Kryeministri Berisha inauguron fillimin e rikonstruksionit të rrugës Qerret-Karpen në Golem
Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret-Karpen, komuna Golem, Kavajë. Kryeministri, në fjalën përshëndetjet e tij, garantoi se do të financohet çdo projekt që ndërton në çdo fshat infrastrukturë të standardeve të njëjta me lagjet e qytetit.
Rikonstruksioni i rrugës, me gjatë rreth 6 kilometra dhe vlerë investimi rreth 160 milionë lekë, është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe përfitues nga ky investim janë rreth 12 mijë banorë. Ky investim kryhet në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në zonat bregdetare. Rruga e re e bën bregdetin e zonës së Golemit lehtësisht të arritshëm. Ajo jo vetëm lehtëson aksesin për zonën e plazhit, por do t’i japë një dimension të ri zhvillimit të turizmit në gjithë vijën bregdetare të zonës.
Pjesë përbërëse e këtij investimi është edhe rikonstruksioni i rrugës Bago-Hajdaraj të komunës Synej, i cili së bashku me segmentin Qerret-Stani i Ri-Karpen do të bëjë të mundur krijimin e një unaze nga Qerreti në Hajdaraj dhe do të mundësojë lidhjen e plazhit të Gjeneralit me bregdetin e Spillesë.
Gjatë viteve 2005-2013, në komunën Golem janë investuar mbi 40 milionë euro. Në infrastrukturën rrugore janë investuar 16 milionë dollarë si asfaltimi i rrugës së fshatrave turistikë Mali i Robit-Qerret, rikonstruksioni i rrugës hyrja e Malit të Robit-Plazh, autostrada në territorin e komunës Golem. Është rikonstruktuar shkolla e mesme Golem me vlerë 16 milionë lekë. Në ujësjellës e kanalizime janë investuar mbi 21 milionë dollar dhe është ndërtuar ujësjellësi i Manskurisë, impianti i parë në Shqipëri për trajtimin e ujërave të zeza në zonën e Qerretit dhe po vazhdojnë punimet për zgjerimin e tij, rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën turistike të Golemit, rrjeti i brendshëm i ujësjellësit në zonën e Golemit, linja e furnizimit me ujë të pijshëm në Golem. Në bujqësi janë subvencionuar 30 milionë lekë, nga të cilat kanë përfituar 280 fermerë.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të rrugës Qerret-Karpen.
“Të dashur banorë të komunës Golem, fshatrave Qerret, Karpen, përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë e më të pakufishme dhe krenarinë e madhe për mbështetjen tuaj të vendosur e të jashtëzakonshme këto 20 vite, për mbështetjen e qytetarëve te Kavajës. Ju garantoj se kjo mbështetje përbën një detyrim madhor për mua dhe qeverinë time, për të bërë gjithçka, për të lehtësuar e përmirësuar jetën tuaj, shërbimet e çdo gjë tjetër që është e nevojshme për begatimin dhe rritjen e mirëqenies së mëtejshme të banorëve të kësaj zone.
Sot punohet në këtë rrugë, por jam këtu për t’u zotuar para jush se shumë shpejt do të fillohet të punohet në ujësjellësin e Qerretit dhe se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë, në çdo skaj të Qerretit, Golemit e Kavajës.
Në këto vite, ne kemi ndërtuar e rindërtuar në Shqipëri mbi 10 mijë kilometra rrugë, në zonat rurale e fshatrat mbi 8 mijë kilometra. Por prapë ne e dimë se kemi shumë punë për të bërë, e dimë se kemi edhe shumë e shumë kilometra të tjerë për të asfaltuar. Të gjitha do t’i ndërtojmë, rindërtojmë e asfaltojmë. Zotimi ynë është aty ku jetoni do keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Qytetarët janë e do të mbeten të barabartë para ligjit. Fëmijët e tyre do të mësojnë në shkolla të të njëjtave standarde si në fshat dhe qytet, qendra shëndetësore, furnizim me ujë, kanalizime. Ju garantoj se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e ndërtimit të sistemit më modern të vaditjes në Shqipëri.
