E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Rragam-Kam, në Tropojë, me vlerë 811 milion lekë

Kryeministri Berisha vizitoi sot Tropojën, ku mori pjesë në inaugurimin e dy loteve të rrugës Has - Tropojë. Fillimisht, kryeministri inauguroi segmentin rrugor Rragam-Kam me gjatësi 31 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 811 milion lekë.

Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës sipas të gjitha parametrave moderne do të lehtësojë ndjeshëm komunikimin për banorët e fshatrave përreth, duke iu shtuar kështu investimeve gjithnjë në rritje, për këtë zonë.

Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Tropojës janë investuar 120 miliard leke, të cilat janë konkretizuar në ndërtimin e 27 rrugëve dhe 5 urave, 13 ujesjellesa dhe kanalizime, 13 shkolla, 12 ambulanca dhe qendra shëndetësore.

Ndërsa, për sa i përket bujqësisë janë subvencionuar në pemtari 40 milion leke, kundrejt 1.7 milion lekëve të investuara nga qeveritë e mëparshme. Në sektorin energjitik janë investuar 60 milion euro në rehabilitimin e HEC- ve dhe janë kontraktuar ndërtimet e 5 HEC te rinj.

Në takimin me banorët e komunë së Bytyçit, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre, në inaugurimin e një rruge të rëndësishme, e cila shënon një zhvillim të ri, në jetën e banorëve të zonës.

Me pretimin se vitet e ardhshme investimet për rrethin e Tropojës do të trefishohen, kryeministri renditi një sërë drejtimesh ku do të përqendrohen këto investime, në të cilat  një vend kryesor zenë projektet për fermerët dhe zbatimi i teknologjisë moderne në fushën e bujqësisë. “Vitet që vijnë, ju jap fjalën ju, se këto investime do të trefishohen, dhe sapo të përfundojmë projektin kombëtar të rrugëve, ne do të ndërtojmë për ju, do të ndërtojmë për fermerët shqiptarë sistemin më modern të vaditjes, në mënyrë që ju të vadisni me metodat më të mira dhe të merrni prodhimet më të mëdha.”- tha Kryeministri.

Kryeministri garantoi se qeveria do ti japë përparësi dhe do të mbështesë çdo projekt të paraqitur nga drejtuesit lokalë, por edhe nga vetë banorët, në dobi të përmirësimit të jetës së tyre.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur banorë të bregut të Pacit, të Komunës së Bytycit, gra dhe burra fisnikë,

Ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time që jam sot këtu, dua të shpreh nderimin tim më të thellë, dashurinë dhe respektin më të madh, shpreh gjithashtu kënaqësisë që sot, së bashku inaugurojmë rrugën, e cila lidh Bajram Currin me Krumën, lidh komunën e Bytyçit me akset kombëtare të vendit, shënon një zhvillim të ri, të madh në jetën e banorëve fisnikë të kësaj zone.

Unë vij tek ju, me një respekt të veçantë për sakrificën tuaj, për moralin tuaj, për dinjitetin tuaj, qëndresën, kontributin që keni dhënë në të gjitha kohërat për këto ditë lirie që ne gëzojmë sot. Krahina juaj si asnjë tjetër u dogj për flamurin, për vendin, por sot ne bashku me ju,me të gjithë qytetarët e banorët e Tropojës, Hasit, Kukësit e të mbarë Shqipërisë kemi një projekt të madh përpara, projektin Shqipëria e zhvilluar, Kukësi i zhvilluar, Hasi i zhvilluar, projektin me të cilin ne, pasuritë e mëdha të këtij vendi duam ti shndërrojmë në vlera për qytetarët shqiptarë, projekti në të cilin ne së bashku do të bëjmë Shqipërinë,  e cila ekziston vetëm në imagjinatën, në ëndrrën  më të bukur tonën dhe të fëmijëve tanë.

Vëllezër dhe motra,

Në këtë projekt, në një hark kohor 5-6 vjeçar kemi investuar në rrethin e Tropojës dhe këtu në komunën  tuaj së paku 30 herë më shumë se qeveritë e mëparshme.

Sot, akset kombëtare janë të gjitha të ndërtuara. Sot nga Valbona në Lekbibaj dhe në të çdo skaj të këtij rrethi ndërtohen  rrugë, ujësjellës, dhe unë dua tu jap fjalën të gjitha fshatrave të kësaj zone së një nga një, që të gjitha do të lidhen me rrugë të asfaltuara me rrugën kombëtare. Ne do të bëjmë gjithçka që së bashku të ndërtojmë Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë evropiane. Pikërisht në këtë projekt në një hark kohor 6 vjeçar ia dolëm që vendin më të izoluar të Evropës ta anëtarësojmë në NATO. Ia dolëm që në një hark të shkurtër kohor me përpjekje, me reforma, me përkushtim ia dolëm që sot të lëvizim të lirë, në mbarë Evropën, pa viza.

