Kompanitë sllovake Penta dhe Avocat i shprehin Kryeministrit synimet e tyre për investime në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, përfaqësues të kompanive sllovake PENTA, zotin Marian Krajnak dhe AVOCAT, dhe zoti Juraj Hatvany. Përfaqësuesit e kompanive sllovake gjenden në Shqipëri për të mundësuar investime të tyre në fushën e shëndetësisë, konkretisht në sigurimin shëndetësor, farmaceutikës, si dhe në fushën e energjisë.
Ata i shprehën Kryeministrit konsideratën për performancën shumë të kënaqshme të ekonomisë shqiptare në këtë periudhë krize, që i bëri kompanitë e tyre të drejtojnë sytë për shtrirjen e investimeve në Shqipëri. Kuadri ligjor dhe klima e biznesit, thanë ata, na kanë bërë përshtypje dhe do të vazhdojmë paraqitjen e projekteve tona të investimit në fushat e sipërpërmendura. Reformat liberalizuese për konsolidimin e ekonomisë së tregut në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë të shëndetësisë dhe energjisë, janë nxitëse për të gjithë investitorët.
Kryeministri i Berisha falënderoi dhe bëri një prezantim të mundësive për realizimin e suksesshëm të projekteve në këto fusha. Kryeministri tha se liberalizimi i tregut dhe shërbimeve, si dhe outsource i shërbimeve në sektorë të ndryshëm janë reforma që po ndërmerren me shpejtësi nga qeveria shqiptare. Kjo garanton konkurrencë të ndershme dhe transparencë veprimi.
17/11/2011