Kryeministri Berisha inauguron shkollën e mesme profesionale kombëtare “Ndre Mjeda” në Bushat, investim me vlerë 140 milionë lekë

Shkolla është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, e pajisur me 4 laboratorë – informatike, biologjie, kimie dhe mikrobiologjie, me bibliotekë, me palestër të mbyllur dhe në të mësojnë 160 nxënës me kohë të plotë edhe 200 me kohë të pjesshme. Shkolla shfrytëzon për praktika 14 dynym tokë bujqësore të dhënë nga komuna. Nxënësit kryejnë, gjithashtu, praktika profesionale, sipas profileve përkatëse, edhe pranë fermave të zonës. Gjatë vitit 2012-2013 është ndërtuar konvikti i ri i shkollës, me sipërfaqe 820 m2 dhe kapacitet 200 vende, për nxënësit nga qarqet Shkodër, Dibër dhe Lezhë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 80 milion lekë.
Kryeministri Berisha u shpreh se zhvillimi i arsimit profesional përbën një nga objektivat më madhore të sistemit tonë arsimor për 4 vitet që vijnë. “Në vend sot funksionojnë 10 shkolla të këtij profili dhe brenda dy viteve numri i nxënësve në to është rritur me 35 përqind”, tha Kryeministri, ndërsa garantoi se “në 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të katërfishuar numrin e specialistëve të mesëm të bujqësisë në mbarë vendin”.
Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se bujqësia përbën një përparësi madhore për qeverinë dhe u shpreh se do të bëhet gjithçka që fermerëve tu krijohet mundësia që me kohë të pjesshme të vijnë të shkollohen, të trajnohen, të marrin njohuri në shkollat e arsimit të mesëm bujqësor. “Ftojmë fermerët shqiptarë të përfitojnë nga ky sistem shkollash moderne, sepse për fermën e tyre nuk ka asgjë më të çmuar sesa dijet dhe ekspertiza e specialistëve të shkolluar”, tha Kryeministri.
***
Në vitet 2005 – 2013 në qarkun e Shkodrës janë investuar mbi 670 milionë dollarë, ku janë ndërtuar mbi 930 kilometër rrugë, me vlere mbi 200 milion $; janë ndërtuar e rikonstruktuar 122 shkolla e kopshte, me vlere rreth 15 milionë dollarë; 104 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh, me vlerë rreth 35 milion dollarë; 94 qendra shëndetësore e ambulanca, me vlere rreth 15 milion dollarë; në bujqësi janë investuar mbi 35 milion dollarë në kanale kullues, diga mbajtëse e sistemim tokash; janë subvencionuar 7 milionë dollarë duke mbjell 2250 ha vreshta, ullinj, bimë medicinale e bimë are, sera, është investuar 32 herë më shumë se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste; janë restauruar mbi 60 vepra të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror, duke kthyer kështu në identitet rrugët dhe monumentet e famshme shkodrane. Në sektorin e energjetikës janë në ndërtim 25 HEC – e lokale, investime me vlerë rreth 130 milionë dollarë, me fuqi 240Mw dhe energji 1200 GWH; 330 milionë dollarë në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet veç nënstacionit të Koplikut, Vaut të Dejës, Bushatit (20 milion $) si dhe HEC i Ashtës. Në këto numri i bizneseve të reja është rritur me mbi 2 herë, nga 3480 biznese në vitin 2005 në 8550 biznese në vitin 2012.
Qeveria në katër vitet e ardhshme, për Shkodrën qendër rajonale e zhvillimit ekonomik, tregtar, turistik e kulturor, do të realizojë: ndërtimi i autostradës Shkodër – Lezhë, me 4 korsi; përfundimi i plotë i bypassy-t të Shkodrës; ndërtimi i nënkalimit në qendër të qytetit (sheshi "Nënë Tereza") që zgjidh përfundimisht trafikun; ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, pas përfundimit të plotë të rrjetit të KUZ; ndërtimi i kampusit të ri Universitar; rikonstruksioni i stadiumit dhe ndërtimi i një Pallati te Ri për lojërat me dorë; rikonstruksioni i Fototekës Marubi dhe Teatrit Migjeni; do të vendoset linja Shkodër –Virpazar, si kërkesë në rritje e turizmit; do të përkrahet biznesi i huaj dhe vendas, sidomos zhvillimi i artizanatit tradicional; do të shumëfishohen subvencionet dhe financimeve në vepra vaditëse e kulluese; do të ndërtohet Merkato e re agro-ushqimore dhe thertore moderne.
