E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Miroslav Lajçak

Kryeministri Berisha prit sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Drejtorin Ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, zotin Miroslav Lajçak dhe delegacionin që e shoqëronte.

Në takim u diskutua për çështje të lidhura me hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke i rikonfirmuar drejtorit Lajçak se integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i Shqipërisë gjatë këtij shekulli, i cili mbështetet nga mbi 96 përqind e shqiptarëve, Kryeministri Berisha e garantoi atë se qeveria shqiptare po punon intensivisht dhe do të bëj të gjitha përpjekjet për të adresuar kërkesat e këtij procesi, në veçanti rekomandimet e Komisionit Europian, në mënyrë që të përshpejtojë hapat e mëtejshëm drejt realizimit të kësaj ëndrre të qytetarëve shqiptarë.

Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi përgatitjet për zgjedhjet lokale të 8 majit. Kryeministri Berisha e risiguroi zotin Lajçak se qeveria shqiptare është e vendosur dhe do të bëj të gjitha përpjekjet për të realizuar zgjedhjet që përmbushin standardet ndërkombëtare, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në këtë kontekst qeveria shqiptare dhe partitë e mazhorancës qeverisëse, u shpreh Kryeministri Berisha, mbeten tërësisht të angazhuara dhe po punojnë me seriozitetin maksimal për trajtimin e problematikës së ngritur nga rekomandimet në raportin e OSBE/ODIHR-it, që zgjedhjet e 8 majit të jenë më të mirat të realizuara në Shqipëri.


22/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›