Kryeministri Berisha inauguron disa ambiente dhe laboratorë në fakultetet e Universitetit Bujqësor, në Kamzë, investim me vlerë 86 milionë lekë

Pasi pa nga afër këto ambiente, Kryeministri Berisha i uroi drejtuesit dhe studentët e këtij universiteti për këtë investim, i cili përmirëson infrastrukturën dhe cilësinë akademike në të. Kryeministri u shprehu atyre mbështetjen e plotë të qeverisë në realizimin e ambicieve që ata kanë për të zhvilluar më tej shkencën, teknologjinë dhe prodhimin në këtë fushë, e cila është e një rëndësie vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi dmosdoshmërinë e arsimit të mesëm profesional bujqësor që, sipas tij, është jetik për zhvillimin e vendit. Kryeministri kërkoi që stafi i Universitetit Bujqësor në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit të hartojnë një projekt për të sjellë në vendin tonë shkollat bujqësore të tipit amerikan.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’ju përgëzoj për punën e madhe që keni bërë dhe bëni në përgatitjen e ekspertëve dhe specialistëve në të gjitha fushat e këtij sektori jetik për zhvillimin e vendit. Universiteti juaj, në këto vite, falë reformave të thella ka njohur dimensione të reja, ka krijuar degë dhe nëndegë që përputhen sot plotësisht me nevojat e tregut. Universiteti ka krijuar një bazë të fuqishme kërkimore, shkencore dhe laboratorike, ka nxitur dhe nxit kërkimin shkencor, inovacionin, si kushte vendimtare për përballimin me sukses të kërkesave të mëdha të zhvillimit të këtij sektori. Universiteti ka sot rreth 12 mijë studentë. Ka një numër të madh pedagogësh, të cilët krahas mësimdhënies zhvillojnë edhe një punë të rëndësishme kërkimore shkencore. Në një hark të shkurtër kohor, universiteti është pajisur me më shumë se 50 laboratorë. Unë dua t’ju garantoj ju se për qeverinë pajisja e fakulteteve dhe departamenteve të këtij universiteti me teknologjinë më moderne është dhe mbetet një përparësi e madhe.
Të dashur studente dhe studentë,
Këto kanë qenë vite të një përqendrimi të madh të qeverisë në atë që mund ta quajmë Shqipëria rurale. Historia e zhvillimit është e tillë. Pa një zhvillim të qëndrueshëm rural nuk mund të bëhet fjalë për zhvillim të qëndrueshëm të një vendi. Së dyti, Shqipëria ka një specifikë të veçantë, me gjithë se këto 20 vite ajo ka regjistruar ritmet ndër më të lartat në botë në procesin e urbanizimit. Përsëri, pavarësisht nga këto ritme, 46 përqind e popullatës së këtij vendi jeton në zonat rurale. Ndaj dhe ne, me një vendosmëri të madhe këto vite, në premtimin se kudo që jetojnë shqiptarët do të ndërtojmë infrastrukturën e njëjtë me ato të lagjeve të qyteteve tona, kemi ndërtuar në zonat rurale mijëra kilometra rrugë, kemi investuar në zonat rurale qindra milionë dollarë në ujësjellës, kanalizime, shkolla, etj. Ne do të qëndrojmë plotësisht premtimit tonë. Pa ndërtimin e infrastrukturës, që shërben dhe si skelet i hekurt i një zhvillimi të qëndrueshëm rural, perspektiva e prodhimit bujqësor dhe blegtoral është e kufizuar.
