Kryeministri Berisha mbledh grupin e punës për marrjen e masave kundër erozionit përgjatë vijës bregdetare
Kryeministri Berisha mbledh grupin e studimit për marrjen e masave për mbrojtjen e zonës bregdetare nga erozioni detar. Studimi do të përfshijë zonën bregdetare nga Velipoja deri në Nartë. Ai do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare (në veçanti plazhet). Studimi do të jetë konkret, kompleks, utilitar, dhe do të japë rekomandime për vendimmarrje.
Lidhur me shqetësimet nga kërcënimet gjithnjë e në rritje të erozionit detar, i cili dëmton drejtpërdrejtë aktivitetet ekonomike, turistike, për infrastrukturën, për mbrojtjen e mjedisit dhe të vlerave kulturore e natyrore, Kryeministri Berisha, në një takim me disa ministra të kabinetit, si dhe me shkencëtarë të fushës përkatëse nga Universiteti Politeknik dhe Akademia e Shkencave organizoi një diskutim dhe shtroi detyrën për të ndërmarrë një studim të menjëhershëm, konkret dhe multidisiplinor.
çështjet kryesore ku do të përqendrohet studimi do të jenë:
- Të evidentohet si është gjendja aktuale e vijës bregdetare dhe çfarë ndryshimesh ka pësuar ajo në dekadat e fundit. Si pritet të jetë dinamika e lëvizjes së vijës bregdetare në tërësi dhe në veçanti për zonat sensitive që janë plazhet.
- Të jepen rekomandime për masat dhe ndërhyrjet eventuale që mund të ndërmerren duke përcaktuar ku, dhe kur (sipas rendit prioritar), për të frenuar veprimin e erozionit detar.
- Cila do te jete kostoja financiare e ndërhyrjeve e shtrirë në kohë dhe hapësirë (sipas rendit prioritar), në segmente të veçanta të plazheve, si dhe kostoja totale për një ndërhyrje të gjerë dhe të plotë.
Për studimin e erozionit detar dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren ndaj tij, Kryeministri urdhëroi ngritjen e një grupi studimor në përbërje të të cilit do të jenë ministra, shkencëtarë nga Universiteti Politeknik, Akademia e Shkencave dhe kabineti i Kryeministrit.
Në zbatim të këtij urdhri, ministritë, institutet shkencore dhe të gjithë institucionet e tjera shtetërore, do të venë në dispozicion të grupit të studimit, ekspertet më të kualifikuar që lidhen me këtë fushë, si dhe të dhënat dhe studimet e nevojshme disponibël, të cilat mund t’i shërbejnë kryerjes në kohë dhe cilësi të studimit.
10/03/2010