E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha bëri të ditur gjatë një konference për shtyp ndryshimet në kabinetin qeveritar. Fillimisht Kryeministri bëri këtë deklaratë: "Jam sonte para jush pÃ

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha bëri të ditur gjatë një konference për shtyp ndryshimet në kabinetin qeveritar. Fillimisht Kryeministri bëri këtë deklaratë:

"Jam sonte para jush për tju paraqitur ndryshimet e kabinetit të realizuara pas konsultimesh të gjera dhe miratimit në përputhje me statutin nga kryesia e Partisë Demokratike. Kam kënaqësinë tju informoj se janë nisur tek Presidenti i Republikës propozimet që vijojnë:

Në detyren e Zëvendëskryeministrit emërohet zëdhenësi i Partisë Demokratike, deputeti i kësaj partie, inxhinieri i talentuar Gazmend Oketa. Zoti Oketa është deputet dhe intelektual që përfaqëson me dinjitet Durrësin dhe Partinë Demokratike. Zoti Ilir Rusmali, i cili ka mbajtur deri tani postin e Zëvendëskryeministrit, njëri nga bashkëpunëtorët e mi më të afërt dhe më të çmuar, ngarkohet me detyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe do të mbajë gjithashtu marrëdhëniet institucionale të qeverisë me parlamentin.

Zonja Majlinda Ajazi (Bregu) emërohet në detyrën e Ministres së Integrimit dhe e zëdhënëses së Këshillit të Ministrave. Në praktikën e shumë qeverive detyra e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave i ngarkohet njërit prej ministrave. Zonja Bregu ka të gjitha cilësitë për të përmbushur si detyrën e parë të Ministres së Integrimit, kryetare e delegacionit shqiptar e akredituar pranë Parlamentit Evropian, ashtu dhe dhuntinë e saj të shquar mediatike tashmë të njohur.

Në detyrën e Ministrit të Brendëshëm emërohet deputeti i Partisë Demokratike, zoti Bujar Nishani, një nga personalitet e shquara të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, njeri me formim tërësisht të përshtatshëm në fushën e sigurisë, i graduar në kolegjet më të mira të SHBA-ve, në master për çështje të sigurisë kombëtare.

Në detyrën e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ngarkohet zoti Ylli Pango, deputeti aktiv dhe një nga personalitet më të shquara të PD-së.

Në detyrën e Ministrit të Shëndetsisë, në përputhje me marrëveshjen e koalicionit, ngarkohet kryetari i Partisë Demokristiane, deputeti Nard Ndoka.

Unë gjithashtu shfrytëzoj rastin për tju shprehur mirënjohjen e thellë, respektin e madh ministrave që, për shkak të këtij ndryshimi, lënë detyrën. Ata e lënë atë me nder dhe dinjitet. Ju jeni dëshmitar më shumë se kushdo tjetër se ata i lënë zyrat duke shërbyer me pastërti, me korrektesë dhe përkushtim, duke marrë natyrisht detyra të rëndësishme në parti.

Partia Demokratike do ti nënshtrohet një ristrukturimi dhe një ridimensionimi të thellë. Dua të falenderoj mikun tim të rinisë, zotin Maksim Cikuli dhe jam i sigurtë se do të vazhdoj bashkëpunimin me të. Dua të falenderoj zonjën Trashani për ndihmesën e rëndësishme që ka dhënë. Jam i sigurtë se kemi një rrugë të rëndësishme për të bërë bashkë në parti. Dua të falenderoj zotin Aldo Bumci, i cili merr gjithashtu një detyrë të rëndësishme në PD. Zoti Bujar Leskaj shkon gjithashtu në një detyrë vërtetë të rëndësishme në organizimin e partisë.

Këto ishin ndryshimet e qeverisë, të cilat i dërgohen Presidentit. Eshtë një vendim në përputhje me Kushtetutën dhe ka afatet e tij. Më pas nga Presidenti do të kalojnë në parlament për miratim."

Më pas, Kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Pyetje: Emri i Nard Ndokës është kritikuar mjaft për postin e Ministrit të Shëndetësisë edhe nga vetë zoti Cikuli. Keni ndonjë koment?

