Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e përfundimit të rrjetit të internetit në të gjitha shkollat e vendit
Kryeministri Berisha: Besimi im është, se asgjë nuk ndryshon më shumë jetën e njeriut se sa kompjuteri.
Mosha dixhitale është prioriteti im më parësor dhe kjo është rruga që unë kam zgjedhur për të qenë afër me ju; është rruga që jam zgjedhur për t’ju asistuar ju në mënyrë që në imagjinatën tuaj, ju të ndërtoni Shqipërinë e ëndrrave tuaja
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përfundimit të rrjetit të internetit në të gjitha shkollat e vendit. Në këtë ceremoni merrnin pjesë ministra, deputetë, ambasadorë të huaj, mësues dhe nxënës, si dhe pati një përshëndetje te veçantë, me anë të një videokonference nga Gjeneva, nga Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit z. Hamadoun Toure.
Pasi shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që mundësuan këtë projekt të madh Kryeministri Berisha theksoi se udhëtimi ynë i përbashkët në moshën dixhitale nuk do të ndalet, se këtë vit buxheti për moshën dixhitale është 5-fishuar e se vitin e ardhshëm do të 10-fishohet ndërsa në vitin 2012 do të 15-fishohet. Kryeministri garantoi se mosha dixhitale ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë prioriteti i tij parësor dhe se kjo është rruga që ka zgjedhur për të qenë afër të rinjve, për t’i asistuar ata që në imagjinatën e tyre të ndërtojnë Shqipërinë e ëndrrave.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Berisha pati edhe një bisedë on-line me anë të internetit, me fëmijë nga shkolla të ndryshme të vendit, ku u shprehu në mënyrë të drejtëpërdrejtë premtimin e tij se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që në vitin 2013, fëmijët shqiptarë do të kenë internet në shtëpi, pavarësisht gjendjes ekonomike.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh:
Zotërinj ministra, zotërinj deputetë, e nderuara zonja Armitage, e nderuar zonja Gülden Türköz-Cosslet, zoti Mustafa Erdogan, shkëlqesi ambasadorë, të dashur nxënëse dhe nxënëse, mësues dhe mësuese, pedagogë, të pranishëm në këtë ngjarje të madhe, në këtë ditë në të cilën ne së bashku përjetojmë shndërrimin në realitet të një ëndrre, ëndrrës së internetit në shkollë për çdo fëmijë shqiptar.
Unë sot shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen time më të thellë, të gjithë atyre që mundësuan realizmin e këtij projekti të madh, ish-drejtorit të përgjithshëm të UNDP-së mikut tim të kahershëm shqiptaro-turkut Kemal Dervish, zonjës Gülden Türköz-Cosslet, zonjës e Armitage dhe Bankës Botërore, Bankës Evropiane të Këshillit të Evropës, Bankës Evropiane të Investimeve, Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, ministrave Pollo, Beja, Tafaj, kompanisë “Albtelekom”, e cila duhet të njohim, se realizoi një projekt në vendin më të vështirë gjeografikisht në Evropë për t’u realizuar, pasi ne jemi 1-shi si vend malor i kontinentit.