Krahas këtij investimi të madh, të paprecedentë në historinë e vendit, ne kemi ndërmarrë disa projekte me të cilat besojmë se do mund ta transformojmë Shqipërinë. Ne mbështesim dhe do të mbështesim shndërrimin e Shqipërisë në vendin e pyjeve frutore, në vendin prodhues të frutave të të gjitha llojeve dhe cilësive më të larta. Ne e kemi bërë dhe bëjmë këtë, sepse kjo përbën një potencial shumë të madh për Shqipërinë. Në këtë kontekst janë ndërmarrë disa projekte kombëtare. Projekti i ullirit është një histori e vërtetë suksesi në zhvillim. Në një hark të shkurtër kohor, nga viti 2007 e deri më sot, është tejkaluar ndjeshëm numri i rrënjëve të ullinjve që kishim trashëguar nga të gjitha kohërat. Këto mbjellje po hyjnë çdo vit e më shumë në prodhim. Sot projekti i ullirit ka ngjallur një pasion të madh te fermerët e zonës së ullirit, jo vetëm në fshatra, por edhe në qytete, tek biznesmenë e të tjerë, të cilët me pasion të madh po mbjellin këtë pemë fisnike. Ne jemi të vendosur që pas realizimit të projektit me 20 milionë rrënjë ulliri të reja, të ecim drejt projektit të dytë me 50 milionë rrënjë në tërësi. Pra edhe 30 milionë rrënjë të tjera ulliri. Kështu, ne shfrytëzojmë në mënyrën më racionale tërë sipërfaqen e tokës, në të cilën mund të mbillen ullinj deri në lartësinë e caktuar gjeografike. Më vjen shumë mirë që laboratorët e këtij universiteti merren edhe me studimin dhe analizën e cilësisë së ullirit. Shijova vajin më të mirë të ullirit që kam shijuar në jetën time, të prodhuar nga studentët e këtij fakulteti. Projekt tjetër, me të cilin ne jemi të vendosur ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të madh e më të bukur të Evropës, është projekti i arrorëve. Ky projekt po lëshon shtat çdo ditë e më shumë, falë pasionit të fermerëve shqiptarë dhe mbështetjes që ne u japim atyre në mbjelljen e arrorëve. Sot tregu evropian importon dy milionë ton arrorë nga vendet kryesore të prodhimit të tyre. Në rast se Shqipëria me 50 milionë rrënjë ulliri bëhet një prodhues i rëndësishëm i ullirit për rajonin, Shqipëria me 250 milionë rrënjë arrorë, nga Konispoli në Vermosh, bëhet një prodhues shumë i rëndësishëm i arrorëve në rajon dhe në Evropë.
Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në drurët frutorë. Në rast se do të vizitoni Korçën do të shihni se në një hark të shkurtër kohor kanë 16-fishuar prodhimin e mollës, do të gjeni fermerë që ndjekin me ambicien më të madhe zhvillimet e fundit teknologjike dhe arritjet e mëdha të shkencës në këtë fushë, do të gjeni fermerë që në sipërfaqen e mbjellë pak vite më parë çrrënjosin varietetin dhe vendosin varietete më të reja të prodhimeve më të larta. E gjithë kjo përpjekje e madhe kërkon mendjen tuaj, dijet dhe përkushtimin tuaj. Po bisedoja me dekanin e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit dhe më paraqiti prodhimet tuaja të mrekullueshme, verërat e klasit të parë që kishit prodhuar, ullirin. Me të drejtë diskutuam çështjen e standardeve, përpjekjen e madhe që duhet të bëjmë ne për të standardizuar prodhimet tona të mrekullueshme. Dekani më tha se për fat të keq ka prodhues që akoma nuk kanë realizuar domosdoshmërinë e madhe të ekspertëve të fushës në kantinat dhe njësitë e prodhimit të tyre. Ne duhet t’i ndihmojmë ata, sepse në rast se në kërkojmë standarde, ne nuk mund të pranojmë empirizma. Ne u ofrojmë atyre ekspertë me pajisjet, me dijet më të mira. Atyre që mund të mendojnë se i rëndon një, dy apo tre rroga të specialistëve gabojnë rëndë. Ata, duke përfituar nga dija, do të nxjerrin prodhime të një cilësie shumë më të lartë dhe do të nxjerrin fitime shumë më të mëdha me cilësitë e prodhimeve të tyre.