Kryeministri: Kësaj pyetje do t'i përgjigjem me një ndodhi nga jeta ime. Në udhëtimin tim të dytë jashtë shtetit, shkova për specializim në një klinikë të Parisit dhe që në javën e parë dy nga gjërat mbresëlënëse për mua ishin takimi me Ministrin e Shëndetësisë së Francës, i cili u ndodh aty për të vizituar klinikën. Ai nuk ishte mjek. Sërish, po në atë spital më lidhi puna për një procedurë me drejtorin e spitalit dhe ishte një zonjë, e cila nuk ishte mjeke. Me këtë dua të them se ministrat janë poste politike, janë misione dhe nuk janë ekspertizë. Ekspertët janë të tjerë, ndërsa postet politike janë të tjera.

Pyetje: Është folur për ndarjen e energjetikës nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe për kalimin e saj në një agjenci në varësi të kryeministrit. Cili është komenti juaj?

Kryeministri: Një gjë është e sigurt që Kryeministri ka ndërmend që edhe agjenci të tjera që varen prej tij t'ua kalojë ministrive. Nuk më duket e dobishme varësia e agjencive në Këshillin e Ministrave. Kanë qenë 20 agjenci në varësi, tani janë bërë 11 dhe po shqyrtojmë mundësinë që ky numër të reduktohet. Ky është koncepti im.

Pyetje: Pavarësisht lëvdatave që ju i bëtë ministrave që mbeten jashtë kabinetit, a mund të na thoni se çfarë prisnit ju më tepër, ose se çfarë nuk është arritur të paktën në drejtësi ose në Ministrinë e Integrimit, sepse fakti që ju bëni ndryshime do të thotë se kërkoni të bëni diçka më mirë apo jo?

Kryeministri: Stadet paraqesin kërkesa të reja. Nuk mund t'i qortoj ata, nuk mund ta qortoj zonjën Trashani që së bashku firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nuk mund të qortoj zotin Aldo Bumçi, i cili largohet me dinjitet, pavarësisht nga ndërfaqja me institucionet, siç është ai i Prokurorit të Përgjithshëm, më i korruptuari në planet. Ndryshimet janë ndryshime, stadet janë stade, ridimensionimet janë ridimensionime, por unë nuk mund të mohoj për asnjë çast meritat, punën dhe kontributin e çdo njeriu. Ky është qëllimi im.

Pyetje: Zoti Berisha sa kanë ndikuar rezultatet e 18 shkurtit në këto ndryshime, sepse përveç zotit Ndoka që ka qënë i paralajmëruar për të hyrë në qeveri, a kanë qenë të parashikuar 5 të tjerët ?

Kryeministri: Eshtë njoftuar qartësisht që do të bëhen ndryshime në qeveri. Zgjedhjet e 18 shkurtit shënojnë një fitore plebishitare të koalicionit qeveritar. Për herë të parë në historinë e një vendi, një grup mediash vihen në garë për të krijuar pseudo të vërteta, për të trilluar pseudorezultate, për të deformuar të vërtetat e mëdha të një vendi dhe të një kombi. E vërteta absolute është se koalicioni qeveritar në zgjedhjet e 18 shkurtit, për të gjithë ata që votës i thonë politikë dhe e konsiderojnë votën politike, mori 53.4 për qind të votave të qytetarëve shqiptarë. Ata që shqiptarët nuk i ndajnë në eskimezë dhe evropianë, ata, të cilët i njohin shqiptarëve barazinë përpara votës dhe nuk bëhen mercenarë të shpifjes dhe trillimit dhe fyejnë çdo ditë qytetarët shqiptarë, duke i quajtur elementë gjeografikë apo shprehje gjeografike, cilësime raciste të njerëzve me një background sipërfaqësor të mjerë, të pseudo intelektualëve që janë larg të vërtetave me vite drite dhe që flasin sipas xhepit të atyre që ia mbush, mund të flasin për rezultate të ndryshme, por rezultatet janë këto. PD dhe aleatet e saj kanë një diferencë dy shifrore në votën politike të qytetarëve shqiptarë, e cila është vota partiake në zgjedhjet lokale. Për kohë të tëra kundërshtarët tanë nëpërmjet zëdhënësve të mashtrimit u shprehën se kemi proporcionalen. Por proporcionalja është shumë më e thellë sesa rezultati i maxhoritarit. Për ata që iu ndajnë në eskimezë dhe evropianë, në përputhje me ideologjinë raciste të ideologut të Partisë Socialiste rezulton se në të gjitha qytete e vendit të marra së bashku, Partia Demokratike ka marrë 6 % vota më shumë se koalicioni i majtë dhe këto janë shifrat e KQZ, jo të PD. Për ata të cilët kanë një koncept mbi parlamentet vendore, PD dhe aleatët e saj kanë marrë 147 këshilltarë më shumë në qytetet e vendit, sesa koalicioni i majtë. Këto janë të vërtet absolute të këtyre zgjedhjeve. Është e vërtetë që në Tiranë dhe disa qytet të mëdha PD nuk ka fituar, por është e vërtetë se zgjedhjet u damkosën nga Tirana. Në qoftë se këto zgjedhje kanë marrë damkë, kanë marrë nga Tirana për të gjithë ata që kanë lirinë, që lexojnë raportin e ODIHR-it si njerëz të lirë, si qytetarë të lire dhe jo të ngërthyer nga xhepi apo rripi i pantallonave, për të gjitha ata që lexojnë raportin e ODIHR-it, del se ishin zyrat e gjendjes civile, ishin trajtimi që ju bë qytetarëve të Tiranës, ishin skenat e Kombinatit ato që ju vunë një damkë zgjedhjeve, por të cilat fatmirësisht nuk i kishte në dorë qeveria, sepse në rast se do të ishte qeveria përgjegjëse, do ishte shumë më keq për vendin.

