E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha informoi sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se do të nisë së shpejti ndërtimi me koncesion i 17 hidrocentrale nga 2 deri në 10 megavat. Këshilli i Mi

Kryeministri Berisha informoi sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se do të nisë së shpejti ndërtimi me koncesion i 17 hidrocentrale nga 2 deri në 10 megavat.

Këshilli i Ministrave miratoi një paketë vendimesh për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve. Pas miratimit të këtyre vendimeve, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të fillojë procedurën për ndërtimin, me koncesion, të formës "BOT" të tyre.

Kryeministri e vlerësoi vendimin një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së situatës energjetike në vend.

Rezervat ujore të Shqipërisë, sipas ekspertëve, përllogariten në mbi 15 miliard kilovat/orë, ndërkohë që shfrytëzohet relativisht 1/3 e tyre. Në këtë drejtim, rezervat ujore të vendit dhe shfrytëzimi i tyre, theksoi Kryeministri, do të jenë një objektiv madhor i qeverisë. Duke risjellë në vëmendje se energjia është dhe mbetet përparësia më madhore për vendin, Kryeministri siguroi se qeveria është e angazhuar gjithashtu edhe në ndërtimin e një serie termocentralesh.

Duke folur për këtë hap të rëndësishëm në fushën energjetike, Kryeministri bëri këto komente:

"Mbledhja mbahet në një ditë feste popullore, por ajo përmban në agjendën e saj elementë realisht festive për ekonominë shqiptare. Sot ne miratojmë vendimin për 17 hidrocentrale nga 2 deri në 10 megavat. Kjo përbën një eveniment të rëndësishëm në kuadrin e partneritetit publik privat.

Menjëherë pasi qeveria dh parlamenti miratuan ligjin e ri të koncesioneve apo partneritetit publik privat dhe vendimin e qeverisë për rregullat e vlerësimit dhe dhënies së koncesioneve, ekipet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u vunë në punë dhe shqyrtuan projektet e paraqitura nga një seri kompanish shqiptare, që kanë edhe bashkëpunimin dhe ekspertizën ndërkombëtare. Ndër këto projekte me shtrirje në të katër anët e vendit, citoj hidrocentralin e Tervolit,Çarshovës, Egnatias, Qytezës, Vlushës, Lengaricës 1 dhe 2, Verbës, Mesmal dhe Velçanit, Lura 1, Lura 2, Lura 3, Strelca 1, Strelca 2 dhe Strelca 3. Këto 17 hidrocentrale janë seria e parë e pasurive tona ujore që hidhen në treg, pas miratimit të ligjit të koncesioneve. Në përputhje me këtë ligj, kërkuesit e parë të tyre kanë meritën dhe vlerësimin e 10 për qindëshit, por natyrisht procedura duhet të jetë transparente. Pas këtij vendimi, Ministria e Ekonomisë do të shpallë tenderat në një periudhë kohore deri në 50 ditë, është në autoritetin e ministrisë ta përcaktojë këtë. Grupe të tjera do të kenë të drejtën të paraqesin projekte konkurruese për këto burime ujore të çmuara. Komisioni i vlerësimit të ofertave do të bëjë në krye të afatit shqyrtimin e tyre, do të shpallë fituesit dhe kompania fituese fillon ndërtimin.

Së shpejti ne do të rishqyrtojmë për të vendosur në ligj edhe rreth 17 vepra të tjera të tilla të prodhimit të energjisë, të cilat për shkak të defekteve apo arsyeve të ndryshme nuk u zbatuan. Seria e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla deri në 10 megavat është e gjatë, e cila në mbarë vendin përfshin disa qindra. Leverdia e tyre ekonomike është e jashtëzakonshme. Unë dua të garantoj investitorët shqiptarë dhe të huaj se Korporata Energjetike Shqiptare me ligj do të blejë energjinë që ata prodhojnë, me një çmim të shpallur që sot dhe që askush nuk do të mund të lëvizë me të. Ky çmim do të përcaktohet si mesatarja e çmimit të importit një vit më parë. Ky është një çmim i leverdisshëm, i ndershëm dhe që do t'u respektohet ndërtuesve të hidrocentraleve.