***
Fjala e Kryeministrit Berisha në shkollën e mesme profesionale kombëtare “Ndre Mjeda” në Bushat:
“Të dashur nxënës, mësues, drejtues të shkollës së mesme profesionale kombëtare “Ndre Mjeda” të Bushatit,
E nderuar kryetare e Kuvendit,
Zoti ministër,
Zoti kryetar i bashkisë së Bushatit, sot nuk është bashki, por nesër do të jetë, sepse këto arritje që listuat ju këtu e lartësojnë Bushatin me kohë në një nga bashkitë e rëndësishme të zonës dhe të vendit,
Unë shpreh kënaqësinë time që inaugurojmë sëbashku këtë shkollë, një investim prej 140 milionë lekë dhe së bashku me konviktin, investim me vlerë 80 milionë dhe tokën përreth përbën një nga komplekset e specialistëve të mesëm në fushën e bujqësisë dhe në të gjithë sektorët e kësaj fushe. Shkolla është një shkollë moderne, me 16 klasa, 4 laboratorë, të informatikës, biologjisë, kimisë dhe mikrobiologjisë. Në këtë shkollë përgatiten specialistë jo vetëm nga Shkodra dhe Bushati, por nga mbarë veriu. Kjo është diçka jashtëzakonisht pozitive.
Zhvillimi i arsimit profesional përbën një nga objektivat më madhor të sistemit arsimor për 4 vitet që vijnë. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar një infrastrukturë të shkollave tona ndër më modernet; kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë. Ne kemi rritur rrogat e arsimtarëve, nga 120-150 përqind, sipas kategorisë. Ne jemi të vendosur të ecim përpara dhe të rrisim rrogat deri në 700 dollarë, në mënyrë të pandërprerë.
Zhvillimi i arsimit profesional përbën një nga drejtimet më themelore të sistemit tonë arsimor. Në vend sot funksionojnë 10 shkolla të këtij profili dhe brenda dy viteve numri i nxënësve në to është rritur me 35 përqind. Natyrisht, nuk jemi në nivelin ku duhet të jemi, sepse zhvillimi i shpejtë i sektorit të bujqësisë nxjerr çdo ditë e më shumë nevojën e jashtëzakonshme të specialistit të mirëfilltë, të mesëm dhe të lartë për të gjitha degët e saj. Ndaj 4 vitet që vijnë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për të katërfishuar numrin e specialistëve të mesëm të bujqësisë në mbarë vendin. Ne do të bëjmë gjithçka për t’u krijuar mundësinë fermerëve që me kohë të pjesshme të vijnë të shkollohen, të trajnohen, të marrin njohuri në shkollat e arsimit të mesëm bujqësor. Ne do të bëjmë gjithçka që këto shkolla të shtohen në çdo qark dhe sipas rastit edhe më shumë, të jenë sa më afër fermerit.
Bujqësia për ne përbën një përparësi madhore. Ne po bëjmë gjithçka për mbështetjen e saj. Ne kemi ndërmarrë programet kombëtare të ullirit, arrorëve, por masat e fundit të qeverisë, për të rimbursuar me para në dorë TVSH-në për të gjitha makineritë dhe çdo material që përdoret në sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, për rritjen e prodhimit, përbën këtë një mbështetje të fuqishme. Rimbursimi i akcizës së naftës është një tjetër zotim yni i rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë.
Ndaj dhe duke u uruar shumë suksese mësuesve, nxënësve, ftojmë fermerët shqiptarë të përfitojnë nga ky sistem shkollash moderne, sepse për fermën e tyre nuk ka asgjë më të çmuar sesa dijet dhe ekspertiza e specialistëve të shkolluar.
Edhe një herë zoti kryetar, jam këtu për të të premtuar se ne do të bëjmë realitet çdo projekt për qytetarët, për banorët e Bushatit dhe në një përpjekje të përbashkët do ta shndërrojmë Bushatin, sa më shpejtë, në lartësinë ku e kanë ngritur banorët e tij edhe ju, në një bashki të zhvilluar.
Faleminderit!”
03/06/2013