Kryeministri Berisha inauguron shërbimin elektronik e-Matura

Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, për të gjitha shërbimet e ofruara nga administrata publike dhe institucionet përfaqësuese të saj. Në këtë portal, qytetari apo biznesi do të gjejë informacione të detajuara mbi shërbimet qeveritare në përgjithësi dhe shërbimet elektronike në veçanti, siç është edhe aplikimi për maturantët, i cili është shërbimi i parë i integruar në këtë platformë unike të qeverisë shqiptare. Portali është vetëm ndërfaqja me qytetarin e një sistemi shumë të komplikuar, por edhe inovativ unik në karakterin e tij, ai i Interoperabilitetit të Sistemeve.
Në këtë sistem, të ngritur tashmë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nëpërmjet financimit të Bashkimit Evropian (BE), kanë nisur të lidhen dhe janë lidhur sisteme si Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, QKL, QKR, Matura Shtetërore, etj. Gjithashtu, në këtë portal, në vijueshmëri të sistemit të Interoperabilitetit do të publikohet edhe sistemi i “Gjurmueshmërisë”, i cili shumë shpejt do të bëjë të mundur gjurmueshmërinë e aplikimeve të qytetarit dhe biznesit, fillimisht për sistemet QKR, QKL dhe APP duke proceduar me sisteme të tjera në vazhdim.
Kryeministri Berisha u ndal në një kabinet të informatikës në këtë shkollë, u takua me maturantë dhe ndoqi nga afër se si ata mund të kishin akses edhe mund të aplikonin nëpërmjet këtij portali. “Pak vite më parë pranimet në universitete ishin panairi i korrupsionit. Së pari, në universitete pranoheshin jo më shumë se 1/5 e maturantëve dhe së dyti kryej batërdia nëpërmjet ndërhyrjeve. Sot ka zero ndërhyrje”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se “sistemi i vendosur garanton transparencën maksimale”.
Inaugurimin e këtij portali, Kryeministri Berisha e cilësoi të një rëndësie shumë të madhe për të gjithë vendin. “Janë rreth 340 shërbime shtetërore, qeveritare, të cilat do t’u ofrohen qytetarëve shqiptarë”, tha Kryeministri, duke shtuar se “ky do të jetë portali i One Stop Shop për të gjitha kërkesat dhe për të gjitha aplikimet e qytetarëve”. Kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka që edhe ato agjenci të cilat ende nuk janë online, të kompletohen shumë shpejt online. Kryeministri Berisha përgëzoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe punonjësit e saj që realizuan këtë punë të shkëlqyer, si dhe shprehu falënderime të përzemërta për financuesin, Bashkimin Evropian, i cili financoi realizimin e këtij projekti.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se “nuk do të lëmë përpjekje pa bërë, nuk do të lëmë projekt pa zbatuar që të kapim çatinë e botës sa i përket moshës dixhitale dhe në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin më të shpejtë, më transparent dhe të fitojnë kohën më maksimale”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se zhvillimi i teknologjisë së informacionit është një levë e fuqishme e zhvillimit ekonomik. “Është e faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se një përqindje e vogël e rritjes ekonomike përcaktohet nga zhvillimi i shoqërisë së informacionit. Të gjitha shërbimet e portalit e-Albania do të jenë të disponueshme në telefonin celular dhe në kompjuter. Qëllimi ynë është: katërvjeçari i ardhshëm, m-Albania. M-Albania, sepse telefoni celular është një kompjuter në xhep dhe është një lehtësi shumë e madhe”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se “do të bëjmë çdo gjë, do të krijojmë çdo kusht që studiuesit shqiptarë të dëgjohen në mbarë botën në fushën e ICT-së”. “Qëllimi kryesor është që Shqipëria të jetë një qendër e rëndësishme rajonale në teknologjinë e informacionit. Disa shqiptarë janë nga emrat e shquar në botë në ICT. Një prej tyre është Donald Leka, i cili ka paraqitur një variant të iPad-it, Glide OS dhe u rendit 1 nga 100 novatorët më të shquar në SHBA, vitin që e paraqiti. Ka edhe të tjerë që punojnë në qendrat më të avancuara të planetit në këtë fushë. Ju e dëgjuat që një shqiptare fitoi grantin më të madh në Evropë për studimin e saj në këtë fushë. Dhe këta janë të gatshëm të na ndihmojnë dhe të bashkëpunojmë. Të bëjmë që ashtu siç kemi mendjen, të mprehtë, brilante, edhe soft-et që do të hartojmë ne të njihen në mbarë botën”, u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij përshëndetëse, në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot ne inaugurojmë ofrimin e shërbimit të parë elektronik të Maturës Shtetërore, për të gjithë maturantët e vendit, në portalin e vetëm qeveritar e-Albania. Kjo përbën një ngjarje të madhe për të gjithë vendin, për maturantët e Shqipërisë, përbën një arritje të madhe në përpjekjen tonë për shoqërinë dhe Shqipërinë dixhitale. Në gjithë përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për tu renditur në vendet e zhvilluara, Shqipëria dixhitale ka një nga rolet më kryesore. Nuk mund të bëhet fjalë të jesh një vend i zhvilluar dhe njëkohësisht një vend i prapambetur në moshën dixhitale. Pak vite më parë ne përcaktuam si objektiv më madhor të politikës sonë Shqipërinë dixhitale. Ishte fillimi i vitit 2006. Përdorimi i internetit në shoqërinë tonë ishte ndër më të ulëtit në botë, gjithsej 4.8 përqind. Sa i përket përhapjes së kompjuterëve, në shkollat tona, në të gjithë sistemin tonë arsimor para-universitar, kishte gjithsej 70 kabinete informatike. Në një hark të shkurtër kohor, me një shpejtësi ndër më të lartat në botë, Shqipëria sot renditet afër dhe krahas disa vendeve të zhvilluara për sa i përket shoqërisë dixhitale. Përdorimi i internetit në Shqipëri është sot mbi 60 përqind. Pra është rritur me 13 herë, ndërsa kabinetet e informatikës janë rritur me 21 herë. Sot janë mbi 2000 në të gjitha shkollat e vendit. Sot ne bëmë inaugurimin e aplikimit të maturantëve, plotësimin nga ana e tyre të formularëve A1 dhe A1Z në portalin e qeverisë, e-Albania. Unë ju garantoj ju se, dora-dorës, në këtë portal qytetarëve shqiptarë do t’u ofrohen qindra e qindra shërbime të administratës shtetërore.
