Kryeministri Berisha inspekton plantacionet e ullirit në komunën e Gosës: Subvencionet do të 2 - 3 fishohen!
Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e së shtunës një inspektim në plantacionet e ullirit në komunën e Gosës të Kavajës për të parë nga afër ecurinë e njërit prej projekteve më ambicioze të qeverisë atë të mbjelljes së ullirit në të gjithë vendin për të cilin qeveria jep subvencione. Plantacioni shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 40 hektar në të cilin ishin mbjellë mbi 12.000 rrënjë ulliri të moshave të ndryshme. I shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, si dhe nga fermerë të shumtë të zonës kryeministri u ndal dhe pa nga afër ecurinë e këtij procesi.
Qeveria ka subvencionuar në Komunën e Gosës në Kavajë rreth 70 hektar me ullinj ku kanë përfituar rreth 100 fermerë me një fond prej rreth 200 mijë dollarë.
Ndërsa në qarkun e Tiranës gjatë viteve 2007 - 2012 nga subvencionet e qeverisë kanë përfituar rreth 1500 fermerë me një fond prej mbi 3 milionë dollarë.
Kryeministri i përgëzoi fermerët për punën e bërë dhe për përkushtimin e tyre. Duke theksuar se gjatë këtyre viteve qeveria ka subvencionuar rreth 9 mijë hektar ullinj në mbarë vendin dhe se 30 mijë hektarë ullinj janë mbjellë sëbashku me ato që ka subvencionuar qeveria, kryeministri i garantoi ata se në vitet që vijnë fondet do të 2 dhe 3 fishohen. "Në këto vite ne kemi bërë gjithçka që projektet e mëdha kombëtare të ullirit, të arrorëve, drurëve frutore të ecin me shpejtësi të madhe. Ne besojmë se potencialet tona janë shumë të mëdha. Ne kemi një potencial për të arritur shumë shpejt në 20 milion rrënjë ullinj nga 4.2 milion që kishim pak vite më parë. Kemi një potencial për të ecur më pas me 50 milion rrënjë ullinj në të gjithë zonën ku bëhet ulliri në Shqipëri dhe për tu bërë një prodhues i konsiderueshëm, për të kapur së pari tregun shqiptar dhe tregun rajonal", u shpreh kryeministri
Kryeministri theksoi se vitet që vijnë do të jenë vitet e investimeve të mëdha në kultura, në rraca, në përpunim, në industri, në vaditje, do të jene vite në të cilat qeveria do të ngrejë bujqësinë shqiptare në nivelet më të larta me vendet Europiane. Kjo është alternativa jonë, theksoi kryeministri, përkundrejt alternativës së akuzës që ka zgjedhur opozita.
"Ne mbjellim ullinj, shoku akuzon, ne ndërtojmë shkolla, shoku turfullon dhe akuzon, ne ndërtojmë rrugë, qahet dhe akuzon, ne ndërtojmë kanalizime e ujëslljellësa dëshpërohet dhe akuzon, akuzon dhe vetëm akuzon, nuk di çfarë thotë. Përgjigja jonë është, shoku akuzator vazhdo akuzat, ne do vazhdojmë veprat, do vazhdojmë punën do të mbjellim ullinj, do ndërtojmë rrugë, do ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë kanalizime, do të ndërtojmë ujësjellësa. Ne do të bëjmë çdo ditë, do të shënojmë një hap tjetër të rëndësishëm në ndryshimin e këtij vendi në ecjen e tij drejt një vendi të zhvilluar", u shpreh ai.
Në fjalën e mbajtur para fermerëve të zonës Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar zoti Ministër,
Zoti kryetar i Komunës,
Të dashur fermer të Komunës Gosë,
Të dashur të pranishëm,
Së pari unë dëshiroj ti jap përshëndetjet më të përzemërta pronarit të kësaj ullishteje të mrekullueshme dhe të gjithë pronarëve të ullishteve të reja përreth, të cilët kanë qëndisur me pemën më të bukur të mbitokës, floririn e mbitokës, me ullinj, këto kodra të komunës së Gosës.
Dua gjithashtu të përshëndes përzemërsisht kryetarin e Komunës për përkushtimin e madh dhe mbështetjen që ju jep fermerëve të kësaj komune në përpjekjen e tyre për të shndërruar Gosën në një pemëtore të madhe, në një komunë ndër më prodhueset në vend.
Jam këtu për tu garantuar ju, se ky është vetëm një fillim, një fillim i mbarë dhe i madh, këto ullinj që na rrethojnë janë mbjellë të gjithë në vitin 2007 me subvencionet e qeverisë dhe sot janë të mbushura si asnjëherë me fruta, me ullinj dhe kanë një prodhim kaq të mbarë. Në këto vite ne kemi bërë gjithçka që projektet e mëdha kombëtare të ullirit, të arrorëve, drurëve frutore të ecin me shpejtësi të madhe. Ne besojmë se potencialet tona janë shumë të mëdha. Në rast se kthehemi dhe vështrojmë kodrat një pjesë e tyre janë të qëndisura me ullinj, të tjera djerrina që presin të qëndisen me ullinj dhe vreshta, pra ne kemi një potencial për të arritur shumë shpejt në 20 milion rrënjë ullinj nga 4.2 milion që kishim pak vite më parë. Kemi një potencial për të ecur më pas me 50 milion rrënjë ullinj në të gjithë zonën ku bëhet ulliri në Shqipëri dhe për tu bërë një prodhues i konsiderueshëm, për të kapur së pari tregun shqiptar dhe tregun rajonal.