Qeveria faktoi para të gjithë shqiptarëve dhe botës se nuk ka pasur as përpjekjen më minimale për të ndryshuar rezultatin dhe në këtë kontekst, ato ishin absolutisht të lira. Opozita në Tiranë dha shembullin më të keq. Unë sërish e them se ana më negative do të ishte nëse atë shembull do ta jepte qeveria.
Kështu që këto janë zgjedhjet, kurse me zgjedhjet, në Korçë, Elbasan Durrës, PD-ja dhe koalicioni qeveritar është shumicë politike. Durrësi dhe Elbasani janë në gjykim, por ka humbur Korçën, sikundër PD ka pranuar me të gjitha këto humbjen në Tiranë. Ndaj dhe po të jetë për rezultate, rezultatet janë votim plebishitar për reformat e qeverisë dhe qeverinë. Ka një problem në disa qytete të cilat janë ndikuar nga një problem faktorësh, plotësisht të korrigjueshëm dhe ne po punojmë për të adresuar në secilin prej tyre energjinë me të gjitha mundësitë. Nuk mund të ketë dyshim se mungesa e energjisë godet më shumë qytetin se fshatin, godet më shumë qytetin e madh se qytetin e vogël, nuk mund të jetë më shumë se disa nga reformat siç janë kthimi dhe kompensimi i pronave, procesi i legalizimeve, i të përndjekurve politikë, janë më shumë përqendrime në qytete të mëdha sesa në zona të tjera, por këto janë procese në zgjidhje e sipër. Nuk dua të them se PD-ja, si strukturë, ka problemet e veta të cilat do ti adresojë. Por, në qoftë se zoti Rama humbi Shqipërinë dhe fitoi Tiranën, ne jemi të kënaqur me fitoren tonë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, mund të na thoni se mbi çfarë kriteresh u ndalët që zgjodhët zëvendëskryeministër zotin Oketa, që është një nga deputetët e Durrësit dhe në karrierën e tij si zëdhënës i PD-së deklaratën e tij më e fortë ka konfirmimin e zotit Topi si kandidaturë e maxhorancës për president?

Kryeministër: Së pari, nuk është vetëm zoti Oketa, por është edhe zoti Berisha ai që mbështet kandidaturën e zotit Topi për president të republikës. Meqenëse në një rast të vetëm fola pa praninë e medias, po riprodhoj para jush atë bisede. Mendoj se presidenti i republikës duhet të jetë një figurë me popullaritet dhe integritet të madh, i sigurt se realizon realisht dhe jo forcërisht mirëkuptimin më të gjerë. Personalisht në politikën shqiptare nuk njoh ndonjë politikan më gjerësisht të pranueshëm për detyrën e presidentit sesa zotin Topi, me cilësitë e një politikani të sprovuar prej vitesh në politikë, një përfaqësues i Tiranës autoktone, që, duhet ta pranojmë, është edhe palca e kryeqytetit. Po në atë ekspoze unë theksova se jam me vonesë, por për të ardhmen mund të shqyrtohet mundësia e zgjedhjes së presidentit nga populli. Këtë e deklarova në mënyrë absolute pa asnjë qëllim tjetër përveçse duke e gjykuar si interes madhor publik. Një eksperiencë të tillë e kanë shumë vende postkomuniste si Bullgaria, Maqedonia, Polonia dhe vende të tjera. Dua të qartësoj se kjo nuk nënkupton aspak shtimin e kompetencave dhe as kalimin në formë presidenciale. Të gjitha vendet që citova më lart janë republika parlamentare. Nëse shikoni kushtetutat e këtyre vendeve, mund të rezultojë se presidenti i Shqipërisë mund të ketë kompetenca më shumë se ato. Në Shqipëri, kjo do të bënte që ky post kaq i rëndësishëm për vendin të mos mbetej në duart e kryetarëve të partisë apo grupeve brenda tyre, por në duart e sovranit, të popullit.