Katër vjet më parë ne lançuam projektin e internetit në çdo shkollë dhe për shumë kjo dukej jo realiste. Pati nga ata që e shpallën një lajthitje të kryeministrit, të tjerë më thonin se me klasa me 50 nxënës kjo nisëm nuk ka ndonjë kuptim. Por unë isha shumë i vendosur në këtë projekt dhe nuk dua ta fsheh këtu, për një arsye shumë personale. Tridhjetë vjet më parë në laboratorin ku unë punoja, kompjuteri, në atë kohë nuk kishte internet, kompjuteri më bëri të mundur mua dhe ekipit tim të realizojmë gjëra të pamundshme. Tridhjetë vjet më parë, në laboratorin ku unë punoja ne arritëm të sigurojmë në rrugë pothuaj klandestine një “Apple 2”. Por vetëm kaq, pa asnjë soft, pa asgjë. Një agjent tregtie britanik na e solli atë në çantë. Ai ishte i ndaluar, me ligjin amerikan për Shqipërinë komuniste. Kompjuteri i laboratorit tim, u shndërrua në një lloj fantazme për Tiranën dhe çështja shkoi deri në Byronë Politike. Ministri i Shëndetësisë, i cili më vonë do të ekzekutohej nga regjimi barbar, më vjen dhe më thotë: Sali ç’tu desh, na krijove problemet më të mëdha. I them: ç’probleme të krijova? “Lëre, -më tha, - diskutim i gjatë në Byronë Politike”. Po mirë, - i thashë, - a mund ta takoj unë zv/kryeministrin e asaj kohe dhe t’ia shpjegoj? Propozimi im u gjet shumë lehtësues për të. Unë shkova në zyrat, në ndërtesën ku unë sot punoj, kalova mitrolozë të lehtë pas mitralozi të lehtë në ato korridore dhe përfundova në zyrën e zv/kryeministrit. Më thotë: Ku e more ti atë? I shpjegova. “E di ti, - më thotë, - se është i ndaluar me ligj”. E di, por ligji amerikan, jo ligj shqiptar, - i thashë. “Kjo, - tha, - është akoma më keq. Nga mësova ti për këtë kompjuter, ku e pe?” I thashë se e kam parë në zyrën e Sokol Hoxhës, djalit të Enver Hoxhës. Ngeli. Nuk e vazhdoi më tutje bisedën dhe unë u ktheva në laboratorin tim. Një djalë i ri, ish-student i imi, me dhunti të veçanta në matematikë, punoi në gjuhën e kompjuterit, e programoi atë dhe arriti me programin e tij, të na bëjë të mundur të përllogarisim çdo indeks teorik të punës së zemrës që njihej në atë kohë. Arritëm të bëjmë studime, që botojnë revistat më prestigjioze të botës, si origjinale. Kjo është historia ime personale me kompjuterin dhe ky është besimi im, se asgjë nuk ndryshon më shumë jetën e njeriut se sa kompjuteri. Ndaj dhe kam një kënaqësi të madhe që sot u realizua ky projekt. Dhe sot fëmijët shqiptarë, pavarësisht nga situata e tyre ekonomike, kanë mundësi të lundrojnë në universin e internetit. Unë jam këtu për t’u zotuar para tyre, se ky është vetëm hapi i parë. Se ju që mandatuat Sali Berishën në 2005 dhe që keni sot internetin në shkolla, jeni po ju që mandatuat Sali Berishën në 2009 dhe në 2013 do të keni kompjuter në çdo shtëpi, broadband-internet në çdo shtëpi.
Udhëtimi ynë i përbashkët në moshën dixhitale nuk do të ndalet. Mosha dixhitale është mosha e sekretit të Shqipërisë, në moshën tuaj. Kam kënaqësi t’ju informoj ju se këtë vit kemi 5-fishuar buxhetin për moshën dixhitale. Ju garantoj se vitin e ardhshëm do të 10-fishohet; ju garantoj se në vitin 2012 do të 15-fishohet. Mosha dixhitale është prioriteti im më parësor dhe kjo është rruga që unë kam zgjedhur për të qenë afër me ju; është rruga që jam zgjedhur për t’ju asistuar ju në mënyrë që në imagjinatën tuaj, ju të ndërtoni Shqipërinë e ëndrrave tuaja.
Unë u bëj thirrje mësuesve të Shqipërisë të angazhohen të gjithë në moshën e internetit pavarësisht nga disiplina që ata japin. Siç e dini, unë kam qenë mësues në universitet për 23 vjet dhe kam pasur një admirim të pakufishëm për studentët. I shikoja ata me një admirim të veçantë dhe natyrisht gjëja që admiroja më shumë ishte entuziazmi dhe mosha e tyre. Në atë kohë unë kishe zgjedhur si një mundësi për të ngelur në moshën e tyre, ripërtëritjen e leksionit tim çdo vit para tyre. Të dashur mësues dhe mësuese është një mundësi për të kapur moshën e nxënësve të tuaj duke mësuar edhe ju internetin. Shqipëria dixhitale duhet të jetë Shqipëria e një shpejtësie krejt tjetër.
Kemi bërë progres të madh. Katër vjet më parë treguesi i penetrimit të internetit në Shqipëri ka qenë 4 përqind, një ndër nivelet më të ulëta në botë. Sot jemi mbi nivelin botëror, kemi kapur nivelin rajonal dhe po punojmë së bashku për vitet që vijnë që të kapim një prej niveleve më të larta në botë. Dhe një herë të gjithëve faleminderit për punën që keni bërë! 03/12/2009