Konferencë për shtyp e kryeministrit Sali Berisha
Pas vizitës në Itali dhe Monte Carlo, Kryeministri Sali Berisha doli, të shtunën, në një konferencë për shtyp.
"Ju përshëndes dhe dëshiroj t'ju informoj, ndonëse mediat e kanë paraqitur gjërësisht, për takimin e shkëlqyer me investitorë dhe biznesin italianë dhe takimet në Monte Carlo në kuadrin e Forumit të Krans Montanës.
Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë italiane, Institutit Italian të Tregtisë së Jashtme, sekretarit të përgjithshëm Vatani, ambasadës Italiane dhe atyre qindra e qindra investitorëve italianë që morën pjesë në këtë takim që unë do ta konsideroja të shkëlqyer, si takim i parë, përpjekja jonë e parë serioze për t'iu adresuar investitorëve. Dua gjithashtu t'ju garantoj se qeveria që unë kryesoj është e vendosur t'i ketë investimet, investitorët dhe lehtësitë ndaj tyre përparësi të të gjitha përparësive. Është në bindjen time më të thellë se shqiptarët pas nevojave më themelore, nevojë më të madhe kanë për investimet e huaja. Ritheksoj këtu se në vitin 1996 në Shqipëri kanë patur investimet e tyre 4600 biznesmenë italianë kundrejt vetëm 380-400 që ndodhen sot.
Unë mora një mesazh të shkëlqyer: Shqipëria sërish filloi të vihet në fokus, Shqipëria sërish në interesin e tyre. Kjo përbën një detyrim madhor të qeverisë për të punuar me shpejtësi dhe përmirësuar me shpejtësi të gjithë kuadrin ligjor, të gjitha praktikat në mënyrë që Shqipëria së shpejti të shndërrohet në vendin më tërheqës të investimeve të huaja.
Unë pata takim me zëvendëskryeministrin, kryetarin e parlamentit, të dy miq të mi, Xhanfranko Fini dhe Pier Fernando Kazini, ministrin e Transporteve Lunardi dhe personalitete të tjera. Në këto takime u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin ekonomik në kuadër të "Cooperazione Italiana", të bashkëpunimit me Italinë, fondet e se ciles do të disbursohen për një seri projektesh. Falenderova me shumë mirënjohje dhe sërish u përqëndruam tek biznesi, tek mundësia e pjesëmarrjes së sipërmarrësve të mëdhenj italianë në ndërtimin e digave, rrugëve, infrastrukturës në Shqipëri. Me zëvendëskryeministrin Fini diskutuam dhe për situatën në rajon.
Mund të them se ishte një takim i shkëlqyer. Kthehem me një optimizëm të veçantë nga interesi i sipërmarrësve italianë dhe qeveria është shumë e vendosur t'i përkushtohet inkurajimit, nxitjes dhe lehtësimit të investimeve në Shqipëri.
Sikundër është trasmetuar në media, zyrtarët italianë më informuan zyrtarisht se Korridori 8-të është rivendosur në përparësitë e Korridoreve transnacionale të BE-së. Korridori 8-të, në variantin Brindizi-Bari-Durrës-Shkup-Varna, përbën një zhvillim shumë pozitiv. Këtë çështje unë e kam ngritur që në takimin e parë me kryeministrin e Italisë Berluskoni, e kam ngritur me të gjithë peshën që ka problemi gjatë takimeve në Bruksel. Lajmi që mora nga qeveritarët italainë ishte me të vërtetë një lajm shumë pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë, Bullgarinë dhe për Italinë, e cila, natyrisht, është vendi kryesor që mund të udhëheqë projektin dhe zbatimin e tij.
