E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret zotin Luca Volonte, anëtar i Parlamentit Italian dhe President i Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të KE

Kryeministri Berisha priti sot në takim zotin Luca Volonte, anëtar në Parlamentin Italian, si dhe President i Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe anëtar i Komitetit Presidencial të kësaj Asambleje. 

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e zotit Volonte, si dhe nënvizoi si arritje të rëndësishme zgjedhjen e zotit Jean-Claude Mignon si President të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në takim u diskutua për bashkërendimin e përpjekjeve në Asamblenë Parlamentare të KE në kuadër të  PPE-së.

Kryeministri vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës dhe u ndal në mënyrë specifike në kontributin që KE dhe institucionet e tij mund të japin, pas pranverës arabe, në vendet e Magrebit dhe të lindjes së afërme. Kryeministri nënvizoi se roli dhe marrëdhëniet e KE me këto vende, me të cilët Evropa ndan Mesdheun dhe një trashëgimi kulturore të rëndësishme, do të jetë tema e Presidencës së ardhshme shqiptare të Këshillit të Ministrave të kësaj organizate.

Kryeministri theksoi se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një horizont të ri shprese, lirie, demokracie dhe progresi dhe se vlerat e KE mund të shërbejnë si një model  për progresin demokratik të këtyre vendeve.  Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi rolin e madh që Italia, me prestigjin e saj, mund të luaj në këtë rajon.

Nga ana e tij, zoti Volonte e vlerësoi këtë temë, si me rëndësi të madhe në interes të Evropës dhe u ndal në kontributin që Shqipëria jep me modelin e saj unik të tolerancës fetare.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend. Kryeministri rishprehu gatishmërinë për bashkëpunim vullnetmirë me opozitën dhe të gjithë faktorët e tjerë në çuarjen përpara të procesit të integrimit evropian dhe reformave të nevojshme në këtë drejtim. Ai shprehu shpresën se i njëjti vullnet do të konkretizohet edhe nga opozita në mënyrë që vendi të përmbushë objektivat strategjik të integrimit evropian. 


27/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›