E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës në fshatin Rreth, në Shijak

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve të rrugës në fshatin Rreth të Shijakut, rrugë e cila lidh këtë fshat me qytetin e Shijakut dhe rrugën kryesore. Rruga është e standardeve më të mira, me dy korsi dhe e pajisur me sinjalistikën e nevojshme.
Duke vlerësuar cilësinë e punimeve Kryeministri Berisha u shpreh se në fshatin Rreth është bërë kanalizimi i ujërave të zeza dhe pastaj është asfaltuar rruga, e cila i jep një infrastrukturë europiane këtij fshati. 

Kryeministri ftoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës që të marrë shembull nga kryetari i komunës Xhafzotaj, Agim Hoxha për mënyrën se si shtrohen rrugët dhe përdoren paratë publike.

“Nuk mund të mos më shkojë mendja tek balta e rrugicave të lagjeve të Tiranës dhe e ftoj kryetarin me korrrespondencë të Bashkisë së Tiranës të vijë tek Agim Hoxha, kryetari i Xhafzotaj të mësojë se si shtrohen rrugët dhe si përdoren paratë”, u shpreh Kryeministri. Cdokush që kalon në rrugët dhe rrugicat e këtyre fshatrave, vijoi më tej Kryeministri, i gjen ato të standardeve më të mira, standarde që  absolutisht nuk i gjen dot në rrugicat e Tiranës. “Shqipëria rurale zhvillohet nëpërmjet rrugëve”, vijoi Kryeministri.

Më tej Kryeministri u takua me banorë të fshatit Rreth dhe dëgjoi me interes problemet e tyre. Kryeministri theksoi se qeveria e drejtuar prej tij është plotësisht e angazhuar për krijimin e një jete sa më të mirë për çdo qytetar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›