Nga ana tjetër, qeveria merr përsipër, në përputhje me ligjet e vendit, pagesat për shpronësimin e vendvendosjes së digave. Natyrisht kjo është një marrëdhënie kontraktuale midis qeverisë dhe ndërtuesit, që do të thotë se ndërtuesi dhe pronari i koncesionit do ta shlyejë këtë me energji, ose me para pas hyrjes së veprës së tij në përdorim.

Rezervat ujore të Shqipërisë janë shumë të mëdha. Ekspertët e ujërave të vendit i kanë përllogaritur ato në mbi 15 miliard kilovat/orë, ndërkohë që është shfrytëzuar relativisht 1/3 e tyre. Rezervat ujore të vendit dhe shfrytëzimi i tyre do të jenë një objektiv madhor i qeverisë. Në rast se kemi plane shumë ambicioze për kompletimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, jo më pak ambicioze janë ato për kaskadat e Vjosës, Devollit dhe lumenjve të tjerë të vendit. Këto ditë është vendosur dhe është ngritur grupi i punës për rishqyrtimin e kontratës për hidrocentralin e Kalivaçit. Dua t'ju informoj se kompania ka rënë dakord me këtë shqyrtim dhe se Deutche Bank, nga më të mëdhatë në botë, ka marrë përsipër pjesëmarrjen dhe financimin e këtij hidrocentrali. Po ashtu po lëvizet me shpejtësi me Bushatin. Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) është kontraktuar nga Ministria e Ekonomisë si konsulent kryesor i disa koncesioneve të mëdha. Një prej tyre, ndër më të shpejtat, është hidrocentrali i Bushatit. Kompani shumë serioze nga vendet me traditë të madhe në hidrocentrale si Austria, Norvegjia dhe vende të tjera kanë treguar interes të madh për kaskadën e Devollit. Po kështu një rishqyrtimi tërësor do t'i nënshtrohet kaskada e Vjosës, për të përzgjedhur format më racionale të shfrytëzimit të saj.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje për shfrytëzimin sa më racional të kësaj pasurie ujore përrallore që ka vendi. Por absolutisht nuk do të qëndrojmë në varësi të saj. Ne jemi të angazhuar në ndërtimin e një serie termocentralesh, në mënyrë që thatësira dhe moti të mos mund të cenojnë furnizimin me energji të vendit. Ne jemi zotuar për furnizimin me energji 24 orë të qytetarëve shqiptarë deri në fund të vitit 2007. Pavarësisht nga kushtet e një thatësire ekstreme të paregjistruar në memorien e kohërave në këtë vend, ne do të bëjmë çdo përpjekje të përmbushin zotimin tonë. Drejtori i ri i KESH-it është emëruar me tre misione kryesore: energji 24 orë; privatizim i shpërndarjes dhe mirëmenaxhim i kësaj Korporate. Kjo është kontrata e tij me qeverinë dhe këtë kontratë ai është i autorizuar që ta vendosë me të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e Korporatës.

Shumë shpejt ne qeveri do të vijnë vendime të rëndësishme për prodhimin e energjisë elektrike, për të hapur siparin e ndërtimit të disa termocentraleve të fuqishme në Shqipëri. Energjia është dhe mbetet përparësia më madhore për këtë vend.

Dua të falënderoj të gjithë inxhinierët, sipërmarrësit shqiptarë, punonjësit e Ministrisë së Ekonomisë dhe ministrive të tjera, të cilët koordinuan dhe bënë të mundur këtë, që do të vazhdohet dora dorës me paketa të rëndësishme në investimet në fushën e energjisë ujore, energjisë së rinovueshme dhe formave të tjera."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›