E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shëngjin, Lezhë, investim me vlerë 12 milionë euro

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të kanalizimeve të dy zonave, Shëngjinit dhe Lezhës, në zbatim të politikave të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Impianti, një investim me vlerë 12 milionë euro, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian, ka një kapacitet përpunimi prej 140 l/sek dhe teknologjia e trajtimit është konvencionale, uji i trajtuar shkarkohet në lumin Drin dhe më pas në det, duke garantuar cilësi të ujit pas trajtimit. 

Kjo qeveri i ka dhënë prioritet të veçantë shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Në vitet 2005 - 2012 u investuan 55 miliard lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur, si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shirokë, Velipoje, Vlore dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Orikum, Shkodër, etj.. Mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë në shkalle vendi për vitin 2012 është 81%, kundrejt 63% që ishte në vitin 2005, ku mbulimi për zonat urbane arriti 90% në vitin 2012 kundrejt 75% që ishte në vitin 2005, ndërsa mbulimi në zonat rurale arriti 60% kundrejt 40% që ishte në vitin 2005. Raporti i mbulimit me shërbimin e kanalizimeve në total, në shkallë vendi, është 66% në vitin 2012, kundrejt 40% në vitin 2005.

Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vepër do të bëjë që potenciali turistik i kësaj zone të shfrytëzohet në shkallën më maksimale. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se për këtë qeveri ka qenë parësore përmirësimi i infrastrukturës, në çdo cep të vendit dhe shtoi se “impiante të tilla në vitin 2005 nuk ekzistonin, ndërsa sot funksionojnë në Kavajë, në Lezhë, në Durrës, në Pogradec, në Korçë dhe janë në përfundim e sipër 12 të tjera”.

“Ne, - tha Kryeministri, - po shkojmë drejt zgjedhjeve me një program, i cili do t’i bëjë shqiptarët të harrojnë ato që ne kemi realizuar në këto dy mandate, me një program i cili do të bëjë që në brigjet e Shqipërisë, në Shëngjin , në gjirin e Drinit, në Velipojë dhe kudo të pushojnë në vit 7 milionë turistë nga e mbarë bota; me një program i cili do të krijojë 250 mijë vende pune në turizëm, në qytete, në biznese, në energji, në ferma dhe në sektorë të tjerë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shëngjinit, Lëzhës,

Zoti kryetar i bashkisë së Shëngjinit,

Zotërinj deputetë,

Zoti Prefekt,

Zoti ministër,

Zotërinj qeveritarë vendorë,

Së pari, përshëndetjet më vëllazërorë ju edhe të gjithë banorëve të Lezhës dhe Shëngjinit, kudo që janë sot. Shpreh gëzimin tim të madh që së bashku inauguruam një vepër të një rëndësie jetike për potencialet e mëdha zhvillimore që kanë Lezha dhe Shëngjini. Kjo vepër do të bëjë që potenciali juaj turistik të shfrytëzohet në shkallën më maksimale; do të bëjë që ujërat e brigjeve të Lezhës dhe të Shëngjinit të vendosen në hartën e ujërave më të pastra të Evropës; do të bëjë që çdo turist, çdo vizitor që mendon pushojë në Shqipëri të vijë pa ndrojtje, të vijë me kënaqësi të shfrytëzojë plazhet dhe ujërat e detit në këtë zonë, pasi ato sot e tutje do të jenë ndër më të pastrat e kësaj toke.

Ky impiant është një investim prej 12 milionë euro. Vetëm rrjeti i kanalizimeve të Lezhës ka kushtuar 3.2 milionë euro, mbledh të gjithë ujërat e dy qyteteve më të mëdha të kësaj zone. Impianti, pas trajtimit me metodat më të sigurta i nxjerr ato ujera me zero ndotje.

Vëllezër e motra,

Përpjekja jonë e përbashkët ka qenë dhe mbetet ndryshimi i vazhdueshëm i Shqipërisë, i Shëngjinit, i Lezhës dhe mbarë Shqipërisë. Në këto pak vite, në qoftë se rrimë dhe mendojmë për një moment, Shqipëria ka ndryshuar më shumë se në tërë shekujt paraardhës. Në këto pak vite, me mundin, djersën, përkushtimin dhe punën tuaj Shqipëria sot renditet krahas vendeve të zhvilluara për numrin e  banesave për 1 mijë banorë. Shqipëria sot në përpjekjen tonë për ndryshim të madh është ndër vendet e vetme në Evropë që jo vetëm nuk pati rritje të papunësisë, por pati një ulje të sajë. Sigurisht, Shqipëria e vendosur midis Italisë dhe Greqisë, vende mike që përjetojnë një krizë të paprecedentë, nuk mund të mos ndjente pasojat e kësaj krize, por e vërteta është si drita e diellit, e vërtetë e pohuar kjo nga të gjitha institucionet ndërkombëtare se në Shqipëri papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por pati një ulje, në tërësi 0.5 përqind dhe në qytete 6 përqind.