Së dyti, mendoj se vendi, në karrigen më të lartë të shtetit, duhet të ketë personalitete me profil që e meritojnë atë karrige. Kam pasur pikërisht këto motive dhe këto pikëpamje. Këtë mendim e quajtën heretik, megjithëse u gabuan. Ndonëse këtë mendim e shpreha jo për këtë rast, por për rastet e tjera që do të vijnë. Në të predominonte arsyeja, sepse ne firmosëm për një president konsensual dhe në parlament përfunduan 93 vota, ndërsa 47 vota të tjera përfaqësonin një front kundërshtues. 93 dhe 84 vota nuk larg njëra tjetrës. Prandaj të zgjidhet kandidatura që gjen konsensusin më të gjerë. Pala tjetër nxori emrin e zotit Fino dhe ne nuk shprehëm aprovim apo disaprovim.

Pra, nuk ishte vetëm zoti Oketa, por zoti Topi ka mbështetjen e plotë të kryeministrit dhe të forcës politike që ai përfaqëson. Mbështetje i kanë shprehur zotit Topi edhe forca të tjera politike.

Pyetje: Ndryshimet në PD do të jenë në nivel nënkryetarësh dhe sekretarësh?

Kryeministri: Ndryshimet në parti janë atribute të Këshillit Kombëtar dhe të forumeve të partisë. Sot jemi për qeverinë.

Pyetje: Nisur nga përmbajtja dhe përzgjedhja që keni bërë në qeverinë e kaluar, ju nuk jeni bazuar në asnjë kriter profesional dhe politik. Në çfarë kriteresh jeni bazuar në përzgjedhjen e ministrave që sapo deklaruat, në ato politikë apo profesionale?

Kryeministri: Nuk jam dakord me gjykimin tuaj. Qeveria e mëparshme është zgjedhur në përputhje me ligjin dhe kjo përbën një proces në vazhdimësi të zgjedhjeve që kam bërë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, tani përballja më e vështirë është në sallën e Kuvendit. Në ditët e kaluara janë shprehur pakënaqësi për përbërjen e kabinetit qeveritar. Ju i druheni rrjedhjes së votave nga maxhoranca në lidhje me kabinetin e ri?

Kryeministri: Nuk ka asnjë problem. Të gjithë janë personalitete shumë të respektuara. Në këtë vendimmarrje nuk ka pasur asgjë të ndikuar nga faktorë të kësaj natyre. Koalicioni disponon rreth 80 vota, të cilat janë të mjaftueshme për të gjitha vendimet që nuk kërkojnë 3/5 e votave.

Pyetje: Zoti Kryeministër, i keni bërë ftesë zotit Topi për në qeveri?

Kryeministri: Zoti Topi ka një mbështetje reale për karrigen më të lartë të shtetit. Zoti Topi është një personalitet me një mbështetje që tejkalon forcën që përfaqëson. Sigurisht po të mos kishte një projekt tjetër, zoti Topi është shumë i mirëpritur në qeveri. Por ai ka një projekt tjetër, të cilin unë e mbështes plotësisht.

Pyetje: Kur thoni që nuk keni kundërshti për kandidaturën e zotit Fino, por ndërkohë keni propozuar zotin Topi, do të thotë kjo se nuk do të tentohet paraprakisht për gjetjen e një figure konsensuale?

Kryeministri: Zoti Fino është kandidaturë e kundërshtarëve tanë dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë t'u përcaktojmë atyre kandidaturën. Ata janë të lirë të zgjedhin kandidaturën që duan. Unë nuk kam bërë asnjë koment për këtë. Siç e dini, unë bëra një sugjerim, i cili e theksoj nuk është për këtë radhë, por për herë të tjera, nuk gjeti mirëkuptim dhe unë e tërheq. Megjithëse ka një rrugë kushtetuese, nëse dëshiron ta zbatosh, ndërmerr nismën e ndryshimit të Kushtetutës, nismë të cilën nuk kam ndërmend ta ndërmarr, sepse kemi objektivat tona politike për të ndjekur.

Pyetje: Në rast të bllokimit të kandidaturës së presidentit, jeni të gatshëm të shkoni në zgjedhje të parakohshme siç keni deklaruar?

