E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton ngritjen e Institutit të Studimeve Europiane në universitetin e Tiranës

Instituti do të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e përgatitjes dhe kualifikimit të ekspertëve tanë në fushën e integrimit në BE.
 
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ngritjen e Institutit të Studimeve Europiane në universitetin e Tiranës. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë një vendim të domosdoshëm, me një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe kualifikimin e ekspertëve shqiptarë në fushën e integrimit europian.
 
“Kjo përbën një arritje të  madhe në përpjekjen tonë në përgatitjen dhe kualifikimin e specialistëve, ekspertëve ët nevojshëm, që t’i përgjigjen me eficencë të plotë, zotësi e kompetencë problematikës universale që del nga procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Modeli që kemi përzgjedhur është modeli i adaptuar nga Spanja dhe i sugjeruar po nga Spanja që merr kryesinë e radhës së BE-së,” u shpreh Kryeministri.
 
Instituti do të funksionojë si një qendër ndëruniversitare, i cili do të asistohet edhe nga institutet analoge të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
 
“Para ngritjes së këtij Instituti, - theksoi Kryeministri - çështjet europiane dhe të integrimit trajtoheshin, nga disa katedra dhe institucione universitare të vendit. Tani do të bëhet një përqendrim i të gjitha lëndëve, katedrave dhe departamenteve në një institut, që, në fakt, është një lloj qendre ndëruniversitare dhe do të ketë bashkëpunim intensiv ndërkombëtar, do të ndihmohet nga institutet analoge të vendeve anëtare të BE-së dhe do të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e përgatitjes dhe kualifikimit të ekspertëve tanë në fushën e integrimit në BE.”
 
Kryeministri Berisha duke përgëzuar Ministrinë e Arsimit për këtë hap, kërkoi që të bëhet çdo përpjekje për fillimin sa më shpejt dhe suksesin e këtij Instituti.
 03/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›