Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të dëshmorëve të Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokaj

Kryeministri Berisha nderoi sot dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokaj, ish punonjës të Shërbimit Informativ, të rënë në krye të detyrës më 28 shkurt 1997, në Vlorë, në mbrojtje të Institucioneve shtetërore.
Kryeministri bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë trupave të tyre, të cilët me një ceremoni të veçantë do të përcillen më pas në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë. Besnik Hidri dhe Leka Qokaj janë dekoruar (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Shqiponjës së Arte” me motivacionin: ”Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim, dhënien e jetës në krye të detyrës”. Ndërsa, në vitin 2006 janë shpallur Dëshmorë të Atdheut me vendim të Komisionit të Posaçëm Qeveritar.
Kryeministri tha se i gjithë kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh, para këtyre dëshmorëve për qëndresën, trimërinë, dhe heroizmin e tyre, që me rënien në krye të detyrës fituan nderin dhe pavdekësinë:
Me respekt dhe mirënjohje për aktin e tyre heroik, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I gjithë kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para qëndresës, trimërisë, heroizmit të dy shërbëtorëve të shquar të tij, oficerëve të Shërbimit Informativ Kombëtar, Besnik Hidrit dhe Leka Qokaj që ranë në krye të detyrës për të fituar nderin dhe pavdekësinë.
Shqiptarët sot i përcjellin ata, në altarin, në varrezën e të rënëve të kombit. Me këtë akt bëhet një mbyllje morale e njërës prej skenarëve më të turpshme në historinë e këtij kombi, rebelimit komunist të vitit 1997, rebelim i cili i kushtoi vendit, jetë të shumta njerëzish, rebelim i cili solli në pushtet me dhunë ata që nuk e meritonin. Në rrafshin politik, rebelimi komunist i ’97-s u mbyll në mënyrën më dinjitoze nga qytetarët shqiptarë, të cilët bënë që ata që erdhën me dhunë të largohen me votë dhe ky ishte në dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Në rrafshin moral, heronjtë e shtetit dhe të kombit, sot përcillen me nderimet e merituara në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pra në tërësi, ndonjëherë vlerësimet, korrigjimet edhe mund të vonojnë, por ato nuk harrojnë. Mbetet natyrisht jetim i atyre që kryen këtë akt të shëmtuar, ndaj shërbëtorëve kaq të çmuar të kombit shqiptar.
Pyetje: Zoti Berisha, ky është ende një hetim i hapur, por dua tu drejtoj një pyetje, lidhur me ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë ku humbi jetën dëshmori Dritan Lamaj është publikuar një foto, e cila implikon disa nda drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit. Ndërsa përsa i përket këtij hetimi të 97-s, për dy dëshmorët e tjerë ende nuk është gjetur një autor. Do të pritet më që të ketë një autor për ngjarjet e 97?
Kryeministri Berisha: Për autorët politikë shqiptarët u shprehën (gazetari: po autoret penale?)Për probleme të tjera drejtësia vonon, por nuk harron kurrë. Për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj kam shprehur të gjithë vlerësimin dhe konsideratën time. Një gjë është e sigurtë që policia iu përgjigj flakë për flakë dhe më shpejt se kurrë identifikimit të autorëve të këtij krimi të shëmtuar. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme ka të gjitha mekanizmat për të zbardhur çdo të vërtetë rreth këtij krimi. Ata po punojnë dhe unë kam besim të plotë, për të zbardhur gjithçka rreth tij.
Gazetari: Fotoja nuk është një drekë apo darkë e gabuar?
Kryeministri Berisha: I nderuar zotëri, edhe njëherë e theksoj se ministria e brendshme ka të gjitha potencialet për të zbardhur çdo element rreth vrasjes në krye të detyrës të komisarit Dritan Lamaj.
Ju faleminderit!
28/02/2013