E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e shkollës së re “Bajram Curri 1”, në Durrës

Kryeministri Berisha, duke vazhduar takimet me nxënës e stafe pedagogjike në nisje të vitit të ri shkollor, vizitoi sot, shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri 1”, në Durrës, me rastin e inaugurimit të saj.

Kjo shkollë është ndërtim krejtësisht i ri që i shtohet sistemit të shkollave të rrethit të Durrësit, e financuar nga Banka Botërore me vlerë 185 milionë lekë. Shkolla është e standardeve europiane dhe me kapacitet 1000 nxënës.

Duke vizituar ambientet e brendshme të shkollës, klasat dhe kabinetet e saj, Kryeministri Berisha u takua me stafin pedagogjik të saj, me të cilët pati një bashkëbisedim miqësor mbi çështje që lidhen me zhvillimin e arsimit në vend. Kryeministri Berisha tha se qeveria ka përqendruar të gjitha potencialet në sistemin e arsimit, pasi e sheh atë si “kushtin e të gjitha kushteve” për vizionin e saj, Shqipëria, vend i zhvilluar. Përpjekjet e qeverisë gjatë këtyre viteve, tha Kryeministri, janë përqendruar në infrastrukturën arsimore, programet mësimore, trajtimin financiar të mësuesve.

Ndërsa janë ndërtuar e rindërtuar 71 përqind e shkollave në vend, është shtrirë interneti në çdo shkollë, synimi, tha Kryeministri, është shtrirja e internetit në çdo klasë, pajisja e shkollave me laboratorë modernë dhe biblioteka. Krahas modernizimit të infrastrukturës arsimore, arsimtarët dhe politika e rritjes së rrogave, theksoi Kryeministri,  janë përparësi absolute, duke i garantuar se kjo do të mbetet një politikë konstante e kësaj qeverie.

Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi rëndësinë e kurikulave në nivelin e dijeve, kërkoi të përparësohet gjuha shqipe dhe  matematika në programet mësimore, duke i përcaktuar këto dy disiplina si “shtyllat më kryesore të sistemit tonë parauniveristar”.

Në vijim, fjala përshëndetëse e Kryeministrit, me rastin e inaugurimit të shkollës.

“Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që sot inaugurojmë sëbashku, në plazhin e Durrësit, shkollën “Bajram Curri 1”, një nga shkollat më moderne e të bukura të Shqipërisë. Kjo shkollë është ndërtuar sipas standardeve më të mira europiane. Me këtë rast dua të falënderoj Bankën Botërore për financimin e rëndësishëm të kësaj shkolle, të falënderoj kompaninë ndërtuese dhe të gjithë ata, të cilët bënë të mundur realizimin dhe përfundimin e ndërtimit të saj, që ju, nxënëset e nxënësit e kësaj shkolle, e prisnit me padurim.

Shkolla “Bajram Curri 1” është investim prej 185 milionë lekë dhe ka 24 klasa, 4 laboratorë, sallë multifunksionale, bibliotekë e palestër moderne dhe mjedise të tjera ndihmëse. Kapaciteti i saj është për rreth një mijë nxënës.

Shkolla juaj mban emrin e një prej personaliteteve më të shquara të historisë së këtyre 100 viteve të fundit, të burrit që udhëhoqi kryengritje të mëdha të Kosovës, të cilat do të bënin të mundur pavarësinë e Shqipërisë, mban emrin e tribunit të vërtetë të shqiptarëve, Bajram Currit.

Tek vizitoja kabinetet e shkollës, u ndala në atë të informatikës, ku nxënësit kishin përgatitur një demonstrim të shkëlqyer, kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Ata kalonin në revistë ngjarje dhe burrat më të shquar të kombit, njëri prej tyre është edhe Bajram Curri, emrin e të cilit mban sot, shkolla juaj.

Të dashur nxënëse e nxënës, mësuese e mësues,

Shqipëria po ecën sot, me shpejtësi më të madhe se çdo vend tjetër. Ajo vrapon për të kapur kohën e humbur. Por Shqipëria, vend i zhvilluar, në vizionin e qeverisë sonë, do të mund të jetë vetëm si Shqipëri e dijes. Ndaj edhe ne jemi përqendruar me të gjitha potencialet në sistemin e arsimimit, shkollimit e edukimit të fëmijëve tanë, si kushti i të gjitha kushteve, për një Shqipëri të zhvilluar.

