Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e punimeve të rrugës Kam – Golaj, një investim me vlerë 754 milionë lekë
Kryeministri Berisha u ndal sot në fshatin Golaj, në rrethin e Hasit, ku mori pjesë në përurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Kam – Golaj, segment i rrugës Bajram Curri – Has. Rruga, një investim me vlerë 754 milionë lekë, me gjatësi rreth 20 kilometra dhe gjerësi 4 metër, u vjen në ndihmë 8500 banorëve të fshatrave të kësaj zone dhe i lidh ata me Krumën. Asfaltimi i rrugës ka shkurtuar kohën e lëvizjes së këtyre banorëve, nga mbi dy orë udhëtim që ishte më parë, në njëzet minuta.
Gjatë viteve të fundit në qarkun Kukësit, Tropojës dhe Hasit janë investuar mbi 420 milion euro, janë ndërtuar 330 kilometra rrugë, 41 shkolla, 50 qendra shëndetësore, 33 ujësjellës/kanalizime, janë investuar 410 milionë lekë në bujqësi.
Duke shprehur kënaqësinë për inagurimin e kësaj rruge, një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, Kryeministri Berisha tha se brenda vitit që vjen përfundon rruga Krumë – Kukës, rruga Kukës – Peshkopi, inaugurohet unaza verilindore të vendit, e cila fillon në Valbonë, shkon në Librazhd, vazhdon me Ersekën, Kolonjën, Përmetin, Kardhiqin dhe Delvinën.
Kryeministri Berisha siguroi kryetarin e komunës Golaj dhe të gjithë qeveritarët vendorë të rrethit të Hasit se qeveria do të mbështesë, papërjashtim nga përkatësia partiake, çdo projekt që do të ndryshojë për mirë jetën e tyre.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur banorë të komunës Golaj,
Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe ju shpreh respektin e nderimin tim më të madh. Shpreh kënaqësinë që jemi sot këtu për të prerë shiritin e kësaj rruge prej 20 kilometrash që lidh fshatrat e kësaj zone me Krumën. Ne inaugurojmë sot së bashku këtë rrugë, një fjalë e mbajtur, një premtim të bërë realitet. Kjo rrugë ka një vlerë prej 754 milionë lekë dhe gjatësi rreth 20 kilometra. Këto vite qeveria ka investuar në infrastrukturën e rrethin e Hasit, Tropojës dhe Kukësit 420 milionë euro. Janë ndërtuar 330 kilometra rrugë, nga të cilat 210 kilometra rrugë kombëtare, 80 kilometra rrugë rajonale dhe 40 kilometra rrugë lokale. Janë ndërtuar 41 shkolla, 50 qendra shëndetësore, 33 ujësjellës e kanalizime. Janë subvencionuar 430 hektarë dru frutorë, janë rehabilituar sisteme vaditje në një seri fshatrash të kësaj zone. Por unë jam sot këtu për tu zotuar para jush se projektet e qeverisë që ju keni mbështetur do të vazhdojnë deri sa në çdo fshat të këtij rrethi të ngremë e të ndërtojmë të njëjtën infrastrukturë, të njëjtat rrugë, shkolla, kanalizime, kopshte me ato të qyteteve të vendit.
Brenda vitit që vjen përfundojmë në parametrat më të mira evropiane rrugën Krumë – Kukës. Brenda vitit që vjen inaugurojmë së bashku rrugën Kukës - Peshkopi. Inaugurojmë unazën verilindore të vendit, e cila fillon në Valbonë, shkon në Librazhd, vazhdon me Ersekën, Kolonjën, Përmetin, Kardhiqin dhe Delvinën. Ne së bashku do të ndërtojmë Shqipërinë vend i zhvilluar. Këto vite qytetarët shqiptarë kanë derdhur lumenj djerse, kanë ndërtuar disa herë më shumë vila e pallate seç janë ndërtuar në Shqipëri në të gjitha kohërat. Në projektin Shqipëria e zhvilluar ne ia dolëm së bashku që nga vendi më i izoluar që ishim dikur të jemi sot vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të kohërave. Ne ia dolëm së bashku që ju të lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Në projektin tonë të Shqipërisë evropiane ne ia dolëm të dyfishojmë pagat e pensionet, të dyfishojmë ndihmën ekonomike, ia dolëm që ky vend të ketë për vite me radhë rritjen më të lartë ekonomike në Evropë. Ia dolëm së bashku që eksportet e këtij vendi të dyfishohen në gjashtë vjet, që investimet e huaja të rriten me 316 përqind. Rrugën nuk e kemi patur të lehtë dhe të lehtë nuk do ta kemi, por e kemi patur e do ta kemi shumë të suksesshme dhe të sigurt.
