E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për Festën e Sulltan Novruzit

22 mars 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan sot në Festën e Sulltan Novruzit, Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ku u mikpritën përzemërsisht nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Presidenti dhe Zonja e Parë shprehën urimet më të ngrohta e të sinqerta për këtë ditë feste për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë kudo ndodhen me besimin se ditë të tilla feste sjellin gëzim, dashuri, mirëkuptim e harmoni në familjet tona dhe ushqejnë besimin tek një e ardhme më e sigurtë dhe e begatë.

Presidenti i Republikës u shpreh për mediat e shumta të pranishme: “Së pari dëshiroj të përshëndes këtë ditë të bekuar, jo vetëm për besimtarët bektashinj, por besoj për të gjithë popullin! Kjo është një degë e një feje mjaft paqësore. Unë do të doja këtu para jush, të vlerësoj rolin e bektashizmit, me institucionet e veta, me të gjithë patriotët, të cilët i kanë dhënë dritë historisë së Shqipërisë!

Kam rastin sot të jap një falenderim të drejtëpërdrejtë për Baba Dede Reshat Bardhin, i cili ka kontributin e vet të vyer për fenë e bektashizmit, por edhe për demokracinë në Shqipëri. Sot, në këtë ditë të shënuar, ai, në kushtet e pamundësisë fizike e shëndetësore, demonstroi edhe njëherë forcën e vet fizike e shpirtërore për t’u riaftësuar fizikisht dhe për të dhënë mesazhet e tij.

Unë dëshiroj që kjo ditë të jetë vërtetë e bekuar për të gjithë shqiptarët! Sikurse vjen mesazhi nga feja për harmoni, për komunikim njerëzor, këtë parim dhe këtë tipar themelor të humanizmit, duhet ta kenë të gjithë, pa përjashtim! Duke qenë bashkë, duke qenë në unitet me njëri-tjetrin për çështje të mëdha, sepse diversiteti i jetës patjetër që të jep mundësinë të jesh ndryshe nga tjetri, por duke qenë bashkë për gjëra të mëdha, atëherë Shqipëria do të jetë më shpejt në Evropë. Urimet më të mira edhe për ju dhe për të gjithë besimtarët!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›