Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të nënstacionit elektrik Tirana2, Kashar
“Ne jemi të vendosur të mbajmë energjinë si fushën kryesore më të rëndësishme të investimeve.”
“Sëbashku me investime të tjera të ndërmarra nga qeveria në fushën e energjisë, të transmetimit, prodhimit, rikonstruksioneve, kapin vlerën e rreth 600 milionë Euro.”
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm, në ceremoninë e inaugurimit të nënstacionit elektrik 400 k/volt Tirana2, në Kashar (Tiranë). Ky investim u realizua me mbështetje financiare të qeverisë italiane, nëpërmjet Kooperacionit Italian, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), me vlerë 25.6 milionë Euro. Projekti u zbatua nga Grupi Toshiba dhe kompania Ansaldo, pjesë e këtij Grupi.
Nënstacioni Tirana2 ka një rëndësi të madhe për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit elektroenergjitik të Shqipërisë. Tirana2 është një nga nënstacionet më të mëdha të sistemit të transmetimit, pjesë e rrjetit të interkonjeksionit me Malin e Zi, së shpejti edhe me Kosovën e vende të tjera në rajon. I ndërtuar me një teknologji bashkëkohore dhe sipas të gjitha kritereve të ndikimit ambiental, nënstacioni i Kasharit do të ketë një ndikim në reduktimin e humbjeve të energjisë në rrjet dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij me këtë rast, e konsideroi ndërtimin e nënstacionit të ri me rëndësi të shumëfishtë për tregun energjetik në Shqipëri, por edhe atë rajonal.
Kryeministri i shprehu ambasadorit italian në Shqipëri, zotit Saba D’Ellia, i pranishëm në këtë ceremoni, mirënjohjen e thellë për ndihmën e qeverisë italiane, e cila ka financuar në fushën e energjisë disa projekte me vlerë 90 milion Euro.
Kryeministri tha se energjia mbetet fusha kryesore dhe e rëndësishme e investimeve në vend. Linja e interkonjeksionit me Kosovën, Unaza e Jugut, studimi për lidhjen me Republikën e Maqedonisë, janë disa nga projektet e ardhshme që Kryeministri theksoi.
Në përshëndetjen e tij, më gjerësisht, Kryeministri u shpreh:
“Sot, ne inaugurojmë një projekt në fushën e energjisë me rëndësi të shumëfishtë. Nënstacioni që ne inaugurojmë sot, Tirana2, është i një rëndësie të madh për kryeqytetin e vendit, lokomotivë e zhvillimit të Shqipërisë, i një rëndësie të madh për mbarë vendin, për optimizimin e parametrave të energjisë elektrike, është i një rëndësie të madhe për edhe të gjithë rajonin, pasi në këtë nënstacion bashkohen rrymat e energjisë që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi, do të lidhin Shqipërinë me Kosovën e vende të tjera. Në këtë kontekst, ky është një kontribut madhor për tregun energjetik rajonal e lirinë e tij. Ndaj unë shfrytëzoj rastin t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë qeverisë italiane, taksapaguesve italianë, Kooperacionit Italian, ambasadës italianë, kompanive Ansaldo, Toshiba që kanë realizuar do të thosha këtë kryevepër të teknologjisë të fushës, një vepër që bazohet në transformatorët më të mëdhenj që kanë hyrë në Shqipëri, në teknologjitë më moderne që garanton parametrat më të shkëlqyer të funksionimit dhe standardet më të larta të fushës.
Kjo është një nga investimet e mëdha, ndihmë e qeverisë italiane për tregun energjetik shqiptar. Me ambasadorin Saba D’Ellia, ne kemi inauguruar pak kohë më parë, në Elbasan, një nënstacion të fuqishëm, të rëndësie lokale e rajonale dhe linja po shkon drejt përfundimit, dispeçeria apo truri i sistemit tonë energjetik është në ndërtim e sipër. Këto investime kapin vlerën rreth 90 milionë Euro dhe janë në bazë të një suksesi të madh, të një nxitje të madhe të ekonomisë shqiptare. Këto investime, sëbashku me investime të tjera të ndërmarra nga qeveria në fushën e energjisë, të transmetimit, prodhimit, rikonstruksioneve, kapin vlerën e rreth 600 milionë Euro. Me këto investime është bërë e mundur që Shqipëria nga vendi i gjeneratorëve, të cilët me ndotjen e tyre kimike dhe akustike e kishin bërë të padurueshme jetën e qytetarëve, është sot, vendi me një sistem energjetik që mbështeti këto vitet e fundit rritjen më të madhe ekonomike, që bëri të mundur që eksportet të trefishohen në një hark kohor trevjeçar dhe që bëri të mundur që investimet e huaja në një hark kohor 4 vjeçar të rriten me 316 për qind.
Energjia dhe zhvillimi janë një e të pandarë. Ndaj për qeverinë time investimet në fushën e energjisë janë investimet më prioritare. Ndihma e qeverisë mike italiane ka qenë dhe është jashtëzakonisht e çmuar. Ne jemi të vendosur të mbajmë energjinë si fushën kryesore më të rëndësishme të investimeve. Ne do të bëjmë gjithçka për standardet më liberale të tregut energjetik, do të bëjmë çdo gjë që me burimet tona energjetike jo vetëm të mbulojnë plotësisht nevojat e vendit, por të jemi edhe eksportues të rëndësishëm në rajon.
Energjia, problematika e saj është edhe sfida më e madhe e zhvillimit sot. Ndaj përparësia ndaj këtij sistemi, investimet në këtë sistem përbëjnë detyrimin më madhor të qeverisë.
Duke falënderuar edhe një herë qeverinë italiane, kompanitë Toshiba, Ansaldo që realizuan projektin, punonjësit e drejtuesit e OST-së për punën e shkëlqyer që kanë bërë, mbetet t’ju uroj suksese e të garantoj se qeveria do të mbështesë fuqishëm projekte të tjera të mëdha. Së shpejti do të fillojë linja e lidhjes me Kosovën, Unaza e Jugut, po bëhet studimi për lidhjen me Republikën e Maqedonisë, janë licencuar dy kabllo nënujore nga autoritet shqiptare dhe italiane, të cilat lidhin Shqipërinë e Italinë dhe të tjera në të ardhmen. Bashkëpunimi energjetik midis dy vendeve njeh e do të njohë zhvillime gjithnjë në rritje. Edhe një herë urimet më të mira. Faleminderit.”
18/11/2011