Në Monte Karlo mora pjesë në dy panele në seanca plenare, ku u diskutua për zhvillimet dhe bashkëpunimin midis Europës dhe Mesdheut, zhvillimet në Shqipëri dhe ato në rajon. Natyrisht edhe qendrimin aty unë e përdora për t'iu adresuar biznesmenëve dhe investitorëve të shumtë të pranishëm në këtë takim. Konstatova edhe aty me kënaqësi një klimë e favorshme dhe miqësore. Shqipëria sërish po kthehet në skenë për investitorët dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për ta realizuar këtë sa më shpejt.
Dua të falenderoj organizatorin e Forumit, Zhan Pol Karteron, ekipin e tij për hapësirën dhe vendin që i rezervuan delegacionit shqiptar, seancën që i kushtuan Shqipërisë, mundësitë e shumta që u krijuan aty për takimet me politikanë dhe biznesmenë të njohur, pjesëmarrës në këtë Forum".
Pyetje: Z.Berisha, presidenti me anë të një letre ju ka bërë të ditur mospranimin e kandidaturës së znj. Harxhi për ambasadore në SHBA.Ç'mund të thoni për këtë"
Kryeministri Berisha: Në momentin e duhur do të bëjmë transparencën e plotë të këtij problemi.
Pyetje: Z.Berisha cilat do të jenë angazhimet e qeverisë shqiptarë në kuadër të projekti të Korridorit 8-të?
Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare ka paraqitur, dhe në takimet në Bruksel unë parashtrova se vendet tona, Shqipëria Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, nuk mund të përjashtohen nga projektet e mëdha europiane, sepse ne jemi territor europian. Ne nuk mund të ndërmarrim projekte të mëdha infrastrukturore. Këtë çështje unë e ngrita gjatë vizitës sime të parë në Itali, gjatë takimit me kryeministrin Berluskoni, i cili e njeh shumë mirë problemin, dhe në mënyrë të padiskutueshme Italia ka një interes strategjik të qartë për ndërtimin e këtij korridori. Ndaj dhe kërkesa është kontributi ynë, sikundër ne do të bashkëpunojmë ngushtë me sekretariatin e ngritur nga qeveria italiane për Korridorin 8-të me ekspertët më të mirë të Italisë, i cili ka tani si kryeqendër Barin (ky sekretariat).
Pyetje: Z.Berisha, PS ka deklaruar se do t'i çojë në Gjykatën Kushtetuese amendamentet e miratuara nga Kuvendi për ligjin e KLD-së.
Kryeministri Berisha: Jam absolutisht i bindur se mbrojtja e konfliktit të interesit dhe qëndrimi ndaj konfliktit të interesit ishte shkaku i largimit të tyre nga salla. Vazhdojnë të mbrojnë me verbëri atë parim me të cilin instaluan sistemin e korrupsionit në Shqipëri.
Pyetje: Z. kryeministër ka pakënaqësi edhe në lidhje me shkurtimet e shpenzimeve për institucionet.
Kryeministri i Berisha: Që të jem i sinqertë me ju, unë nuk kam dijeni për ndonjë institucion, çka nuk e përjashtoj, por në mënyrë të pandryshueshme shkurtimet e shpenzimeve të bazuara në praktikat korruptive do të thellohen. Unë dua t'ju njoftoj ju se kjo përpjekje ka vetëm një qëllim, të vendosë në zyrat tona standartet etike perëndimore të qëndrimit ndaj parave publike. Një gjë është e vërtetë, që institucioneve të tjera joqeveritare, të cilat nuk dëshmuan ndonjë vullnet për të bërë studime të thella, megjithë sinjalet që ne dërguam, u janë shkurtuar nga 25-30%, ndërkohë kur institucioneve qeveritare nga 40-65%. Por më duhet po të bëj të qartë se shkurtimi dhe mbrojtja e parave të taksapaguesve shqiptarë është absolutisht një objektiv madhor i qeverisë së koalicionit aktual. Ne e kemi shpallur këtë. Shqiptarët votuan shtetin e vogël. U bëj thirrje edhe një herë drejtuesve të institucioneve, t'u rikthehen 3 korrikut. Shqiptarët votuan shtetin e vogël. Këto shkurtime janë paraprake. Shkurtime të thella të tjera në administratë do të bëhen dhe administrata do të vijë në përmasat që duhet të ketë, në përmasat e një vendi prej 3 milionësh. Ajo nuk mund të ketë në përmasat e një vendi prej 35 milionësh. Nuk mund të jetë në përmasat e një administrate të një vendi prej 40 milionësh. Këto nuk mund të ndodhin më, kanë ndodhur deri tani. Është fundi i tyre.