Në këtë përpjekje të madhe, ne ia dolëm në një hark të shkurtër kohor, që Tropoja , Hasi, Kukësi, Përmeti, Peqini dhe në tërësi rrethet e vendit, të cilat gjashtë vjet më parë nuk kishin asnjë kilometër rrugë të asfaltuar, përveç akseve kryesore kombëtare, të kenë sot 9 mijë km rrugë të asfaltuara në mbarë vendin.

Në këtë projekt ne i dolëm që një hark kohor të shkurtër të dyfishojmë të gjitha pensionet e ulëta në mbarë fshatrat e vendit, të dyfishojmë rrogat e ulëta, të rrisim rrogat e mësuesve,mjekëve, infermierëve mbi 120 %.

Në këtë projekt ne ia dolën që një ekonomi e falimentuar të shndërrohet në një nga ekonomitë më dinamike në Evropë. Shqipëria është i vetmi vend në këtë kontinent që në 6 vite trefishoi eksportet, në 5 vite trefishoi investimet e huaja, duke marrë vitin e kaluar mbi 1 miliard dollarë investime.

Vëllezër dhe motra,

Rrugën nuk e kemi patur të lehtë, e kemi patur shumë të vështirë, dhe prapë bulevard nuk e kemi, por absolutisht mundimet, sakrificat e mëdha i kemi lënë prapa. Ata që përpiqen të na bllokojnë ne, në rrugën e zhvillimit, ata që përpiqen të na bllokojnë ne, në rrugën  e integrimit, ata që përdorin votën tuaj, pushtetin që ju u jepni, për tu bllokuar ju dhe fëmijët tuaj, do të marrin përgjigjen e merituar. Askush më mirë se shqiptarët nuk dinë tu japin përgjigjen atyre, që duan ti bllokojnë në rrugën e tyre. Asnjë socialist, asnjë pa parti nuk ka votuar dhe nuk voton kurrë që ligjet e integrimit të mos votohen në parlamentin shqiptar. Kjo nuk ndodh kurrë as në parlamentin e Beogradit, ku janë të ulur armiq të egër të progresit dhe të Evropës. Po përpjekjet për të penguar procesin e integrimit janë procese Don Kishoteske sepse ne, së bashku çdo ditë, çdo javë, çdo muaj po ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Ne jemi me një vrull të pandalshëm në këtë rrugë, ne jemi me një vizion të kthjellët si drita  e diellit, ne kemi energjinë e pashtershme të lirisë, vullnetin tonë të hekurt, për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndërtuar një të ardhme që meritojmë, për të begatuar familjet tona.

Të dashur banorë të bregut të Pacit, të komunës së Bytyçit,

Tropoja, Hasi, Shqipëria janë një nga vendet më të pasura në Evropë, në pasuri natyrore. Malet  e tyre kanë potencialet më të jashtëzakonshme turistike dhe ju garantoj ju se shumë shpejt rruga do të dalë në Padesh dhe Ujezë dhe se shumë shpejt edhe Alpet nga Kreshtat e Shalës deri kufijtë të Bogës dhe Rrugovës do të kenë kurorën e tyre, do të kenë unazën e tyre, në mënyrë që ato të mos i njohin vetëm banorët e Tropojës, të mos jenë vetëm vendet e legjendave, por ti njohin mbarë shqiptarët, ti njohë mbarë Evropa me bukurinë e tyre magjepsëse. Një perspektivë e jashtëzakonshme  e turizmit e pret këtë vend, e pret mbarë Shqipërinë. Malet e këtij vendi janë të mbushura me minerale, krom, nikel hekur,flori,platin dhe të gjitha mineralet e tjera, por mbitoka është gjithashtu pasuria më e madhe, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve ju këtu, ju bëj thirrje të gjithë banorëve të Tropojës, ju bëj thirrje të gjithë fermerëve shqiptarë, të mbjellin sa më shumë dru frutorë, të shkëputemi njëherë  e përgjithmonë nga koncepti, në kohën e të cilit mbillnim sa për veten tonë. Sot, ne jemi në tregun më të madh të botës, jemi në tregun e Evropës  dhe sot tregu është dhe do të jetë gjithnjë e mëi garantuar. Ndaj dhe zoti kryetar i komunës të bëjmë gjithçka për të ndezur pasionin për krijimin  e plantacioneve më të mëdha frutore, për krijimin e pyjeve drufrutorë.

