E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkotohen zgjedhjet për kreun e PS-së së Tiranës- në rrethe triumfon dhuna

Nga 280 anëtarë vetëm 156 kanë marrë pjesë në votimin e sotëm ku u zgjodh Pjerin Ndreu si kryetar i PS-së për Tiranën

Ashtu siç edhe paralajmëroi, baza socialiste ndëshkoi sot Edi Ramën, duke bojkotuar zgjedhjet për krerët e rinj të partisë në rrethe, veçanërisht në Tiranë. Në të gjitha njësitë lokale të PS-së në rrethe, është vërejtur pjesëmarrje minimale e anëtarëve të Asamblesë, në shenjë proteste për emërimin në poste drejtuese të oborrtarëve të zgjedhur nga Rama dhe jo ata që u aprovuan nga anëtarësia. Lista 100 emërore e propozuar nga baza, të përzgjedhur me kujdes dhe duke respektuar kriteret e statutit dhe funksionimit të partisë, u rrëzua spontanisht gjatë një mbledhje të grupit parlamentar socialist, ku nuk munguan dhe kritikat e ashpra në drejtim të drejtueseve të partisë, kryesisht Ramës, i cili u akuzua se po e kthen PS-në në një “oborr” të mbushur me njerëzit e Pezës. Kësisoj, krahas aktivizimit të bojkotit dhe parashikimeve për rinisjen e protestave në shtator, lëvizje këto që u kundërshtuan fort nga përfaqësuesit e brendshëm të PS-së, një krisje e re duket në horizont, e cila këtë radhë mund të kapërcejë çdo parashikim. Fakti që selia rozë nuk respekton vendimin e forumeve të saj drejtuese, përbën një precedent më vete në marrëdhëniet me strukturat dhe bazën në rrethe. Kjo bëhet edhe më e qëndrueshme kur mendojmë se funksionaliteti i një force politike varet definitivisht nga vendimet e bazës, por në momentin kur këto shpërfillen dhe hidhen poshtë si fletërrufe që bien ndesh me parimet pezake të Ramës me shokë, atëherë do të thotë qartësisht se e ardhmja e PS-së është shkrirja. Por, gjithashtu është fakt, që Edi Rama kërkon me ngulm të ndërrojë çdo identitet të PS-së tradicionale, PS-së së themeluar nga Fatos Nano, për ta kthyer atë në një forcë politike as e majtë as e djathtë, por thjesht një strehë e 99-shave, nisur nga martesa e fundit Rama-Veliaj. Prandaj, nuk është e rastësishme numri i pakët i anëtarëve të PS-së që marrin pjesë në votim, për zgjedhjen e strukturave drejtuese, pasi një veprim i tillë ishte paralajmëruar prej disa ditësh. E njëjta skenë është përsëritur jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme të vendit. Zemërimi i anëtarësisë socialiste, duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj të partisë, është ende në hapat fillestarë, pasi të tjera vendime kokëforta të bazës socialiste parashikohen të vihet në jetë, në varësi ët qëndrimit të Edi Ramës dhe oborrtarëve pezakë, të prirur për përjashtimin e vlerave të vërteta të së majtës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›