Pyetje: Z.Berisha deri ku është qeveria me plotësimin e angazhimeve të marra për 100 ditët e para të qeverisjes, meqenëse jemi afër tyre?
Kryeministri Berisha: Qeveria i është përmbajtur dhe po u përmbahet atyre absolutisht pikë për pikë, por kini durim se dua t'ju garantoj se këto dhjetë ditë do të ndodhin më shumë zhvillime se sa kanë ndodhur në 30 ditët e fundit. Janë dhjetë ditë, 240 orë punë non stop për projektin tonë.
Pyetje: Në programin e qeverisë flitet për rritjen e punësimit. Nisur nga buxheti sa do të rritet punësimi, duke patur parasysh edhe shkurtimet.
Kryeministri Berisha: Së pari, kur kemi bërë fjalë për punësimin, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk kemi bërë fjalë për punësim në sektorin publik. Besoj se jeni dakord me këtë.Çka është tipar i qeverive të tjera, jo i qeverive transparente. Kemi bërë fjalë se procesin e punësimit do ta bazojmë në ndezjen e motorëve të makinerisë së tregut të lirë, rritjes së shpejtë ekonomike. Për momentin nuk kam shifra, por do t'ju bëja thirrje të gjithë ju gazetarëve, pas disa muajsh trokisni tek biznesmenët e vegjël dhe pyetini; keni punësuar një të dytë, keni punësuar një të tretë. Unë di shumë prej tyre që kanë punësuar që me përgjysmimin e taksave. Unë ju siguroj se shumë më tepër do të punësohen. Së dyti, një seri masash të tjera do të shpallen në javët në vazhdim për të nxitur punësimin. Duhet t'u them se në planin social, asgjë nuk konsiderojmë më të rëndësishme se punën dhe punësimin. Të gjitha këto përpjekje që bëhen për investime dhe investitorë, gjithë ky ndryshim në paketën fiskale, që të gjitha bëhen në mënyrë që tregu i punës të fitojë dinamizmin që i takon.
Pyetje: Nga sondazhi që u publikua dje sistemi gjyqsor është më i korruptuari. Keni strategji për ta ndryshuar këtë?
Kryeministri Berisha: Pas kthimit tim nga Brukseli unë informova nëpërmjet jush shqiptarët se kërkesa e prerë e Brukselit, e BE-së dhe NATO-s, ishin reformat, reformat dhe vetëm reformat. Dhe në këtë kontekst, në krye të tyre reformat e sistemit të drejtësisë. Drejtësi e pavarur, efiçente, jashtë korrupsionit. Këto janë kërkesat. Të jeni të sigurt se ai hap që u bë në parlament, për çka ne kemi vlerësim për të gjithë ata që mbështetën luftën kundër konfliktit të interesit, do të pasohet me hapa të tjerë që kanë një synim, forcimin e pavarësisë të sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.
Pyetje: A do t'i paguajë PD borxhet që i ka TV-ve për mos pagimin e spoteve publicitare gjatë fushatës?
Kryeministri Berisha: Si mendon ti, unë që kam paguar me qeverinë e parë të gjitha borxhet e Enver Hoxhës, të mos paguaj borxhet e fushatës elektorale. Që të gjitha do t'i paguaj. Ju mund të vendosni kamatën dhe ne do t'ua paguajmë bashkë me kamatën.