E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”

Konventa do të gjejë jetësim të plotë dhe përbën një detyrim madhor për të gjitha institucionet e vendit.
 
Qëndrimi i qeverisë ndaj qendrave të kujdesit social, private apo publike, është një qëndrim pa dallim dhe duhet të thellohet në këtë drejtim, por, veçanërisht, duhet të përqendrohemi tek riaftësimi, punësimi dhe shkollimi i tyre.
 
Këshilli i Ministrave miratoi Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”. Kryeministri Berisha, duke përshëndetur miratimin nga qeveria shqiptare të kësaj Konvente në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuara, tha se institucionet shqiptare duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të  zgjeruar dhe rritur aftësitë e këtyre personave, në dobi të tyre, familjes dhe shoqërisë.
 
“Ne miratojmë sot, në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuar, Konventën e Kombeve të Bashkuara për këta persona. Sapo kam vizituar një qendër të kujdesit për ta dhe dua të theksoj edhe një herë se kjo Konventë do të gjejë jetësim të plotë dhe përbën një detyrim madhor për të gjitha institucionet e vendit, në mënyrë që të japin kontributin e tyre me projekte dhe qëndrime konkrete ndaj këtyre qytetarëve me aftësi të kufizuar, por që, me një përpjekje të përbashkët, aftësitë e tyre mund të zgjerohen, të rriten dhe të bëhen shumë të dobishme për ata vetë, familjet e tyre dhe shoqërinë shqiptare,” u shpreh Kryeministri.  
 
Kryeministri Berisha theksoi se do të adaptohet një qëndrim i ri ndaj kësaj kategorie shoqërore, i cili do të përqendrohet jo vetëm në qendrat e kujdesit social, por edhe tek riaftësimi, punësimi dhe shkollimi i tyre.  
 
“Me Konventën që miratojmë sot, ne duhet të thellojmë më tej dhe me shpejtësi një qëndrim të ri ndaj personave me aftësi të kufizuara. Asnjë qeveri në Europë, në një hark kohor të shkurt, nuk ka bërë përpjekje më të mëdha, të njohura tani edhe ndërkombëtarisht, sesa qeveria shqiptare. Mund të them se janë rritur me mbi 50 përqind shpenzimet në këtë sektor, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që krahas rritjes së shpenzimeve të gjendet mënyra më eficente e ndihmës. Qendrat e rehabilitimit që ekzistojnë, por jo në një stad shumë të zhvilluar sa është e nevojshme, duhet të merren në konsideratën më të madhe. Qëndrimi i qeverisë ndaj qendrave të kujdesit social, private apo publike, është një qëndrim pa dallim dhe duhet të thellohet në këtë drejtim, por, veçanërisht, duhet të përqendrohemi tek riaftësimi, punësimi dhe shkollimi i tyre.” 03/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›