Sot pasdite, Kryeministri Berisha vizitoi në Spitalin Ushtarak, djaloshin 12 vjecar të mbijetuar nga aksidenti i djeshëm në zonën e Dukagjinit. Kryeministri u interesua për shëndetin e tij
Sot pasdite, Kryeministri Berisha vizitoi në Spitalin Ushtarak, djaloshin 12 vjecar të mbijetuar nga aksidenti i djeshëm në zonën e Dukagjinit.
Kryeministri u interesua për shëndetin e tij dhe siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që ky fëmijë dhe dy të mbijetuarit e tjerë të rehabilitohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos kenë pasoja nga ky aksident i rëndë.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta, për familjarët e të humburve në këtë aksident tragjik, Kryeministri siguroi se qeveria do tu gjendet pranë në këto ditë të vështira, për ti ndihmuar ata materialisht dhe në të gjitha mënyrat, për ta kapërcyer dhe përballuar me dinjitet, këtë fatkeqësi.
Më tej, Kryeministri u shpreh:
"Në rradhë të parë dëshiroj t'i uroj shërim të shpejtë, tre të lënduarve, që mbijetuan nga ky aksident shumë i rëndë.
Do të bëjmë cdo përpjekje që shëndeti i tyre të ripërtërihet, të rimerret dhe të mos kenë pasoja nga ky aksident i rëndë, sikundër dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta, të ndaj dhimbjen, pikëllimin me të gjitha familjet e tjera, për njerëzit e dashur që humbën në këtë aksident, një ndër më të mëdhenjtë të regjistruar në vendin tonë.
Uroj që të mblidhen forcat për të përballuar këtë dhimbje të madhe, sikundër i siguroj se qeveria do të qëndrojë praënë tyre, për ti ndihmuar ata materialisht dhe në të gjitha mënyrat që këtë mort të rëndë ta kapërcejnë dhe ta përballojnë me dinjitet.
Dua të përgëzoj të gjithë ata qytetarë, dua të përgëzoj forcat e rendit në Shkodër, dua të përgëzoj polumbarët, të cilët u angazhuan në një operacion të rrezikshëm , të pandërprerë për të nxjerrë trupat e mbetura në thellësitë e Kirit dhe për ti nisur ata pranë familjeve të tyre.
E përsëris edhe njëherë se ka qenë një aksident shumë i rëndë por që edhe mobilizimi ishte maksimal nga të gjitha hallkat e qeverisë në mënyrë që kjo fatkeqësi të mund të përballohej bashkërisht me familjet."