Unë isha dje në Divjakë. Një sipërmarrës më thotë: taksat i keni të ulëta, por e kemi të mundimshme procedurën e pagesës së tyre. Ishte kënaqësi për mua ta informoja atë, se ai, tani e tutje, taksat mund t’i paguajë nga celulari i tij. Një tjetër më tha se ka probleme me reagimin e administratës ndaj shqetësimeve të tyre. Ashtu është, nuk ankohej kot. Por çfarë po bën qeveria? Qeveria po ndërton sistemin e e-ankesës, e cila do të postohet nga e-mail, me sms, nga të katër anët e vendit dhe do të arrijë në kohë reale në destinacionin e saj. Natyrisht, kjo kërkon një qëndrim të ri të administratës, por jam shumë optimist për këtë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës,
Në vitin 2006 unë vizitova një shkollë. Në atë kohë ne kishim shprehur motivin Shqipëria dixhitale. Mësuesit i gjeta hezitues. Në një farë mënyre, mu duk se po më thoshin - po na shton një barrë plus. Por sot është në meritën e tyre më të madhe që ata janë trajnuar, kualifikuar dhe presin me kënaqësi programe të reja që të bashkëpunojnë me ju, nxënësit. Një përfaqësues i kompanisë Microsoft do të më informonte para pak ditës se në një program të veçantë kishin trajnuar 8 mijë mësues në Shqipëri. Kjo është doktrinë e ikonave dhe këtë mund ta mësoje çdo njeri. Ndaj nga kjo prerogativë jemi nisur ne dhe do të bëjmë gjithçka që internetin edhe kompjuterin ta përdorë çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Ndaj edhe ne para pak ditësh inauguruam një program tjetër, ku ofrojmë internet falas në 1250 pika. Do të bëjmë gjithçka që edhe ju që e merrni në shtëpi internetin, ta keni atë me çmime më të leverdishme.
Përdorimi i telefonisë celulare ka njohur një shumëfishim, nga 48 përqind në vitin 2006 është sot 187 përqind, një nga nivelet më të larta. Ne kemi për projekt të këtyre katër viteve m-Albania, Shqipëria mobile. Kjo, në mënyrë që qytetari të marrë të gjitha shërbimet nëpërmjet celularit, të kryejë të gjitha transaksionet nëpërmjet celularit të tij. Kam shumë besim që në vitet që vijnë, siç po ecim ne me shpejtësi, teknologjia e informacionit do t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë dhe të mbarë botës telefonat inteligjentë më të përshtatshëm. Gjatë takimit me maturantë, në një kabinet informatike, u tregova atyre që në një panair të hightech-ut, në Barcelonë, u paraqit një telefon celular, Tegra 4, me një shpejtësi të shumëfishtë krahasuar me iPhone 5. E sigurt është që kjo garë e ethshme e përmirësimit të teknologjisë do të sjellë dorë - dorës rënien drastike të çmimeve dhe do të bëj të mundur që këta kompjuterë të vegjël në xhep ti kenë të gjithë qytetarët.
Ne shoqërinë e informacionit e filluam me shkollat. Ne shoqërinë e informacionit, Shqipërinë dixhitale do ta vazhdojmë me shkollat. Do të bëjmë gjithçka. Ministri më informoi pak më parë se në shkollat e mesme ne kemi 8 kompjuter për 100 nxënës. Mesatarja evropiane është 10 kompjuter për 100 nxënës. Unë ju garantoj se ne do të bëjmë çmos të ecim mbi atë mesatare, do të bëjmë çmos që kompjuterët në jenë në çdo klasë, do të bëjmë çmos që platformat dhe teknologjitë më të mira të jenë në dispozicionin tuaj. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të angazhoheni në inovacion, në këtë fushë, e cila do të lartësojë gjithnjë e më lartë emrin e Shqipërisë dhe do të shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të ICT-së në rajon.
Përshëndetje të përzemërta.
Faleminderit!”
01/03/2013