Kryeministri: Është e sigurt se për dy vota askush nuk do të mund t'i imponojë koalicionit qeveritar kandidaturën. Në qoftë se ndokush niset për të zgjedhur presidentin me imponim, absolutisht alternativa e vetme janë zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet. Kjo është normale. Nuk mund të pranojmë, veçanërisht tani pas certifikimit të ri me 53.4 për qind të votave të qytetarëve, që të imponohemi nga pakica. Në rast se në 18 shkurt do të ishin zgjedhjet e përgjithshme, kjo maxhorancë do të kishte mbi 94 deputetë. Për këtë mjafton që të mbivendosni të dhënat. Ata që njohin abc e zgjedhjeve dhe teorinë elektorale e kanë të qartë se përqindjet 53-54 janë përqindje të një fitoreje tejet të thellë maxhoritare. Mbi 47 për qind dhe veçanërisht nëse kalon pragun e 50 për qindëshit, do të thotë 2/3 e kryetarëve të bashkisë dhe komunave dhe të konvertuar në zona elektorale është më shumë se 2/3, plus efektin proporcional të saj. Ne nuk duam ta shtyjmë vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, nëse mendojnë se për dy vota mund të na imponojnë presidentin, nuk duhet ta mendojnë se do të ketë imponim, por zgjedhje dhe vetëm zgjedhje.

Pyetje: Zoti Berisha në qëndrimin tuaj ka një ndryshim të fortë, pasi para disa javësh keni kërkuar zgjedhjen konsensuale të presidentit. Ndërkohë paraqitja nga ana juaj e një emri duket se po shkoni të kërkoni me forcë 4 votat që ju nevojiten dhe jo drejt një konsensusi. A mund të shihet kjo si një imponim nga ana juaj për zgjedhjen e presidentit?

Kryeministri: Nuk synon aspak atë. Mendoni se shqiptarëve duhet t'u emërojmë një president, të cilin e njohin vetëm në minutën e fundit. Këtë nuk e konsideroj një qëndrim normal e korrekt ndaj qytetarëve shqiptarë, por, përkundrazi, më duket një abuzim madhor me ta dhe të drejtat e tyre. Në këtë kontekst, unë kam mirëpritur fillimin e debatit për presidentin fillimisht në media dhe e kam quajtur shumë legjitim për një problem të tillë madhor. Më parë kam shmangur çdo debat, ndërsa respektoja presidentin aktual. Por tashmë koha po vjen, pasi në muajin qershor fillon procesi i zgjedhjes së presidentit. Nuk konsideroj asgjë negative në faktin që opozita u shpreh për zotin Fino apo edhe që forca të tjera politike të propozojnë. Më negative quaj nëse do të ishte një përzgjedhje e mbyllur, kur në fakt ai nuk është një post për surpriza. Gjykoj se edhe media, edhe qytetarët kanë të drejtë të debatojnë mbi këtë temë. Sikundër nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin tim. Ju siguroj se mbetem për president konsensual, por nuk mund dhe nuk do të pranojmë imponimin nga askush, sepse përfaqësojmë një maxhorancë të thellë, të konfirmuar më 18 shkurt me 54 për qind të votave të shqiptarëve. Atëherë do të mbanim një qëndrim jo luajal ndaj zgjedhësve shqiptarë. Secili të diskutojë e të bëjë përpjekjet dhe të arrijmë t'i japim vendit kandidaturën më të mirë të mundshme. Unë nuk them, siç deklarojnë kundërshtarët e tanë, se këtë radhë do ta kemi të majtë presidentin. Mendoj se për presidentin duhet të bëhen negociata, të vlerësohen kandidaturat dhe duhet të jetë procedurat më të qytetëruara e civile të mundshme. Ne bëmë një marrëveshje dhe morëm 93 vota, praktikisht në zgrip. Prandaj është më mirë të ndiqet një procedurë transparente.

Pyetje: Kur flisni për negociata ç'nivel keni parasysh, në nivel kryetarësh apo grupesh teknike?

Kryeministri: Të jem i sinqertë nuk kam parasysh nëse do të jenë parlamentare apo partiake. E rëndësishme është që ne jemi të hapur për negociata, ndërsa nivelet i përcaktojnë teknicienët. E rëndësishme është fryma e hapur për të negociuar, një frymë konstruktive për të zgjidhur problemin. Nëse kjo nuk arrihet, jemi për zgjedhje për t'i dhënë vendit presidentin, pasi Kushtetuta jonë ka këtë përcaktim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›