Kryeministri Berisha: Shqipëria dixhitale, është bulevardi i transparencës!
- Shqipëria dixhitale është leva e Arkimedit , për tu ndarë nga prapambetja që kemi trashëguar. Është rruga më e sigurtë, për të ecur dhe për të qenë të hapur ndaj qytetarëve, për të qenë të kontrolluar prej tyre, por dhe për tu ofruar atyre shërbimet në kohen më të shkurtër dhe më të mirë!
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e sistemit dixhital të informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, një investim me vlerë 1 milionë dollarë.
Ky informatizim bën të mundur që DPSHTRr do të jetë pjesë e GOV-netit dhe nëpërmjet këtij rrjeti bëhet marrja e Informacionit nga institucionet shtetërore si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, QKL, në kohë reale dhe i përditësuar me programet informatike bazë të mjeteve, taksave, gjobave të kontrollit rrugor, etj.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij shprehu përgëzimet për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve për punën e bërë, duke vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë, një drejtori shërbimi, me standarde bashkëkohore dhe modernë.
Kryeministri theksoi se me sistemin dixhital që inaugurohet sot, qytetarët e këtij vendi do të përfitojnë shërbimet më të mira, shërbimet më të shpejta dhe më transparente, disa prej të cilave on line në kohë reale dhe kjo përben një arritje për çdo qytetar shqiptarë dhe për vendin në tërësi. Por vendosja e këtij sistemi përben gjithashtu, theksoi kryeministri, një kontribut të madh në luftën kundër korrupsionit.
“Instalimi i sistemit dixhital në drejtorinë tuaj, përbën një mundësi të madhe për të shmangur, keqbërjen dhe trafiqet e automjeteve, të cilat përbëjnë një vepër të rëndë penale. Sot, çdo njëri që disponon makinë e tij, duhet të ndihet zot i saj dhe ky sistem ti krijon të gjitha këto mundësi” U shpreh kryeministri.
Krahas kësaj arritje kryeministri theksoi se e një rëndësie të madhe është edhe faza e testeve të patentës. Në këtë kontekst ai theksoi se duhet instaluar modeli më rigoroz dhe më transparent që ekziston. “Provat duhet të jenë provat më serioze, sepse ato dhe kanë të bëjnë me jetën. Duhet të bëjmë një përballje shumë planësh me këtë çështje jashtëzakonisht të dhimbshme, sepse janë jetë njerëzit dhe një nga ato më themeloret është rigoroziteti i dokumentit të drejtimin e makinës. Çdo qytetar i këtij vendi të marrë patentat, por njëkohësisht të dëshmojë aftësitë më të merituara të marrjes së saj” theksoi ai.
Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri u shpreh:
I nderuar zoti Ministër
I nderuar Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor
Të dashur punonjës dhe punonjëse të kësaj drejtorie
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju, drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, punonjësve të kësaj drejtorie.
Të përshëndes Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI-in), Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve. për këtë punë të shkëlqyer që keni bërë. Duke vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë, një drejtori shërbimi, në standardet më bashkëkohore, më modernë në çdo aspekt të saj.
Ndaj dhe keni falënderimin dhe mirënjohjen time. Të gjithë ata të cilët, ju përkushtuan këtij projekti, nga paraardhësi juaj, që me aq pasion e mori, tek drejtori i ri që e kurorëzoi me kaq sukses dhe i gjithë stafi dhe ekipi. Drejtoria juaj është një drejtori për shërbimet që ju ofron qytetarëve, e një rëndësie shumë të veçantë.
Së pari,me sistemin dixhital që ne inaugurojmë sot, qytetarët e këtij vendi do të përfitojnë shërbimet më të mira, shërbimet më të shpejta. Shërbimet më transparente, disa prej të cilave on line në kohë reale dhe kjo përben një arritje për çdo qytetar shqiptarë, për vendin në tërësi. Por vendoja e këtij sistemi përben gjithashtu, një kontribut të madh në luftën kundër korrupsionit. Dua të jemi të vetëdijshëm, se nuk ka asgjë më jetike për të ardhmen tonë, sesa lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe unë kam kënaqësi të theksoj progresin e mëdha, që kjo drejtori ka bërë si me dixhitalizimin e prodhimeve dhe tani me dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve.
