Kryeministri Berisha pret përfaqësues të Grupit Toshiba
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, përfaqësues të Grupit TOSHIBA, pjesë e të cilit është bërë edhe kompania ANSALDO, të kryesuar nga Presidenti i Grupit Shigeo Miyahara. Grupi TOSHIBA sapo ka përfunduar investimin e tij në Shqipëri, ndërtimin e nënstacionit të Kasharit. Zoti Miyahara ftoi Kryeministrin për inaugurimin e kësaj vepre dhe prezantoi projektide të tjera që Grupi i tyre synon t’i paraqesë qeverisë shqiptare. Një ndër projektet në vazhdim të TOSHIBA-s është ai i Smart City dhe i projekteve që kanë të bëjnë infrastrukturën ujore.
Zoti Miyahara i komunikoi Kryeministrit se Grupi, i kënaqur nga puna e deritanishme, ka vendosur për të hapur së shpejti zyrën e tij të përfaqësimit në Shqipëri. Ai i shprehu gjithashtu kënaqësinë për bashkëpunimin e suksesshëm të Grupit të tij jo vetëm me qeverinë shqiptare, por edhe me partnerë të biznesit lokal.
Kryeministri Berisha i përgëzoi për investimin e sapo përfunduar dhe i siguroi që historitë e suksesit të këtij Grupi do të përsëriten në Shqipëri me projektet e tjera që ata synojnë këtu.
17/11/2011