Ne kemi investuar në shkolla, gjatë këtyre viteve, më shumë se në të gjitha institucionet e tjera të marra sëbashku. Ne kemi arritur të ndërtojmë e rindërtojmë në shkallë vendi 71 përqind të të gjitha shkollave, ndërsa në Durrës mbi 80 përqind të tyre. Ne do të vazhdojmë derisa çdo nxënës shqiptar të ulet e të mësojë në shkollë të standardeve eruopiane, kudo që ai ndodhet.

Në vizionin tonë për Shqipërinë e dijes, në një nga vendimet më të para ishte shtrirja e internetit dhe laboratorët e informatikës në çdo shkollë. Sot po ecet me shpejtësi për të shtrirë në çdo klasë, mësimin dixhital. Ne do të bëjmë gjithçka për të pajisur e pasur shkollat më modernë, me bibliotekat e laboratorët më modernë.

Një transformim i thellë po bëhet në programet e kurikulat e shkollave. Ndaj lutja ime për të gjithë mësuesit e Shqipërisë është të bëjmë gjithçka, për të vendosur gjuhën e matematikën si shtyllat më kryesore të sistemit tonë parauniveristar, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të ngjisim me shpejtësi shkallët e dijes e do të ecim me shpejtësi drejt Shqipërisë së dijes. Të vendosësh gjuhën shqipe e matematikën në themelin e shkollës parauniversitare jo vetëm që nuk “lëndon” lëndët e disiplinat e tjera, përkundrazi, i bën ato më të kuptueshme, më të dashura e eficente për nxënësit, shkollën e shoqërinë.

Të dashur mësuese e mësues,

në vizionin tonë të Shqipërisë së dijes, ne kemi mobilizuar burime të mëdha për ndërtimin e rindërtimin e shkollave, kemi angazhuar burime të mëdha financiare për shtrirjen e internetit, laboratorë e pajisjen e tyre. Por, për ne, më e rëndësishme, më parësorja, më e çmuara jeni ju, janë dijet tuaja, është integriteti, përkushtimi e misioni juaj. Ju jeni misionarët e Shqipërisë së dijes, e Shqipërisë, në të cilën këta  nxënës do të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të shkëlqyer. Ndaj, në një hark kohor të shkurtër, duke përparësuar në mënyrë absolute mbështetjen tuaj, ne kemi bërë të pamundurën të ndryshojmë në mënyrë rrënjësore trajtimin tuaj. Në një hark kohor 7 vjeçar, rrogat e arsimtarëve janë mbidyfishuar. Në rast se në fillim të vitit 2006, mësuesi i shkollës 9-vjeçare merrte 227 mijë lekë, sot merr mbi 500 mijë lekë, ose 2.2 herë më shumë. Në rast se paga mesatare e mësuesit në shkollën e mesme ishte 268 mijë lekë, sot është 592 mijë lekë, apo sërish 2.2 herë më shumë. Paga mesatare e mësuesit, krahasuar me pagën e kryeministrit, në vitin 2006, ishte në raport 1 me 8.6, sot, ky raport ka zbritur në 1 me 4.5, që është një nga raportet më të ngushta në botë dhe ju garantoj se do ta ngushtojmë më tej.

Politika jonë është politika e rritjes së rrogave. Politika jonë është politika e përparësisë absolute të arsimtarëve, në mënyrë që të ecim me shpejtësi drejt realizimit të ëndrrës më të bukur të shqiptarëve, Shqipëria e dijes, Shqipëria vend i zhvilluar.

Të dashur qytetare e qytetarë,

Ky është një vit historik për Shqipërinë, është viti i 100 vjetorit të pavarësisë, në të cilin gjatë një shekulli, nga viti 1912, por edhe më parë e gjer më sot, patriotët, atdhedashësit, liridashësit, burrat e gratë, djemtë e vajzat e  Shqipërisë bënë gjithçka, që sot të festojmë krenarë 100 vjetorin e pavarësisë sonë. Por 100 vitet e shkuara kanë qenë vite plot dhimbje, plot vuajtje, plot sakrifica. Le të bëjmë gjithçka për edukimin e fëmijëve tanë, për sistemin e arsimit, në mënyrë që ata të kenë 100 vite, 1 000 vite tjera, jo si ato që patëm ne, por shumë më të mira, më të bukura e më të lumtura, ashtu siç ata i meritojnë.”


13/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›