E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron impiantin e prodhimit të biokarbureve në Porto Romano, investim me vlerë 5 milionë euro

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e përurimit të impiantit të prodhimit të biokarbureve në Porto Romano, në Durrës. Ky impiant, nga Green fuel, është një sipërmarrje e përbashkët e dy kompanive prestigjioze në fushën e hidrokarbureve “Kastrati SH.A” dhe “B.P.P. S.p.A”, me një investim fillestar prej 5 milionë euro. Impianti do të ketë një kapacitet prodhues prej 100.000 ton në vit dhe mundëson punësimin e rreth 120 punëtorëve.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim si një hap shumë të rëndësishëm drejt shndërrimit të Shqipërisë në një përdorues të karburanteve me origjinë bimore. “Së shpejti, Shqipëria do të jetë një eksportues biodieseli në Itali dhe në Evropë. Ky investim, në serinë e investimeve të tjera të huaja, dëshmon suksesin e përpjekjes sonë për të shndërruar Shqipërinë në vendin më miqësor dhe më tërheqës për investimet e huaja”, u shpreh Kryeministri. Më tej, Kryeministri theksoi se “për qeverinë, mjedisi dhe ruajtja e tij përbën një përparësi madhore”.

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga investitorët, presidenti i “Kastrati SH.A.” z. Shefqet Kastrati dhe presidenti i “B.P.P S.p.A” z. Andrea Bussinello, vizitoi mjediset e këtij impianti.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të nderuar zotërinj qeveritarë vendorë,

Zoti Kastrati,

Zoti Bussinello,

Të dashur miq e të ftuar,

Sot ne inaugurojmë këtu, në parkun energjetik të Porto Romanos, një vepër shumë të rëndësishme në fushën e energjisë së vendit, inaugurojmë impiantin e parë të prodhimit të biodiesel në Shqipëri. Pra bëjmë hapin e parë shumë të rëndësishëm drejt shndërrimit të Shqipërisë në një prodhues të rëndësishëm të karburanteve me origjinë bimore, të karburanteve që përmbushin të gjitha standardet e zhvillimit të qëndrueshëm jeshil të vendit. Ky impiant, fryt i bashkëpunimit të dy kompanive, kompanisë shqiptare “Kastrati SH.A” e njohur prej vitesh në fushën e karburanteve dhe kompanisë italiane “B.P.P. S.p.A”, është një investim prej rreth 5 milionë euro dhe me një kapacitet prodhues prej rreth 100 mijë ton në vit. Jashtëzakonisht inkurajuese është se kjo kompani ka filluar identifikojë brenda vendit sipërfaqet e nevojshme për mbjelljen lulediellit, kolzës, si dhe bimëve të tjera që përdoren gjerësisht për prodhimin e biodiesel. Kompania ka nisur punën për certifikimin e prodhimeve të saj dhe, së shpejti, Shqipëria do të jetë një eksportues biodieseli në Itali dhe në Evropë. Ky investim, në serinë e investimeve të tjera të huaja, dëshmon suksesin e përpjekjes sonë për të shndërruar Shqipërinë në vendin më miqësor, më tërheqës, për investimet e huaja.

Gjashtë vjet më parë, kur ne shpallëm platformën tonë “Shqipëria vendi më tërheqës për investimet e huaja”, Shqipëria ishte vendi që për vite më radhë kishte pasur si mesatare investimesh të huaja, gjithsej 38 milionë dollarë në vit. Shqipëria në tre vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur investime të huaja çdo vit rreth 1 miliardë dollarë. Në këtë kontekst, unë dua të garantoj investitorët vendas dhe të huaj se me këto arritje ne nuk mbetemi të kënaqur. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta bëjmë gjithnjë e më tërheqëse për ta. Do të bëjmë gjithçka për investitorët vendas dhe të huaj, që projektet e tyre të shndërrohen në histori të mëdha të vërteta suksesi.

Zonja e zotërinj,

Shqipëria është nga ato të paktat vende që ka fatin e madh që në një të ardhme jo të largët të mund të shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale të energjisë së rinovueshme. Energji e rinovueshme do të thotë energji e shëndetshme për njeriun, do të thotë forma më e shkëlqyer e energjisë për zhvillimin jeshil të qëndrueshëm të vendin. Shqipëria ka rezerva të mëdha ujore. Deri më tani janë firmosur me sektorin privat, për investime në ndërtimin e hidrocentraleve, kontrata në rreth 3 miliardë euro. Në Shqipëri janë firmosur kontrata me investitorë privat për prodhimin e biodieselit, dallëndyshja e parë e të cilit është sot ky inaugurim, dhe kabullin nënujor për transmetimin e saj në Itali. Në Shqipëri është licencuar ndërtimi i parqeve të mëdha eolike, deri më tani rreth 1600 megawat, ndërkohë që 3200 megawat të tjera janë në studim e sipër. Shqipëria është vendi më diellor i këtij rajoni dhe, ndoshta, i Evropës. Pra, e hapur për energji diellore. Kështu që ne vërtetë jemi me fat, se ne mund të bëhemi vendi i parë eksportues i rëndësishëm i energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë. Ky është një zhvillim jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, për shëndetin e qytetarëve,  direkt i lidhur me jetëgjatësinë e tyre.

Për qeverinë, mjedisi dhe ruajtja e tij përbën një përparësi madhore. Ndaj, ne kemi marrë dhe do të marrim në të ardhmen të gjitha masat lehtësuese për investimet në tërësi dhe në këtë fushë në veçanti. Unë ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë vëmendje më të madhe ndaj mjedisit, ruajtjes dhe zhvillimit të tij. Ftoj NGO-të e mjedisit të jenë gjithnjë më aktive në problemet e mjedisit, zhvillimit dhe ruajtjes së tij. I garantoj se ndihem njeri prej tyre dhe së bashku me to do të bëjmë gjithçka që në këtë vend të përmirësojmë gjithnjë e më shumë standardet e mjedisit. Shqipëria, në një klasifikim, renditet sot e 23-ta. Le të punojmë ne me ambicie për të avancuar pozicionin e vendit tonë. Asgjë nuk është më e lidhur me shëndetin e qytetarëve sesa mjedisi i shëndetshëm.

Sikundër, më duhet t’u them antiglobalistëve se nuk keni të ardhme. Aleanca juaj e fundit, të cilën qytetarët rëndomë po e cilësojnë si aleanca e plehut është aleancë e dëshpëruar, e pashpresë. Ju nuk promovoni aspak, pavarësisht nga pozicionet në të cilat ndodheni, mjedisin e shëndetshëm. S’bëni gjë tjetër vetëm kërkoni të rëmoni vota në plehra dhe ato nuk do t’i gjeni ndonjëherë, sepse ne do të bëjmë gjithçka që ky vend të jetë çdo ditë e më i pastër, që ajri, toka, uji i këtij vendi të jenë gjithnjë e më të shëndetshëm.

Dua ta mbyll këtë fjalë duke ju falënderuar shumë ju, zoti Kastrati dhe zoti Bussinello, për dallëndyshen e parë që sollët në tregun dhe ekonominë shqiptare, të prodhimit të biodieselit. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin më miqësor ndaj jush. Dhe ata, të cilët besojnë se mund të zhvillojnë vendin duke u vërsulur me taksa ndaj të pasurve, siç thonë, u rikujtojnë shqiptarëve një kohë të cilën kurrë nuk do ta pranojnë më.

Faleminderit!”


18/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›