Kryeministri Berisha inspekton ecurinë e punimeve në tunelin e Korridorit Tiranë-Elbasan

- Ky tunel së bashku me tunelin e Kalimashit dhe tunelin e Qafë Murrizit do të ndryshojë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë.
-
- Korridori Tiranë-Elbasan, segmenti më i vështirë dhe më i rëndësishëm i Korridorit 8
-
- Përkundrejt makinerisë së shpifjeve, të trillimit dhe nihilizmit, le të vazhdojmë ne, ndërtimin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të veprave të Shqipërisë evropiane. Le tu përgjigjemi ne, këtyre shpifjeve dhe mashtrimeve, me vepra dhe vetëm me vepra.
Kryeministri Berisha inspektoi sot, ecurinë e punimeve në kilometrin e parë të hapur, të tunelit të Kërrabës, në korridorin rrugor Tiranë –Elbasan.
Punimet, të cilat po realizohen nga kompania greke AKTOR. SA kanë një vlerë rreth 101 milion dollarë dhe janë investim i Buxhetit të Shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Tuneli do të jetë me dy tuba, me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tub. Punimet e gërmimit kanë filluar në të dy tubat, nga të dy portalet. Pas përfundimit të procesit të gërmimit, puna do të vazhdojë me betonimin dhe punimin e pajisjeve elektro-mekanike.
Tuneli së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra do të formësojnë një rrugë të re, të rëndësishme, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.
Rruga Tiranë-Elbasan, segment i rëndësishëm i Korridorit 8, është një rrugë me standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan, me gjerësi prej 28,2 metrash, me 6 korsi, si dhe rreth 1,7 kilometra ura dhe vijadukte. Gjithashtu rruga ka shumë mbikalime dhe nënkalime, si dhe parashikon sistemimin e shtratit të lumit Kushe, duke zgjidhur dhe një problem për tokat bujqësore të fermerëve të kësaj zone.
Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga drejtues vendorë të zonës, deputetë, drejtues të kompanisë ndërtuese greke AKTOR.SA, përfaqësues të Bankës Islamike për Zhvillim, etj.
Kryeministri u interesua dhe pa nga afër punimet brenda tunelit, ku u takua dhe bisedoi me drejtorin e kompanisë, si dhe me punonjës dhe inxhinierë, të cilët e njohën atë, me ecurinë e punës së deritanishme dhe fazat që vijnë më pas. Kryeministri i përgëzoi ndërtuesit që në një kohë të shkurtër, vetëm disa mujore, realizuan një të katërtën e punimeve që duhen deri në përfundimin e tij.
Pas inspektimit, të të dy kahjeve të tunelit, Kryeministri Berisha në mënyrë simbolike shtypi butonin e detonimit për shpërthimin e masës shkëmbore në tunel dhe vijimin e mëtejshëm të punimeve.
Më pas, Kryeministri Berisha u takua me banorët e zonës, të cilëve u përcolli lajmin e gëzueshëm të përfundimit në një kohë rekord të punimeve për kilometrin e parë të tunelit.
Duke shprehur edhe njëherë falënderimet për kompaninë që mori përsipër realizimin e kësaj vepre, kryeministri u shpreh se tuneli ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi shkurton ndjeshëm distancën Tiranë- Elbasan. Kryeministri theksoi se ky segment i rëndësishëm, do të shkurtojë me së paku 50 minuta, distancën mes Shkupit dhe Tiranës, ndërsa për transportin e rëndë e shkurton kohën për një orë e gjysëm.
Duke e cilësuar korridorin Tiranë-Elbasan, si segmentin më të vështirë dhe më të rëndësishëm të Korridorit 8, në fjalën e tij, më gjerësisht, kryeministri Berisha u shpreh:
"Të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Së pari dëshiroj tu përshëndes ju, shumë përzemërsisht, të përshëndes të gjithë qytetarët e Elbasanit, të shpreh kënaqësinë që sot, këtë ditë, po ju japim atyre lajmin e gëzueshëm dhe jo vetëm atyre, por mbarë shqiptarëve se tuneli i Kërrabës, që filloi pak muaj më parë ka realizuar deri tani, një të katërtën e punimeve që duhen për përfundimin e tij. Këto punime kaluan sot, kilometrin e parë dhe duhet të them se kjo është një kohë rekord në ndërtimin e tuneleve, çka dëshmon seriozitetin e madh, aftësitë, kapacitetet e kompanisë që mori përsipër punimet, punëtorëve, punonjësve, teknikëve, inxhinierëve të saj, ndaj dhe njëherë dua ti shpreh falënderimin tim më të përzemërt.
Por, përfundimi i një të katërtës së punimeve, në këtë tunel ka një rëndësi të jashtëzakonshme për më shumë se 1,2 milion shqiptarë. Përfundimi i këtij tuneli shkurton distancën midis Shkupit dhe Tiranës, së paku me 50 minuta, kurse për transportin e rëndë e shkurton edhe për një orë e gjysëm. Ky tunel së bashku me tunelin e Kalimashit dhe tunelin e Qafë Murrizit do të ndryshojë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë.
