E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në punimet e konferencës së dytë të investimeve të huaja në Shqipëri

Kryeministri theksoi se ekonomia shqiptare, më shumë se kurrë ka nevojë për investime në projekte vendimtare për vendin, të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të përmirësojnë në vazhdimësi klimën ndaj biznesit.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e konferencës së dytë të investimeve të huaja në Shqipëri. Së bashku me kryeministrin Berisha të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra të kabinetit qeveritar, Presidenti i IDB grup zoti Muhamed Ali, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të OPEC, për zhvillim, zoti Sulejman Jasir Al-Herbish, përfaqësues të institucioneve ekonomike ndërkombëtare, investitorë të huaj, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.

Duke përshëndetur të pranishmit, kryeministri Berisha falënderoi investuesit e huaj për mbështetjen  bujare që i kanë ofruar Shqipërisë përmes financimit të projekteve të rëndësishme për vendin në fusha të ndryshme si infrastrukturë, shendetsi, arsim, bujqësi etj, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës. “Është një nder dhe privilegj për mua tu përshëndes ju sot dhe tu mirëpres në konferencën e dytë të investimeve të huaja në Shqipëri të organizuar nga IDB në vendin tim. Pra së gjithash më lejoni të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time më të madhe miqve të mi, presidentit të IBD doktor Muhamed Ali, Drejtorit të Përgjithshëm të OFID fondit të OPEC, zotit Sulejman Jasir Al-Herbish, institucioneve të tyre, por gjithashtu edhe vendeve të tyre Arabisë Saudite, Kuvajtit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe shume  e shumë vendeve të tjera, të cilat përmes këtyre institucioneve, direkt apo përmes institucioneve të tjera ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN etj,  siguruan për vendin dhe kombin tim një mbështetje shumë bujare. Projektet e financuara nga taksapaguesit tuaj dhe institucionet tuaja, projektet e financuara nga IBD dhe OFID jane të shtrira në të gjithë vendin, në fushat më kryesore, të cilat kanë kontribuar mjaftueshëm për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Këto projekte të përfunduara ose në zbatim e sipër përfshijnë infrastrukturën, kujdesin shëndetsor, arsimin, bujqësine, furnizimin me  ujë, etj.”

Duke vlerësuar konferencën si një mundësi të madhe për njohjen  e potencialeve dhe mundësive që ofron Shqipëria, kryeministri u shpreh se sot më shumë se kurrë ekonomia shqiptare ka nevojë për investime në projekte vendimtare për vendin, të cilat të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të krijojnë një klimë shumë të favorshme për biznesin.  “Sot është një ditë e veçantë për vendin tim. Më shumë se 100 investitorë nga Arabia Saudite, Kuvajti, Bosnja dhe shumë vende të tjera janë mbledhur në Tiranë për tu njohur dhe për të kërkuar në potencialet e Shqipërisë, në nevojat dhe mundësitë e këtij vendi. Konferenca po mbahet në një moment shumë të rëndësishëm, në një moment kur ekonomia shqiptare ka një nevojë të madhe për investimet e huaja. Ekonomia shqiptare ka nevojë për financime projekte vendimtare për vendin, të cilat do të rrisin hapësirat e tregut dhe do të krijojnë një klimë shumë të favorshme për biznesin.”

Ndër të tjera kryeministri theksoi se kompanitë e reja do të gjejnë në Shqipëri mundësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar në  turizëm, energji, miniera, etj.  “Dua të theksoj,  se kompanitë  e reja do të gjejnë në Shqipëri një ekonomi vërtetë tërheqëse, dinamike, e cila shënon rritje në kohën më të vështirë për ekonominë botërore. Ekonomia shqiptare ëhstë një ekonomi e vogël , por e konsoliduar dhe dinamike, tha Kryeministri.

Kryeministri garantoi investitorët se qeveria shqiptare nuk do të reshtë së përpjekuri për të lehtësuar punën dhe veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe se investimet e secilit prej tyre do të ishin histori suksesi.

Më pas, duke marrë fjalën Presidenti i IBD Group Muhamed Ali, vlerësoi qeverinë shqiptare për e mbështetjen e pakursyer dhe lehtësitë që u ka ofruar investitorëve të huaj, si dhe si siguroi se IBD do të vazhdojë të financojë projekte të rëndësihme për vendin. Në këtë kontekst edhe Drejtori i Përgjithshëm i OFID zoti Suleiman Jasir Al-Herbish  vlerësoi stabilitetin ekonomik në Shqipëri dhe shprehu besimin se në të ardhmen Shqipëria do të tërheqë edhe më shumë investues të huaj, si pasojë e politikës së saj në përkrahje të biznesit.


03/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›