Të dashur miq,

Ndërkohë janë shpëtuar nga shkatërrimi dhjetëra e mijëra vende pune. Falë punës tuaj, djersës tuaj dhe reformave të kësaj qeverie, ne së bashku jemi zotuar për ndryshimin. Le të mendojmë pak, a ka ndryshim më të madh sesa anëtarësimi i Shqipërisë në NATO; a ka ndryshim më të madh sesa lëvizja e lirë e qytetarëve, pa viza; a ka ndryshim më të madh sesa ndërtimi i mbi 10 mijë kilometrave rrugë, nga veriu në jugun e vendit; a ka ndryshim më të madh sesa dyfishimi i rrogës mesatare në një hark kohor 6 vjeçar; a ka ndryshim më të madh sesa dyfishimi i pensioneve, trefishimi i numrit të studentëve; a ka ndryshim më të madh sesa rritja e numrit të turistëve, nga 300 mijë në vitin 2004 në 4.7 milionë në vitin 2012; a ka ndryshim më të madh sesa ndërtimi i këtyre impianteve të cilat në vitin 2005 nuk ekzistonin, ndërsa sot funksionojnë në Kavajë, në Lezhë, në Durrës, në Pogradec, në Korçë dhe janë në përfundim e sipër 12 të tjera; a ka ndryshim më të madh sesa në kohën e kulmit të krizës evropiane investimet e huaja në këtë vend të rriten me 316 përqind. Këto janë ndryshimet që ne kemi realizuar. A ka ndryshim më të madh sesa të kesh sot në Shqipëri jetëgjatësinë mesatare të qytetarëve sesa 9 vende anëtare të Bashkimit Evropian; a ka ndryshim më të madh sesa të kesh sot vdekshmërinë amtare më të ulët se shumica e vendeve të zhvilluara. Kjo është rruga jonë. A ka ndryshim më të madh sesa të kesh sot banesa për 1 mijë banorë, më shumë se 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Këto kemi arritur dhe këtu merita e madhe është e juaja, të dashur qytetarë dhe qytetare. Merita kryesore është e juaja, grave dhe burrave të këtij vendi, vajzave dhe djemve të këtij vendi, të cilët më besim të madh te vetja, familja dhe vendi i tyre derdhin lumenj djerse çdo ditë. Këtu qëndrojnë pa diskutim reformat e drejta të kësaj qeverie, e cila ka faktuar se bën gjithçka për iniciativën tuaj të lirë, bën gjithçka mundet që ju me pasurinë tuaj, me mundin tuaj të begatoni familjet tuaja. Moto e saj është dhe do të mbetet - jo Shqipëria në funksion të qeverisë, por qeveria në funksion të Shqipërisë.

Kjo qeveri është bërë e njohur kudo për taksat e ulëta që ka vendosur. Ne vendosëm taksën 10 përqind, u bëmë të parët dhe të tjerë po vazhdojnë ta vendosin atë. Kjo taksë për çdo biznesmen, për çdo biznes është një nxitje, është një inkurajim, është para më shumë për të krijuar vende pune. Ne bëmë gjithçka për të ftuar investitorët e huaj. Ndaj dhe morëm katër vitet e fundit 4.2 miliardë euro. Ne bëmë gjithçka për të rritur transparencën.

Çfarë ofron pala tjetër? Së pari, një mal dhjetë herë më të madh sesa ky mal që keni këtu, me mashtrime dhe trillime. Së dyti, shpifje më të zeza se ujërat që përpunohen në këtë impiant. Së treti, taksat e etërve të tyre.