Ne kemi një potencial të madh shumë në drurët e tjerë frutorë ndaj dhe në këtë kontekst gjatë këtyre viteve ne kemi subvencionuar rreth 9 mijë hektar ullinj në mbarë vendin. Rreth 30 mijë hektarë ullinj janë mbjellë sëbashku me ato që kemi subvencionuar ne. Por ju garantoj se në vitet që vijnë këto fonde do të 2 dhe 3 fishohen.
Bujqësia ka një potencial të jashtëzakonshëm prodhimi, ka një potencial të jashtëzakonshëm punësimi. Ndërtimi i fermave moderne me prodhim të lartë përbën ndërtimin e njësive të sigurta të punësimit. Në një hark kohor të shkurtër një javor ne inauguruam në Durrës dhe Tiranë 2 impiante të mëdha të përpunimit të qumështit dhe bulmetit një investim prej 12 milion euro dhe me teknologjitë nga më modernet dhe do të bëjmë gjithçka që fermeri shqiptar të jetojë dhe punojë si një biznesmen i vërtetë. Ne do të bëjmë gjithçka që të ketë infrastrukturën më moderne, të çojmë rrugën, dritat, ujin, shkollat, kanalizimet. Këtu në këtë kodër një pjesë e ullinjve vaditet me pika dhe ky është subvencion i qeverisë. Ju garantoj se mandati i ardhshëm do të ketë përparësinë më absolute vaditjen me pika në mbarë Shqipërinë. Ne marrim bujqësinë si një çështje nga më seriozet, sepse ne vërtet nuk kemi tokë shumë, por tokë më pjellore, tokë më me diell, tokë më me ujë dhe me njerëz punëtor se këtu nuk gjen në asnjë vend tjetër të Europës. Sot në tërësi kjo krizë që ka kapluar një pjesë të vendeve të zhvilluara ka një leksion të madh të mos injorohet prodhimi bujqësor, përkundrazi të bëhet gjithçka për rritjen e tij pasi është faktuar katërcipërisht se ky prodhim mund të dhjetëfishohet
Unë isha në Korçë dhe fermerët më thanë se është 16 fishuar prodhimi i mollëve, unë isha në Dibër dhe fermerët e Dibrës më thanë se në 3-4 vjet është pesëfishuar prodhimi i mollëve. Ne këtë vit presim së paku dyfishimin e prodhimit të ullirit jo vetëm për shkak të mbarësisë së vitit, por për shkak të futjes në prodhim të miliona e miliona rrënjëve të reja të mbjella këto vite.
Ne do të bëjmë gjithçka që subvencionet për fermerët tanë të dy dhe trefishohen. Vitet që shkuan kanë qenë vitet që ne në zonat rurale në fshatrat dhe komunat kemi bërë investime më të mëdha në tërë historinë e vendit, por këto investime kanë shkuar në tërësi në rrugë dhe kjo ka qenë e drejtë, në shkolla, kanalizime , ujësjellësa. Vitet që vijnë do të jenë vitet e investimeve tona të mëdha në kultura, në rraca, në përpunim, në industri, në vaditje, do të jene vite në të cilat ne do të ngremë bujqësinë shqiptare në nivelet më të larta me vendet Europiane.
Kjo është alternativa jonë, karshi saj qëndron alternativa e akuzës. Ne mbjellim ullinj, shoku akuzon, ne ndërtojmë shkolla, shoku turfullon dhe akuzon, ne ndërtojmë rrugë, qahet dhe akuzon, ne ndërtojmë kanalizime e ujëslljellësa dëshpërohet dhe akuzon, akuzon dhe vetëm akuzon, nuk di çfarë thotë. Atëherë cila është përgjigja jonë. Përgjigja jonë është, shoku akuzator vazhdo akuzat, ne do vazhdojmë veprat, do vazhdojmë punën do të mbjellim ullinj, do ndërtojmë rrugë, do ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë kanalizime, do të ndërtojmë ujësjellësa. Ne do të bëjmë çdo ditë, do të shënojmë një hap tjetër të rëndësishëm në ndryshimin e këtij vendi në ecjen e tij drejt një vendi të zhvilluar.
E ftoj të vijë në këto kodra të marrë dhe penelin e tij, tek e fundit të bëjë edhe ndonjë pikturë që edhe po nuk iu shit të paktën të nxjerrë një mësim, respektin ndaj njerëzve punëtor ndaj atyre që kanë guxim të investojnë edhe këtu dhe të arrijnë rezultate si këto.
Dhe njëherë ju uroj shumë suksese dhe ju garantoj se do t'ju mbështesim fuqishëm në këtë përpjekje të madhe për ta shndërruar Shqipërinë në kopshtin më të bukur më të madh që ka ekzistuar në Europë.
20/10/2012