Kjo është arritje madhe për të gjithë vendi, por nga ana tjetër, instalimi i sistemit dixhital në drejtorinë tuaj, përbën një mundësi të madhe për të shmangur, keq bërjen dhe trafiqet e automjeteve, të cilat përbëjnë një vepër të rëndë penale. Sot, çdo njëri që disponon makinë e tij, duhet të ndihet zot i saj dhe ky sistem ti krijon të gjitha këto mundësi.
Sistemi përben një hap të madh përpara në përpjekjen tonë, për të ngritur një sportel të vetëm unik për të gjithë qytetarët shqiptarë, faktikisht këtu, konfluojnë të dhëna dixhitale nga disa institucione të tjera. Në këtë mënyrë dora dorës ne do të shkojmë derisa të gjitha të dhënat të bashkohen në një sportel të vetëm dhe qytetari aty të gjejë çdo lloj shërbimi që ka nevojë ndaj kësaj administrate.
Projekti ka një meritë tjetër, është realizuar tërësisht nga ekipe vendase, jo se unë nuk jam për bashkëpunim, por këtë projekt për emergjence, e mori përsipër drejtoria në bashkëpunim me AKSHI-in dhe ja sot në një investim prej rreth 1 milion dollarë të bërë nga drejtoria e përgjithshme çka tregoi vullnetin e hekurt të saj, për të vendosur një standard të shkëlqyer në shërbimin ndaj qytetarëve, u bë realitet dhe kjo ka një vlerë dhe rëndësi të madhe, sepse për ne e kemi shpallur dhe e shpallim një nga drejtimet më themelore të kësaj qeverie, është Shqipëria dixhitale. Shqipëria dixhitale është leva e Arkimedit , për tu ndarë nga prapambetja që kemi trashëguar. Shqipëria dixhitale, është bulevardi i transparencës, është rruga më e sigurtë, për të ecur dhe për të qene të hapur ndaj qytetarëve për të qenë të kontrolluar prej tyre, por dhe për tu ofruar atyre shërbimet në kohen më të shkurtër dhe më të mirë.
Tani zoti Drejtori i Përgjithshëm dhe zoti ministër, mbetet dhe një fazë. Faza e testeve të patentës. Për atë unë kërkoj nga ju që të marrim shkollën më rigoroze dhe më transparente dhe ta instalojmë këtu. Investuat 1 milion dollarë, por ndërtuat një sistem të shkëlqyer, një sistem, i cili lehtëson në mënyrë të jashtëzakonshme veprimtarinë e qytetarëve.
Tani kemi një fazë tjetër të rëndësishme të provave, provat duhet të jenë provat më serioze, sepse këto kanë të bëjnë me jetën dhe kanë të bëjnë me jetën, në një vend ku tradita e drejtimit të automjetit është gjithsej 15-16 vjeçare, nuk është se nuk kemi pasur shofera, por gjithë automjetet e Shqipërisë, kanë qene 5-6 mijë. Pra qytetarët e këtij vendi nuk kanë trashëgimi në shprehinë e drejtimit të makinës, dhe plus disa faktorë të tjerë, na bëjnë ne, vend me numër të lartë aksidentesh.
Çka do të thotë, duhet të bëjmë një përballje shumë planësh me këtë çështje jashtëzakonisht të dhimbshme, sepse janë jetë njerëzit dhe një nga ato më themeloret është rigoroziteti i dokumentit të drejtimit të makinës dhe këtu kam besim tek ju, se ju do të merrni modelin më serioz dhe do të investoni dhe ne do të bëjmë të mundur, që çdo qytetar i këtij vendi të marrë patentat, por njëkohësisht të dëshmojë aftësitë më të merituara të marrjes së saj.
Dhe njëherë ju përshëndes dhe them se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme në historinë e transportit shqiptarë.
Faleminderit
27/10/2011