Unë ju garantoj ju se qeveria do tu subvencionojë ju për çdo dru frutor që do të mbillni për të begatuar familjet tuaja. Ju jeni një zonë  mrekullueshme blegtorale, ne do të mbështesim fuqishëm blegtorinë tuaj. Ne do të bëjmë gjithçka për tu inkurajuar për të ndryshuar për mirë, jetën në familjet tuaja, për të rritur të ardhurat tuaja. Ne jemi të vendosur që këtu në Pac , ne Leniq, Zogaj, në Berishë dhe në çdo fshat të këtij rrethi dhe kudo në Shqipëri të ndërtojmë infrastrukturën njëlloj me lagjet e qyteteve të këtij vendi.

Natyrisht të tjerat i bëni ju vetë, njerëzit punëtorë. Ju do të ndërtoni me krahët tuaja , me djersën tuaj, me punën tuaj, familjet e begata shqiptare.

Në këto vite, ne kemi investuar këtu, në rrethin e Tropojës 120 miliard lekë, në rrugë, shkolla, kanalizime dhe po kështu në Has dhe në Kukës. Vitet që vijnë, ju jap fjalën ju se këto investime do të trefishohen, dhe sapo të përfundojmë projektin kombëtar të rrugëve, ne do të ndërtojmë për ju, do të ndërtojmë për fermerët shqiptarë sistemin më modern të vaditjes, në mënyrë që ju të vadisni me metodat më të mira dhe të merrni prodhimet më të mëdha, Sikundër një seri ujësjellësash po ndërtohen dhe ne jemi të vendosur ti përfundojmë në mënyrë që në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo shtëpi të ketë ujë të rrjedhshëm dhe mundësisht 24 orë.

Unë e di se megjithë investimet e mëdha, nevojat sërish janë të mëdha. Dje nga Visota një banor më çonte mesazh, kërkonte asfaltimin e rrugës që të çonte tek tyrbja e fshatit, njëri kërkonte asfaltimin e rrugës që të çonte fëmijët në shkollë dhe nuk ka kërkesë më të ligjshme. Unë vetë, ju e dini, e kam bërë shkollën duke ecur në këmbë çdo ditë 1 orë e gjysmë vajtje ardhje dhe ju e dini se sa mund i madh është për fëmijët tuaj të ecin në borë, të ecin në shi, në rrugë jo të mira dhe ky përbën një motiv shumë të madh për mua të bëj gjithçka që edhe ata të shkojnë në shkollë njëlloj si fëmijët  e qytetarëve evropianë, të shkojnë në shkollë njëlloj si fëmijët e qytetarëve shqiptarë që banojnë në qytete, ndaj dhe ne do të vazhdojmë së bashku këtë përpjekje për të ndërtuar infrastrukturën më moderne, në të katër anët e Tropojës, në të katër anët e Shqipërisë.

Duke bërë një thirrje opozitës që të heqë dorë nga bllokimi se të dënosh fëmijët e shqiptarëve për hir të karriges personale, apo të dënosh fëmijët e shqiptarëve se ty të kanë dënuar qytetarët e Tiranës, kjo është shumë amorale. Dua ti them se koha është të shohim përpara. Është shumë herë më mirë të ulemi dhe të miratojmë ligjet që kërkohen për integrim, se sa të shkruajë vëllimin e 4 apo të 5 të kujtimeve të Moisiut apo të ndonjë tjetri. Nuk ka ç’të bëjë, kur nuk shkruan njeri për të, do shkruajë ai për veten e tij.

Ndaj dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që projektin tonë Shqipëria e zhvilluar ta çojmë çdo ditë përpara, por nga ana tjetër integrimit në Evropë do të jetë proces dinjitoz për çdo shqiptar.

Shqipëria nuk mundet kurrsesi të tregohet me gisht si i varfëri i Evropës. Shqipëria është vendi më i bukur i Evropës, është vendi me pasuritë më të mëdha, Shqiptarët janë njerëzit më punëtorë. Asnjë komb, asnjë vend, në 20 vite nuk ka bërë atë që keni bërë ju, qytetarët e lirë të Tropojës dhe të mbarë Shqipërisë. Ndaj dhe njëherë dua tu falënderoj shumë për këtë pritje vëllazërore dhe tu garantoj se të gjitha projektet e paraqitura nga drejtuesit tuaj dhe ju vetë do të bëhen realitet, siç është bërë kjo rrugë, siç janë bërë  një seri veprash të tjera publike. Ne do të investojmë në çdo skaj të Tropojës dhe të mbarë Shqipërisë.

Për ne, kjo tokë, ky vend është i bekuar në çdo metër katror dhe ne jemi të vendosur ta qëndisim atë dhe ta bëjmë më të bukur se çe ka bërë Zoti.

Ju faleminderit!


28/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›