Kryeministri Berisha priti prof. Deborah Fein, neuropsikologe klinike, e mirënjohur për hulumtimet dhe botimet prestigjioze në fushën e autizmit

Prof. Fein me ekipin e saj, së fundmi, bazuar në studimin e bërë në një grup fëmijësh që vuajnë nga autizmi, kanë konkluduar se fëmijët që janë diagnostikuar me autizëm në fëmijërinë e hershme dhe janë trajtuar, kanë vijuar më pas sikurse edhe fëmijët e tjerë në klasat e tyre në shkollë. Ky studim, me një jehonë të madhe jo vetëm në shtypin profesional, është konsideruar si një nga zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit në këtë fushë.
Prof. Fein u shpreh se ishte shumë e impresionuar nga puna dhe rezultatet me fëmijët me autizëm këtu në Shqipëri, si dhe aktiviteti i gjerë e konkret i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë në këtë drejtim. Ajo vlerësoi se qendra për autizmin në Tiranë është një qendër ekselence dhe e suksesshme, ku punohet jo vetëm me fëmijët, por edhe me prindërit, si dhe është një model për t’u marrë shembull nga shumë vende.
Duke vlerësuar rezultatet shumë të mira të arritura në një kohë të shkurtër, krijimin e një rrjeti në Shqipëri, ky grup i njohur studiuesish dëshirojnë ta shtrijnë studimin e tyre në depistimin dhe identifikimin sa më të hershëm të fëmijëve me autizëm edhe këtu. Një pjesë e studimit të tyre do të jetë edhe trajnimi i prindërve, sipas një modeli të ri të punuar prej tyre.
Kryeministri Berisha e falënderoi prof. Fein për ardhjen dhe për mbështetjen e saj. Ndërsa vlerësoi studimin e saj, Kryeministri u shpreh se është një arritje shkencore dhe shpresë, jo vetëm për fëmijët e prindërit e tyre, por edhe vlerë për shoqërinë.
Kryeministri shprehu falënderime për mbështetjen e madhe të “Autism speaks” dhe e njohu dr. Fein me punën e bërë, veçanërisht në vitet e fundit. “Autizmi, - u shpreh Kryeministri, - dikur ishte i panjohur jo vetëm nga popullata, por dhe në rrethet mjekësore”. Më tej, Kryeministri theksoi se në saj të punës së madhe, këmbëngulëse, veçanërisht të Fondacionit, është bërë e mundur që rastet me autizëm të diagnostikohen në mosha të hershme e të marrin trajtimin e duhur në qendra të specializuara, të cilat janë shtrirë dhe në qytetet e mëdha të vendit. “Sot, - vijoi Kryeministri, - është bërë e mundur që prindërit të jenë të ndjeshëm, të sensibilizuar, të flasin lirshëm e të kërkojnë ndihmë të specializuar kur ky problem prek fëmijën e tyre".
“Duke qenë se diagnostikimi, trajtimi i hershëm e i përshtatshëm ndihmojnë për të mbështetur fëmijët në arritjen e potencialin e tyre të plotë, - Kryeministri theksoi, - është domosdoshmëri që sistemi ynë shëndetësor të ketë përgatitjen e duhur”.
Kryeministri Berisha siguroi, gjithashtu, për mbështetjen e qeverisë, si dhe vlerësoi, ndër të tjera, edhe rolin pozitiv të medias.
27/02/2013