E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Grupit të Punës për Vaditjen

 
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e Grupit të Punës për Vaditjen, ku u diskutuan hapat e mëtejshëm dhe mënyrat më efiçente në hartimin e projekteve për të vendosur sistemin më të mirë dhe më bashkëkohor të vaditjes në vend. Në këtë mbledhje merrte pjesë Ministri i  Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit  zoti Genc Ruli dhe grupi i ekspertëve dhe specialistëve të fushës.
 
Në këtë mbledhje u diskutua mbi aspekte të ndryshme për krijimin e një sistemi modern dhe bashkëkohor të vaditjes si nevojat për rehabilitimin e infrastrukturës së ujitjes, nevoja për projekte të reja me financime të donatorëve, përgatitja e projekteve të zbatimit, administrimi i ujitjes, objektet  kryesore dhe impakti i pritshëm i investimeve të parashikuara për vitin 2010-të për ujitjen dhe kullimin. Gjithashtu, u diskutua mbi zhvillimet e deritanishme në problematikën e vaditjes në vend si dhe në përcaktimin e një plani veprimi kombëtar lidhur me këtë fushë prioritare për qeverinë shqiptare, në kuadër të projekteve, sugjerimeve dhe ideve për një sistem sa më bashkëkohor, efikas dhe afatgjatë të vaditjes.
 
Duke e konsideruar problemin e vaditjes një problem shumë jetik për vendin, Kryeministri Berisha ndoqi mendimet dhe sugjerimet e ekspertëve të grupit të punës mbi rishikimin e të gjithë skemës së vaditjes dhe kullimit, avancimin e konceptit mbi shoqatat dhe organizatat e vaditjes, për nevojën e punës së menjëhershme për mirëmbajtjen e sistemeve ekzistuese etj.
 
Kryeministri Berisha theksoi se është i domosdoshëm një partneritet sa më i ngushtë me pushtetin vendor në këtë drejtim, një thellim i rolit të autoriteteve lokale duke filluar që nga hartimi dhe propozimi i projekteve që prekin direkt interesin e fermerëve dhe jetën e tyre të përditshme. 
 
Edhe në këtë mbledhje Kryeministri nënvizoi rëndësinë që të ketë sa më shumë projekte për vaditjen si një problem po aq prioritar dhe në fokus të qeverisë shqiptare sa edhe ujësjellësit
 
Kryeministri tha gjithashtu se duhet të studiohen të gjitha mundësitë dhe të jemi shumë agresivë në çështjen e vaditjes në vend dhe se plani i veprimit në këtë aspekt duhet të jetë sa më i shpejtë dhe se përpjekjet e qeverisë janë të domosdoshme në riforcimin e kodit moral të përdorimit të ujit, një kod i vjetër që ka ekzistuar mes njerëzve në Shqipëri dhe që ka qenë rregullator në mesin e shoqërisë për përdorimin e rezervave të ujit për vaditje dhe për furnizim me ujë të pijshëm në zonat rurale.
 
Gjithashtu në mbledhje u diskutua dhe për fondet për vaditjen dhe prioritetin që marrin zona që kanë nevoja imediate për vaditje dhe që kërkojnë një mobilizim maksimal të fondeve në këtë drejtim.
 
Në mbledhje u diskutua edhe për forcimin e degëve në universitetin bujqësor, të cilat kanë të bëjnë direkt me kërkimin shkencor në këtë fushë.04/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›