. Ajo ishte simboli i jetës së tij“. Le të vihen ré fjalitë e shkurtra dhe përsëritja e fjalës vetmi. Kjo fjalë nuk përbën një kakofoni nga pakujdesia. Është një raforcativ i përligjshëm, si simbol i jetës së tij. Autori e njeh mirë stilistikën. Irida, drita e syve të babit, që e quante Rida, vdiq pa mbushur të pesëmbëdhjetat. Kishte kaluar edhe ajo nëpër shkallët e ferrit. Lumtua e ndoqi pas. Asnjë fjalë më tepër, ndonëse pickojmë diçka nga përmbajtja. Në këtë përjashtim, le të themi edhe se kishte lënë një letëramanet, të cilën Agroni e lexoi pas dhjetë vitesh, ditën që vajti në varrin e Lumturisë dhe të Ridës. Ajo që nuk mund të përcaktohet dot në këtë roman është se kush e pati më të madhe atë shtypje astronomike që kishte dekretuar Stalini dhe e kishte përvetësuar në mënyrë shtazarake Enveri: Agroni apo Lumturia? Veçse në gjuhën e infinitivit, nuk bëhen dot krahasime ndërmjet pambarimisht të mëdhave....