E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, z. Sali Berisha në ceremoninë e 15 vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike

Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, mori pjesë të hënën pasdite në ceremoninë festive, organizuar me rastin e 15 vjetorit të krijimit të kësaj partie. Në këtë aktivitet merrnin pjesë drejtues të lartë të Partisë Demokratike, përfaqësues të forcave politike në vend, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, ish studente te dhjetorit '90, intelektuale, përfaqësues të artit, medias e shoqërisë civile, si dhe të ftuar të tjerë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha u shpreh:

"Miq dhe të ftuar,
Bashkëthemelues të Partisë Demokratike,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve mike në Tiranë,
Vëllëzër dhe motra!
Jemi mbledhur sot për të festuar së bashku 11 dhjetorin, ditën që për ne shqiptarët ndan epokat, historinë dhe sistemet, ditën e themelimit të pluralizmit politik, ditëlindjen e lirive dhe të drejtave njerëzore për ne, qytetarët shqiptarë, pas 45 vjetësh diktature më të egër që kombi ka njohur në tërë historinë e tij.

Gëzuar ju dhe mbarë shqiptarëve festën e pluralizmit, ditën e lirisë. Në 11 dhjetor të vitit ‘90, natën vonë, lëvizja studentore e Universiteteve të Tiranës, e udhëhequr nga studenti liberator, Azem Hajdari, i dha vendit Partinë Demokratike, partinë e parë të themeluar nga studentë, pedagogë, intelektualë, punonjës të Tiranës, si partinë e lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve, të ndaluara deri atëherë me Kushtetutë, partinë e vokacionit, të shpirtit perëndimor të kombit shqiptar dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë, partinë që përmbysi diktaturën dhe sistemin totalitar dhe vendosi në Shqipëri sistemin demokratik.

Pluralizmi politik në historinë e qytetërimit është dëshmuar si promotori me i fuqishëm i zhvillimit të demokracisë, pa të cilën demokracia nuk mund të ekzistojë, shtyllë kryesore e sovranitetit pa të cilin ky i fundit shndërrohet në shkretëtirë. Pluralizmi politik është vërtetë 1-shi kolektiv, por në thelbin e tij ai është vet individi i lirë, është liria e qytetarit për të shprehur mendimin, bindjen e tij dhe për të luftuar për realizmin e endrrave, qëllimeve, idealeve të tij fisnike. U drejtohem sot të gjithë atyre që më 11 dhjetor të vitit ‘90 themeluan pluralizmin politik, Partinë Demokratike, si lokomotivë të demokracisë dhe qytetërimit.

Ata që 15 vjet më parë themeluan pluralizmin politik dhe hapën dyert e mbyllura të lirisë ishin të rinj dhe të reja, burra dhe gra që kishin përjetuar sistemin e shtypjes njerëzore. Për ata liria nuk kishte qenë ndonjëherë realitet, por vetëm ideal, ëndërr, aspiratë, prandaj dhe sot sërish në misionin tonë, ne jemi të zotuar të zgjerojmë gjithnjë e më shumë lirinë e mendimit dhe të shprehjes së tij, lirinë e mediave, të respektojmë lirinë politike të qytetarëve shqiptarë, opozitës dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në sistemin demokratik, besimet si infrastrukturë e vërtetë e shpirtit njerëzor, të respektojmë minoritetet dhe liritë e tyre.

Ne jemi ata që themeluam partinë e lirive dhe të drejtave njerëzore, ata që së bashku, 15 vjet më parë themeluan pluralizmin politik, nxorrëm vendin dhe kombin nga bunkeri i izolimit më të thellë. Rrugën nuk e dinin, por thellë në shpirt ata kishin një endërr, kishin një projekt gjenial për kombin; Shqipëria dhe Europa, ky ishte projekti. Shqipëria anëtare e BE dhe NATO-s ishte ëndrra e tyre. Vërtet theksoj se rruga ishte e paqartë, por Partia Demokratike, në projektin që iu paraqiti shqiptarëve, shndërroi ëndrrën e tyre në hartën e rrugës drejt perëndimit, drejt Brukselit. Ndaj edhe ne sot sërish në misionin tonë mbetemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha reformat, të gjitha përpjekjet për të konkretizuar sa më shpejt kriteret, standartet, vlerat që kërkon integrimi i Shqipërisë ne BE dhe në NATO.

Ata që së bashku, 15 vjet më parë, themeluan pluralizmin politik, pra Partinë Demokratike, më shumë se qënie njerëzore, kishin jetuar si skllevër shtetëror, me triska, tallona, racione ushqimore, në sistemin më kolektiv të planetit. Ata nuk njihnin lirinë e tregut, liberalizmin ekonomik. Partia Demokratike, me projektin e saj shndërroi në 4 vjet në pronarë mbi 460 mijë fermerë shqiptarë të tokës dhe pronarë të apartamenteve 220 mijë familje shqiptare.

Sot sërish në misionin tonë, ne jemi të angazhuar të përfundojmë reformën e nisur të pronësisë, të shndërrojmë në pronarë dhe qindra e mijëra familje të tjera shqiptare. Sot në projektin tonë për të ndryshuar Shqipërinë, ne jemi të angazhuar të garantojmë për të rinjtë shqiptarë shkolla moderne, të ardhme të sigurtë, në një Shqipëri europiane. Sot ne mbetemi të vendosur në projektin tonë, të punojmë çdo ditë, çdo muaj, për punësimin e shqiptarëve dhe mirëqënien e tyre.

Ne jemi të bindur se projekti i qeverisë së PD-së është projekti i të gjithë shqiptarëve, të cilët në një bashkim të dytë të madh, vendosën ndryshimin në 3 korrik. Unë i garantoj ata se idealet e dhjetorit janë më të gjalla, më të freskëta, më inspiruese se kurrë ndonjëherë më parë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›