Ministri kinez Jiarui angazhohet për nxitjen e investimeve kineze në Shqiperi në të gjitha fushat e zhvillimit

- Ministri i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin WANG JIARUI u shpreh se eshte një mik i vendit tonë dhe se sheh një Shqipëri mjaft të zhvilluar nën lidershipin e kryeministrit Berisha dhe reformat e qeverisë së tij, veçanërisht në fushën ekonomike, ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera.
Kryeministri Berisha ndodhet sot në Kinë, në kuadër të vizitës së tij disaditore, ku do të jetë i ftuar, bashkë me shumë kryetarë shtetesh e qeverish nga mbarë bota, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike "Pekin 2008".
Në aeroportin e Pekinit, Kryeministri Berisha u prit me ceremonial nga Zëvendësministri i Punës i Republikës Popullore të Kinës dhe pjesëtarë të stafit organizativ.
Më pas, agjenda e Kryeministrit vijoi me takimin mjaft miqësor me Ministrin e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zotin Wang Jiarui dhe përfaqësues të lartë të kësaj ministrie, në ambientet e Asamblesë Popullore të Kinës.
Ministri Jiarui i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen dhe e falënderoi për mikpritjen e tij dhe të popullit shqiptar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, për të cilën ai u shpreh se ishte mjaft mbresëlënëse.
Ministri i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, zoti Wang Jiarui u shpreh se është një mik i vendit tonë dhe se shihte një Shqipëri mjaft të zhvilluar nën lidershipin e Kryeministrit Berisha. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare veçanërisht në fushën ekonomike, ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera.
Zoti Jiarui shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të vendosura mbi një bazë miqësie të ndërsjellë tradicionale dhe se ato forcohen dita ditës, duke pasur për këtë një vullnet politik mes dy vendeve dhe qeverive.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndodhej në Kinë, me rastin e Lojërave Olimpike, ku me siguri Kina do t'i tregojë botës sukseset dhe progresin e saj të madh. Kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e ministrit Jiarui në Shqipëri, si të suksesshme dhe theksoi se dy partitë, Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia Komuniste e Kinës kanë sjellë ndryshime epokale në vendet e tyre, ndaj bashkëpunimi dhe angazhimi i ndërsjellë mes tyre do të njohë progres të vazhdueshëm dhe lidhje të forta nga të gjitha strukturat e tyre.
Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, Kryeministri Berisha shprehu dëshirën për të pritur Kryeministrin e Kinës, zotin Wen Jiabao në Shqipëri.
Më pas, Kryeministri Berisha e njohu zotin Jiarui me reformat e ndërmarra nga qeveria në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Në këtë kontekst, Kryeministri e njohu zotin Jiarui me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më tërheqëse për investimet e huaja. Kryeministri Berisha ftoi investitorët kinezë të investojnë në Shqipëri për të shfrytëzuar potencialet e pashtershme natyrore, duke garantuar se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe lehtësojnë iniciativat e tyre. Nga ana e tij, Minisri Jiarui shprehu angazhimin për të nxitur investimet kineze në Shqiperi, në të gjitha fushat e zhvillimit.
Më pas, biseda u përqendrua në zhvillimet në rajon dhe kryesisht në Kosovë. Kryeministri Berisha u shpreh se tashmë kemi një Ballkan tjetër, më të stabilizuar dhe se në të kemi një realitet të ri që është Kosova e pavarur, e njohur nga 43 shtete, në pak muaj, të cilat nuk e kanë njohur as për të shpërblyer shqiptarët dhe as për të ndëshkuar serbët, por sepse kanë parë në pavarësinë e saj, një kontribut jetik në stabilitetin dhe integrimin e vendeve të rajonit dhe shkëputjen nga e kaluara e hidhur.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e lartë që do të kishte një rishqyrtim dhe rikonsiderim i pavarësisë së Kosovës nga ana e Kinës, duke theksuar se tek Shqipëria, Kina ka një vend mik dhe me Kosovën e pavarur do të ketë një tjetër vend mik.
Ministri Jiarui u shpreh se po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike në rajon dhe veçanërisht e gëzonte ecuria e Kosovës në këto muaj. Ai u shpreh se kjo është një çështje për të cilën duhet një dialog dhe vlerësim i vazhdueshëm.
Në përfundim të këtij takimi mjaft të ngrohtë, dy personalitetet shkëmbyen dhuratat tradicionale, duke uruar një sukses të ndërsjellë të ekipeve të vendeve të tyre në këto Lojëra Olimpike.