Kryeministri Berisha merr pjesë në hapjen e Konferencës së 9-të Kombëtare Ujit dhe Kanalizimeve në Shqipëri
- Qeveria, në katër vitet që vijnë do të konsolidojë filozofinë e rajonalizimit të shoqërive të ujësjellësve dhe është e vendosur që, përmes investimeve dhe subvencionimeve të mëdha, ta vendosë këtë sektor drejt vlerave të tregut.
- Katër vitet që vijnë janë vitet më ambicioze në historinë e këtij vendi për garantimin e qytetarëve shqiptarë furnizim 24 orë me ujë. çështja e ujit është në krye të axhendës së këtyre katër viteve
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në hapjen e Konferencës së 9-të Kombëtare Ujit dhe Kanalizimeve, që do të zhvillojë punimet në Tiranë deri në datën 9 nëntor 2009. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, drejtues të Shoqatës Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve të Shqipërisë, përfaqësues të këtij sektori nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, përfaqësues të donatorëve në këtë fushë, etj.
Kryeministri Berisha siguroi se katër vitet që vijnë janë vitet më ambicioze në historinë e këtij vendi për garantimin e qytetarëve shqiptarë furnizim 24 orë me ujë, vitet në të cilat qeveria zotohet të përfundojë mbi 14 impiante të kanalizimeve të ujërave të zeza. Kryeministri tha se qeveria është e angazhuar të rindërtojë dhe rrjetëzojë sistemin e kanalizimeve në sipërfaqen më të gjerë të mundshme.
Kryeministri Berisha vizitoi edhe stendat e ndryshme të Ekspozitës së hapur me rastin e organizimit të konferencës, mbi arritjet dhe projektet e ndryshme në fushën e ujit,. Gjithashtu, ai u dorëzoi certifikatat me çmimin "Miqtë e Ujit", 12 fëmijëve nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët ishin shpallur fitues me pikturat e tyre të përzgjedhura për krijimin e Kalendarit vjetor, që publikon çdo vit Shoqata Kombëtare e Ujësjellës – Kanalizimeve të Shqipërisë.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“është një nder i veçantë të përshëndes ju në këtë aktivitet jashtëzakonisht të rëndësishëm për mbarë vendin, konferencën tuaj të 9, në të cilën ju do të bëni një bilanc të arritjeve tuaja, por edhe të perspektivave të këtij sektori jetik për të ardhmen e vendit.
Në rast se do të vështronim jo thellë dhe larg në të shkuarën tonë, por po të ktheheshim vetëm në vitin 2005, sipas të dhënave duket qartë se raportet e shoqërisë shqiptare me ujin janë treguesit më të trishtuar të një trashëgimie të papërshtatshme në këtë vend, që mund të thuhet se noton në ujëra, apo është një lloj Zvicre, apo Norvegjie në gadishullin e Ballkanit. Vetëm 70 për qind e vendit ishte e mbuluar nga sistemi i ujësjellësve dhe nga këto, në zonat rurale vetëm 45 për qind. Të dhënat për kanalizimet mbeteshin edhe më të dhimbshme. Vetëm 40 për qind e zonave të banuara të vendit mbuloheshin nga kanalizimet dhe këto në zonat rurale shtriheshin vetëm në 1 për qind të tyre.
U ndala në këtë pikë për të theksuar se cila është prapambetja e thellë që u trashëgua jo në dekada, por edhe shekuj në këtë fushë. Theksova këtë prapambetje për të vënë në dukje se sa urgjente, sa imperative, janë ndërhyrjet e fuqishme në problematikën e gjithanshme të ujërave, furnizimit me ujë të popullatës, trajtimin e ujërave të ndotura, ndërtimin e sistemeve të reja të kanalizimeve. Progresi është i prekshëm. Në katër vite, këto shërbime janë rritur me 20-25 për qind në shkallë vendi.
Katër vitet që vijnë janë vitet më ambicioze në historinë e këtij vendi për garantimin e qytetarëve shqiptarë furnizim 24 orë me ujë, janë vitet në të cilat ne jemi zotuar të përfundojmë mbi 14 impiante të kanalizimeve të ujërave të zeza, të cilat përfshijnë të gjitha brigjet e deteve dhe liqeneve të vendit. Janë vitet në të cilat ne jemi angazhuar të rindërtojmë dhe rrjetëzojmë sistemin e kanalizimeve në sipërfaqen më të gjerë të mundshme. Pra, janë vitet e një transformimi të madh të qëndrimit ndaj ujit. Uji është jeta, asgjë nuk ndikon më shumë në jetën e individit dhe shoqërisë, si faktor, sa ndikon uji dhe qëndrimet ndaj tij. Ndaj, u garantoj se këto katër vite, financimet e qeverisë do të shumëfishohen në të gjitha fushat, por një filozofi e re do të zbatohet në bashkëpunim me institucionet serioze ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe të tjera, filozofia e rajonalizimit të shoqërive të ujësjellësve. Qeveria, në katër vitet që vijnë, jo vetëm do të konsolidojë këtë filozofi, por është e vendosur që mes investimeve dhe subvencionimeve të mëdha, gradualisht të jetë e vendosur drejt vlerave të tregut në fushën e ujërave, me kushtin më themelor, që askush të mos ketë vështirësi në përballimin e faturës së saj, çka nënkupton një ndërhyrje të fortë buxhetore për shtresat dhe familjet në nevojë, si kusht kryesor për të kaluar në një stad të ri menaxhimi të ujit në Shqipëri.
Edhe njëherë, dua t’i roj suksese konferencës suaj. Dua t’ju siguroj se për mua dhe për qeverinë time, çështja e ujit është në krye të axhendës së këtyre katër viteve. Unë fola këtu për përdorimin e ujit të pijshëm, trajtimin e ujërave të zeza, por dua t’ju njoftoj këtu se një përqendrim të madh këto katër vite do të ketë edhe në përdorimin më racional të tij për vaditjen në mbarë vendin, si pasuria e parë dhe më e rëndësishme që disponon Shqipëri. Ne do të bëjmë çdo gjë që ta valorizojmë atë çdo muaj, çdo vit e më shumë. Faleminderit”.04/11/2009