E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ndërtimi i Shqipërisë rurale, përparësi e qeverisë

Në vijim të turit të inaugurimeve në bashkinë e Shijakut,  Kryeministri Berisha pati një takim me drejtues të pushtetit vendorë të kësaj bashkie. Gjithashtu, Kryeministri u takua dhe bashkëbisedoi me banorë të zonës, ku u njoh nga afër me shqetësimet dhe problemet e tyre.   

Duke u ndalur në projektet për qytetin e Shijakut, Kryeministri theksoi se investimet në këtë qytet përbëjnë një përparësi. “Ne do të përqendrohemi më shumë në këto drejtime: ndërtimi i Pallatit të Kulturës, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugëve të brendshme. Edhe Shijaku duhet t’i ketë rrugët e asfaltuara”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Berisha përgëzoi deputetin e Shijakut, Osman Metalla, për vëmendjen e  treguar për zhvillimin e zonës së tij, duke u shprehur se deputeti  Shijakut ka shprehur një interes absolut për të tërhequr investime nga qeveria për këtë zonë, duke paraqitur kërkesa vërtet të bazuara.

Kryeministri vuri në dukje se në grantin qe merr bashkia e Shijakut këtë vit do të ketë një përparësi për të, ndërsa theksoi se në buxhetin e vitit 2009 do të planifikohet edhe rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës që duhet të mbarojë brenda vitit 2009.

Kryeministri theksoi se po kaq të mëdha janë investimet në zona të tjera, si në Katund të Ri, në Rrashbull dhe në zonat përreth Shijakut dhe Durrësit.

“Shqipëria rurale është përparësi për ne. Zhvillimi i saj kalon me çdo kusht nëpërmjet ndërtimit të rrugëve dhe infrastrukturës së përshtatshme”, tha Kryeministri Berisha.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›