Zoti rektor, unë i vlerësoj shumë përpjekjet e këtij universiteti, degët që ka hapur në Lushnje dhe vendosmëria për t’i shtrijë më tej ato, por me ministrin e Arsimit, me ju dhe me miqtë tanë pedagogë, kam një shqetësim serioz që është arsimi i mesëm profesional bujqësor. Arsimi i mesëm profesional bujqësor është jetik për zhvillimin e vendit. Ndaj dhe unë do t’ju kërkoja të uleni së bashku, të bëni një projekt për të sjellë këtu shkollat bujqësore të tipit amerikan. Ne duhet të bëjmë gjithçka që të marrim nga ky vend i madh modelin e shkollave, sepse bujqësia amerikane të gjithë epërsinë e ka te shkolla, te mendja. Ndaj dhe ata prodhojnë shumë më tepër dhe në cilësi më të larta se gjithë prodhuesit e tjerë të planetit. Ne duhet të ndjekim vendosmërisht shembullin e tyre. Këto ditë shkollës Bujqësore të Kavajës iu rikthye emri i themeluesit të saj, Erikson, një misionar i madh, një njeri që me dashurinë e tij për Shqipërinë bëri gjëra të jashtëzakonshme për këtë vend. Le të na frymëzojë ky burrë i madh për të hapur shkolla të tjera bujqësore në zona të ndryshme të vendit. Le t’u japim mundësi të studiojnë në shkolla bujqësore, t’u krijojmë mundësinë që të ndjekin edhe shkollë tjetër, po të duan, më pas. Të mos e marrin si një kufizim. Kudo që shkoj sot gjej fermë sipërmarrje. Isha në Peshkopi, në një panair, dhe aty takova shumë fermerë. Që të gjithë kishin fermë sipërmarrje. Ferma sipërmarrje në tërësinë e saj është një fermë familjare, mund të jetë edhe më e madhe, por në shkallën që e kemi ne është e tillë. Në qoftë se djali apo vajza e tij arsimohet dhe merr dijeni për sektorin, sigurisht, ferma organizohet më mirë. Ne kemi hapur me dhjetëra shkolla ICT-së dhe do t’i forcojmë ato, por ne do të hapim edhe shkolla bujqësore në qarqet kryesore të vendit.
Të dashur miq,
Unë vizitova këtu një seri laboratorësh. Rektori dhe ministri më informuan se gjatë këtyre viteve në fakultetet e këtij universiteti janë financuar rreth 50 laboratorë. Unë ju garantoj se qeveria do të financojë çdo projekt që ju të keni aparaturat më moderne.
Këtë vit ne e kemi vitin e historisë sonë, e kemi 100 vjetorin e pavarësisë. Në qoftë se ju hidhni sytë në hartën e Evropës, asnjë komb nuk ka kaluar në 100 vite kalvarin, të cilin kanë kaluar shqiptarët. Unë ju rikujtoj se 100 vjet më parë, ata të cilët luftuan për Shqipërinë etnike, për Shqipërinë në trojet ku shqiptarët ishin shumicë etnike dhe vazhdimësi gjeografike, ata të cilët u flijuan për idealin e kësaj Shqipërie, nuk kishin shtet, nuk kishin institucione. E kundërta ishte e vërtet. Ata u përballën me armiqësitë më të egra të fqinjëve që mendonin se shqiptarët nuk duhet të ekzistonin më në trojet e tyre. Por ata ia dolën, me një përpjekje mbinjerëzore, të udhëhequr nga Ismail Qemali të shpallnin në Vlorë pavarësinë. Sërish, përpjekje titanike u bënë për të konsoliduar shtetin. Diktatura më e egër në Evropë u përjetua nga shqiptarët. Sot, ne jemi të lirë. Jemi të lirë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo që jetojmë. E rëndësishme, të dashur studente e studentë, është të ruajmë si idealin më të shenjtë të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar. Trojet etnike të shqiptarëve duhet të jenë dhe janë territore të ndërgjegjes së tij kombëtare, kudo që ai jeton. Ky është një kusht vendimtar, që energjitë e kombit të shkojnë për ndërtimin e të ardhmes së tij në liri. Ndaj dhe në këtë 100 vjetor nderimi më i madh që u bëjmë ne qindra e mijëra të rënëve tanë, nga fillimi i shekullit të shkuar deri në vitet ’99 dhe 2001, në Kosovë e Maqedoni, është të bëjmë çdo gjë për tu bashkuar me njëri - tjetrin, është të bëjmë çdo gjë për tu bashkuar me Evropën. Ne kemi humbur kohë, jo se kemi dashur vetë, por sot të lirë ne ecim me shpejtësi më të madhe sesa të tjerët. Unë jam i bindur se në një kohë të shkurtër ne do të vendosim Shqipërinë, e cila do të ishte dhe në vitin 1992 e krahasueshme me treguesit më kryesorë ekonomikë me Ugandën dhe Angolën, në grupin e vendeve të zhvilluara. Ky është frymëzimi që duhet të na sjellë ne 100 vjetori i pavarësisë.
Ju uroj gëzuar këtë 100 vjetor. Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju garantoj për mbështetje të plotë të qeverisë në realizimin e ambicieve tuaja fisnike për të zhvilluar gjithnjë më tej shkencën, teknologjinë dhe prodhimin në këtë fushë të një rëndësie vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë.”
09/11/2012