Vëllezër, mos harroni se shumë e shumë nga ne jemi rritur në një sistem, i cili na thoshte nga mëngjesi deri në darkë se jemi vendi i vetëm në botë pa taksa. Këtë e thotë edhe zotëria, do t’i heq taksat, përveç se për të pasurit. Ndërkohë, në atë kohë, ne ishim qytetarët e vetëm në botë që 8 muaj mund dhe djersë tonën merreshin indirekt nga qeveria. Ai beson se duke rrënuar të pasurit do të ndihmojë të varfrit. Ai është kontradiktor. E keni dëgjuar kur shkon nëpër salla dhe thotë se për këta (për ne e ka fjalën, mazhorancën) votojnë vetëm të varfrit. Shikoni hartën, - thotë ai-, se ku votohen, në zonat më të varfra. Së pari, dua t’i them se e kam për nder, për mirënjohje të pakufishme votën e çdo shqiptari, të varfër, të papunë, të mëkëmbur, në punë dhe cilido që është ai. Së dyti, dua t’i them se kurrë nuk mund të ndihmohen të varfrit duke shkatërruar të pasurit. Të varfrit ndihmohen me reforma të thella, të cilat krijojnë çdo ditë vende pune; të cilat u japin atyre mundësi kreditimi, u japim atyre mundësi financimi, u japin atyre gjithnjë një shans të dytë, kur shansi i parë nuk ka funksionuar për ta.

Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve me një program, i cili do t’i bëjë shqiptarët të harrojnë ato që ne kemi realizuar në këto dy mandate; me një program i cili do të bëjë që në brigjet e Shqipërisë, në Shëngjin , në gjirin e Drinit, në Velipojë dhe kudo të pushojnë në vit 7 milionë turistë nga e mbarë bota; me një program i cili do të krijojë 250 mijë vende pune në turizëm, në qytete, në biznese, në energji, në ferma dhe në sektorë të tjerë.

Katër vitet që vijnë, ne që u zotuam për Shqipërinë dixhitale, e cila 5-6 vjet më parë dukej e largët sa hëna për këtë vend dhe sot është realitet, do të bëjmë që Shqipëria të jetë vend lider në rajon për sa i përket teknologjisë më të lartë dhe zhvillimit teknologjik. Katër vitet që vijnë ne do të finalizojmë infrastrukturën moderne në çdo skaj të këtij vendi. Katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë. Katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka për një cilësi më të lartë të shkollimit, do të bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve, grave dhe burrave të Shqipërisë. Katër vitet që vijnë – Shqipëria, statusin e vendit anëtar të Bashkimit Evropian. Katër vitet që vijnë – Shqipëria, negociatat me BE-në, për vend anëtar në Bashkimin Evropian. Programi ynë është ai i një Shqipërie të zhvilluar; është ai i një Shqipërie që renditet krenare me vendet e zhvilluara; është ai i një Shqipërie që integrohet e sigurt në Bashkimin Europian. Ky është programi ynë.

Çfarë ndodh me palën tjetër? Frikë, tmerr nga disfata e radhës. Kur unë dhjetë ditë më parë i thash publikisht zotit Rama kontrolloje dëshpërimin, kontrolloje tërbimin, kontrollojë frikën dhe tmerrin që të ka pllakosur, pati shumë njerëz që më shihni me habi. Dhe ja çfarë ndodhi. Ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një shteti. Shkoi në kryeqytetin e një vendi mik dhe kreu një akt ndër më të dënueshmit, më ordinerët, më poshtëruesit për veten dhe të tjerët.

Ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve të vendosur për t’i dhënë vendit zgjedhjet më të qytetëruara, të standardeve më të larta, për të lënë me ‘gisht në gojë’ të gjithë ata të cilët përhapin llafe se shqiptarët nuk dinë të votojnë, se shqiptarët nuk mund të votojnë. Unë u them atyre mos përsërisni marrëzisht shpifjet e Edi Ramës, se shqiptarët dinë të votojnë shumë mirë, se shqiptarët dinë të votojnë si qytetarë të vërtetë perëndimorë, se shqiptarët dinë të respektojnë çdo votë, dinë të respektojnë çdo rezultat. Ndaj dhe të ecim të sigurt drejt 23 qershorit.

Ai ditën e gjykimit e ka ditën e ferrit. Ai burrë vetëm këtë ditë nuk e duron dot. Pasi tentoi të shtyjë datën e zgjedhjeve, pasi tentoi të vërë në kolaps institucionin e zgjedhjeve, tani bën betejën e Muhos. I them zotit Rama se beteja e Muhos është beteja jote e parafundit e dështuar, sepse beteja e fundit është më 23 qershor. Kur të mendosh se të kthehet Muho në KQZ, të jesh i sigurt se është kthyer Kuqoja dy herë më shpejtë sesa Muhoja. Ndaj harroje atë. Merri Muhon dhe Kuqon e bëji deputetë, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk do të shkelin më. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të shkëlqyera.

Ne jemi ndryshimi – përpara, përpara, përpara!”


27/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›