Në rrethin e Kukësit, Hasit e të Tropojës Shqipëria ka potencialet më të jashtëzakonshme turistike. Nga Kroi i Bardhë e deri në Valbonë janë zonat turistike më mahnitëse të Evropës. Ju garantoj se një e nga një, nga Gjallica te Kroi Bardhë, në Pashtrik, në alpe ne do të shtrijmë infrastrukturën më të mirë në mënyrë që ato t’i njohin Shqiptarët, t’i njohë Europa, t’i njohë mbarë bota. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë tuaja të mëdha nëntokësore e mbitokësore të shndërrohen në vlera për familjet tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që ju këtu në Has, në Kukës, në Tropojë dhe në mbarë Shqipërinë të keni sistemin më të mirë të vaditjes. Ne ju bëjmë thirrje ju të vendosni me pasion dhe dashuri të madhe për Hasin Tropojën, Kukësin e Shqipërinë. Të mbjellim dru frutorë aq sa kurrë ndonjëherë se kemi menduar më parë. Të mbjellim qindra milionë dru frutorë dhe ta shndërrojmë Hasin, Tropojën, Kukësin e mbarë Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Evropës. Të mos harrojmë kurrë se ne të lirë duhet të kapim kohërat që kemi humbur dhe me shpejtësi të shndërrohemi në një vend të begatë, një vend të cilit Zoti i ka dhënë të gjitha pasuritë, një vend që pasurinë më të madhe ka njerëzit e tij, punëtorë e të ndershëm, njerëz të sakrificës, njerëz të solidaritetit familjar, njerëz të vizionit të shkëlqyer evropian.
Vëllezër e motra,
Krahas kësaj alternative, e cila qëndron në ndërtimin e rrugëve për çdo zonë, për çdo fshat, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, bahçeve, ndërtimin e sistemeve të vaditjes, është dhe alternativa e shpifjeve, e trillimeve, e kujtimeve të pensionit. Le t’i pyesim së bashku vëllezërit tanë socialistë këtu, në Has, në Tropojë, në Kukës, a votuat ju që t’ua përdorin votën për të bllokuar fëmijët tuaj, për të bllokuar Tropojën, Kukësin, Hasin dhe të gjithë Shqipërinë. Jo, kurrë nuk keni votuar për këtë. Por një gjë duhet tu themi këtyre Don Kishotëve, se në historinë tonë kemi patur të tillë. Kemi patur të tillë, kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë. Ata dilnin me flamuj të rreckosur – poshtë shkaba, rroftë baba! Dhe këta janë mbetjet e historisë. Kemi patur të tillë, kur shqiptarët mbushnin malet për të luftuar për liri, ata do të vendosnin diktaturën më të egër, më mizore, më barbare që Evropa ka njohur në historinë e saj. Po ku janë sot? Në koshin e historisë. Kemi patur të tillë, të cilët përdorin pushtetin e dhënë nga qytetarët shqiptarë për të bllokuar ligjet me 3/5 në Parlament. Po ku do shkojnë? Te paraardhësit e tyre do të përfundojnë.
Vëllezër,
Këtu nga Hasi dua tu çoj një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Tiranës. Asnjë moment mos harroni se ata e kanë merituar njëqind herë qenien kryeqytetas. Ishin ata të cilët i dhanë Haxhi Qamilit atë që meritonte. Ishin ata në krye të shqiptarëve që nxorën në pension politik Ramiz Alinë. Ishin ata, të cilët në maj të këtij viti, në krye të shqiptarëve, nxorën në pension politik Edi Ramën dhe i thanë - shkruaj memorie. Po vëllezër dhe tani i sëmurë nga virusi i Blushit po shkruan vëllimet e Moisiut. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë së bashku. Ju garantoj juve, zoti kryetar i komunës, por dhe të gjithë qeveritarët vendorë të rrethit të Hasit, papërjashtim nga përkatësia partiake, se qeveria do të mbështesë çdo projekt, i cili do të ndryshojë për mirë jetën tuaj. Do të bëjmë gjithçka që në çdo skaj të këtij rrethi burrat e gratë, vajzat e djemtë, të kenë infrastrukturë moderne evropiane. Do të bëjmë gjithçka që ju me mundin e djersën tuaj të mëkëmbni gjithnjë më shumë veten, familjen, Hasin dhe Shqipërinë.
Rroftë Hasi!
Rroftë Shqipëria!”
28/10/2011