Pas përfundimit të këtyre veprave, shqiptarët kudo që ndodhen do të udhëtojnë në rrugët e tyre, të standardeve më të larta evropiane, do të arrijnë në kryeqytetin e tyre në kohën më të shkurtër. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më moderne. Ne besojmë se energjia e zhvillimit të vendit kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha infrastrukturë rrugore moderne. Energjia e tregut do të mund të çojë përpara Shqipërinë, vetëm duke garantuar korridore dhe rrugë më të mira për të.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Sot ne jemi të përqendruar në autostradën Tiranë-Elbasan, pasi dy qytetet më të mëdha të vendit, realisht shndërrohen në një metropol, por nga ana tjetër, nga Erseka, Leskoviku, Bilishti, Gramshi, Dumreja, e gjithë popullata e kësaj zone afrohet me tregun e Tiranës, në mënyrën më të fuqishme. Shkurtohen distancat për prodhimet e tyre. Faktikisht Tirana dhe Elbasani krijojnë metropolin më të fuqishëm të tregut të vendit. Ndërkohë, ju jeni dëshmitarë se ne po ndërtojmë në të katër anët e vendit dhe ne jemi të vendosur që në dy-tre vitet që vijnë të asfaltojmë çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytezë, në çdo vend të Shqipërisë.
Natyrisht, korridori Tiranë- Elbasan është një nga korridoret më të rëndësishme të rajonit, sepse në të vërtetë ky është edhe korridori më i vështirë, por më i rëndësishmi i Korridorit 8. Ne përfundojmë të parët segmentin më të vështirë të Korridorit 8 dhe mbetemi të gatshëm të ecim drejt Librazhdit dhe Qafë-Thanës dhe ne besojmë se Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, me ndihmën e miqve dhe partnerëve dhe me përpjekjet e tyre, me buxhetin e tyre duhet të ndërtojnë këtë Korridor që afron më shumë se çdo gjë tjetër, tregjet e mëdha të Evropës me tregjet e Azisë, këtë Korridor që ndjek rrugën e hershme të Egnatias, këtë Korridor që do ti japë një dimension të ri, të madh tregut në tërësi.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit, të Gramshit, të Librazhdit, të Pogradecit, të Korçës , të Bilishtit , të Ersekës dhe mbarë Shqipërisë,
Një e katërta e punimeve në korridorin Tiranë-Elbasan përfundon në një hark kohor të shkurtër, por nuk mund të mos kujtoj këtu, një natë të gjatë në Parlamentin shqiptar, nata më e gjatë në karrierën time politike në Parlament, kur me përpjekjet më të jashtëzakonshme, ata të cilët përdorën pushtetin e tyre për të bllokuar statusin e vendit bënë gjithçka për të bllokuar buxhetin për korridorin Tiranë-Elbasan. Bënë gjithçka deri në orën 5 të mëngjesit. Në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të papërgjegjshme, ata personalizuan korridorin me Sali Berishën dhe harruan që ky është korridori i miliona shqiptarëve. Ky korridor është korridori i burrave dhe grave, fëmijëve, intelektualëve, mësuesve, studentëve të Elbasanit, të Korçës, të Librazhdit, të Gramshit, të Pogradecit, të Dumresë, është korridori i qindra dhe mijëra shqiptarëve nga Maqedonia dhe maqedonasve që vijnë në Shqipëri, që vijnë në Tiranë, që pushojnë në brigjet tona. Është segmenti kryesor i Korridorit 8. Në respekt, vërtet ne qëndruam atë natë, deri në 5 të mëngjesit duke debatuar, por natyrisht ne votuam, vendimin e morëm dhe ja ku është vepra e atij votimi, e atij buxheti. Shqipëria sot është e tëra në rindërtim dhe nuk mund të injorohet fakti, se kohërat në ekonominë evropiane dhe atë botërore, janë të vështira. Nuk mund të injorohet se këto kohëra të vështira, në një mënyrë apo një tjetër pasqyrohen dhe në Shqipëri, por asgjë nuk mund të lëkundë vullnetin tonë për të shndërruar paratë e taksapaguesve shqiptarë në rrugë, në autostrada, në shkolla, spitale, ujësjellësa, kanalizime, frutikulturë.
Ju jeni dëshmitarë që në një hark kohor 5 vjeçar, në këtë vend janë ndërtuar mbi 9 mijë km rrugë. Ju jeni dëshmitarë që një hark kohor 5 vjeçar janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1200 shkolla. Shqiptarët janë dëshmitarë se në një hark kohor 5 vjeçar, 98 % e tyre furnizohen me ujë të rrjedhshëm. Sot, si në asnjë vend tjetër të Evropës, rroga mesatare është dyfishuar. Si në asnjë vend tjetër të Evropës, pensionet minimale janë dyfishuar. E tëra kjo është rezultat i lumenjve të djersës që ju derdhni, por edhe e reformave të qeverisë dhe përdorimit me transparencë të parave tuaja.
Ndaj dhe përkundrejt makinerisë së shpifjeve, të trillimit dhe nihilizmit, le të vashdojme ne, ndërtimin çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të veprave të Shqipërisë evropiane. Le tu përgjigjemi ne, shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve, me vepra dhe vetëm me vepra.
Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,
Dy ditë më parë, ne inauguruam në Tiranë, një spital ndër më modernët që unë kam parë dhe vizituar ndonjëherë në jetën time. Dje, ne inauguruam në Kashar një nënstacion elektrik të një rëndësie kombëtare dhe rajonale. Sot, ne vijmë këtu dhe gjejmë të përfunduar një të katërtën e tunelit të korridorit Tiranë –Elbasan. Unë besoj se të gjitha këto janë dëshmi të faktit se djersa jonë, mundi ynë, ëndrrat tona po shndërrohen në vepra, po shndërrohen në realitet dhe do të vazhdojnë të shndërrohen në vepra, të shndërrohen në realitet.
Ndaj edhe njëherë le të falenderojmë ndërtuesit e kësaj vepre, të gjithë taksapaguesit shqiptarë, të falenderojmë Bankën Islamike të Zhvillimit dhe financimin e saj dhe tu garantojmë se infrastruktura moderne në të katër anët e këtij vendi do të jetë vepra jonë e përbashkët. Ne do të ndërtojmë çdo ditë, çdo orë, Shqipërinë evropiane."
19/11/2011