Këto vite, ne sëbashku ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, ia dolëm të lëvizim të lirë pa viza në Europë; ia dolëm të ndërtojmë infrastrukturë moderne nga Morina e Kukësit, nga Vermoshi në Vlorë, Konispol, Gjirokastër; ia dolëm të rrisim dy herë pensionet në fshat, të rrisim 120-150 përqind rrogat e infermierëve dhe mjekëve; ia dolëm që turizmi në Kapen e mbarë Shqipërinë të rritet 13-14 herë; ia dolëm sëbashku të financojmë 45 mijë projekte në fshatrat e Shqipërisë.
Në qoftë se mendojmë për një moment, kurrë ndonjëherë më për mirë, historia e këtij vendi nuk ka ndryshuar sesa në këto pak vite dhe këtu çdo shqiptar ka firmën e tij, mundin e djersën e tij. Në qoftë se mendojmë për një moment, kurrë ndonjëherë, gjeografia e këtij vendi nuk ka ndryshuar kaq shumë, distancat nuk janë ndryshuar në këtë mënyrë dhe Shqipëria nuk ka pasur këtë prodhim, këtë rritje që ka sot.
Por ne duam të ecim edhe më shumë, duhet të bëjmë shumë më tepër. Ne do të krijojmë 250 mijë vende pune për Kavajën e Shqipërinë. Krijimin e vendeve të punës, ne e bazojmë tek politikat tona të drejta ekonomike. Ulja e taksave është politika që nxit, ndihmon biznesin. Ne ulën taksat, bizneset e vogla u rritën 80 përqind, të mesme e të mëdha me 200 dhe 300 përqind. Ne ulëm taksat, investimet e huaja u rritën katër vitet që shkuan të marra sëbashku, 4.2 miliardë dollarë. Ne ulëm taksat, eksportet shqiptare, bujqësore e të gjitha llojeve, u trefishuan nga viti 2006 e deri më sot. Ne prapë vazhdojmë me uljen e taksave. Tani ne hoqëm çdo taksë për çdo makineri apo material që bizneset përdorin për prodhim. Gjatë muajit maj janë me dhjetëra e dhjetëra biznesmenë që kanë filluar të përfitojnë nga ky ligj që miratoi parlamenti. Për fermerët shqiptarë, ne vendosëm t’u paguajmë me para në dorë të gjithë TVSH-në që ata paguajnë për blerjen e traktorëve, veglave e inputeve bujqësore, plehrave e kimikateve, në çdo fushë të bujqësisë, blegtorisë, bletarisë, peshkimit. Mendoj se kjo është mbështetja më e plotë që një qeveri mund t’i japë fermerëve të vendit të vet.
Krahas tyre, integrimi i Shqipërisë në Bashkimit Europian bën të mundur që fermerët e Qerretit, Karpenit, Kavajës e të gjithë Shqipërisë të përfitojnë qindra milionë euro subvencione nga Bashkimi Europian. Kjo është rruga e zhvillimit. Ndaj dhe ne ju ftojmë që në 23 qershor të votoni të gjithë sëbashku 44-n, të votoni Partinë Demokratike, të votoni për interesat tuaja më të rëndësishme, të votoni për zhvillimin e fermave tuaja, për zhvillimin e turizmit në Karpen e Shqipëri, të votoni për integrimin e Karpenit, Qerretit, Kavajës në Bashkimin Europian, të votoni për të ardhmen tuaj. Votoni 44-n, votoni Partinë Demokratike. Ju jap fjalën se me këta kandidatë që keni këtu, do të shndërrojmë në realitet çdo projekt për fshatrat tuaja, për komunën e Golemit, Kavajës e të gjithë zonat rurale të Shqipërisë. Fitore! Fitore! Fitore!”
04/06/2013