Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm të Microsoft Europe, zotin Jan Muehlfeit

Zoti Muehlfeit e falënderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e deritanishëm dhe të suksesshëm të qeverisë shqiptare me Microsoft Corporation, në kuadër të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik, si dhe për mbështetjen që qeveria shqiptare ka dhënë ndaj Microsoft në realizimin me sukses të shumë projekteve të rëndësishme për zhvillimin e teknologjisë në vend, një prej të cilëve është ngritja e qendrës së Inovacionit ProTIK.
Në këtë kontekst, Zoti Muehlfeit shprehu dëshirën për vijimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, nëpërmjet rinovimit të mëtejshëm të kësaj marrëveshje, me synim zhvillimin me ritme të shpejta të inovacionit në Shqipëri. Zoti Muehlfeit e konsideroi si një arritje për qeverinë shqiptare zhvillimin e shërbimeve të hostuara (cloud computing), si dhe ndërtimin e Qëndrës së të dhënave qeveritare. Zoti Muehlfeit i propozoi Kryeministrit Berisha përfshirjen e Shqipërisë në iniciativën globale “YouthSpark”, e ndërmarrë nga Microsoft, e cila në synon punësimin e 300 milion njerëzve në të gjithë botën nëpërmjet ICT, duke i dhënë në këtë mënyrë, një mundësi më shumë të rinjve shqiptarë për tu punësuar nëpërmjet teknologjisë.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Microsoft Europe, zotin Jan Muehlfeit për ndihmën dhe konsulencën që gjiganti i teknologjisë “Microsoft” ka dhënë për zhvillimin e ICT, në tërësi, si dhe në disa fusha specifike si arsimi, shëndetësia, etj, në kuadër të bashkëpunimit për iniciativën “Shqipëria dixhitale”. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, si dhe për zhvillimin e axhendës dixhitale në Shqipëri.
Kryeministri e njohu zotin Muehlfeit me projektin e radhës së kësaj axhende për 4 vitet në vijim, i cili do të jetë M-Albania (Shqipëria mobile). Kryeministri tha se shumë shpejt qeveria do ti hapë rrugën kompanive celulare 3G në Shqipëri që të implementojnë teknologjitë 4G në frekuencat aktuale, duke sjellë kështu një risi për përdoruesit shqiptarë. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se ndonëse Shqipëria ndodhet në fillimet e saj për sa i përket inovacionit dhe kërkimit shkencor, ajo i ka të gjitha potencialet për tu bërë një superfuqi rajonale për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Zoti Muehlfeit e përgëzoi Kryeministrin Berisha për vizionin e tij dhe për strategjinë e Shqipërisë për sa i përket axhendës dixhitale. Ai garantoi se Microsoft do të mbështesë qeverinë shqiptare për të ndërmarrë inisiativa, për të përparuar tregun e programimit si dhe për të zhvilluar talentet në fushën e teknologjisë.
27/02/2013