Kryeministri Berisha takohet në Kroaci me kryeministrin maqedonas Gruevski
- Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Berisha theksoi se zbatimi i plotë i saj dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në vendin fqinj
Gjatë qëndrimit të tij ne Zagreb, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me KM e Maqedonisë z. Nikola Gruevski. Të dy kryeministrat rikonfirmuan vendosmërinë e të dy qeverive për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike midis të dy vendeve dhe zgjerimin e thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat në dobi të të mirës së të dy vendeve e popujve.
Në këtë kontekst, Kryeministri Gruevski i bëri me dije Kryeministrit Berisha se pala maqedonase është duke punuar që së shpejti të fillohet me pjesën maqedonase të projektit të autostradës që do të lidhë të dy vendet, pjesë e Korridorit 8, si edhe se së shpejti do të nis hartimi i projektit për pjesën maqedonase të linjës hekurudhore që do të lidhë të dy vendet.
Kryeministri Berisha e përshëndeti këtë hap të qeverisë maqedonase duke e vlerësuar Korridorin 8 si një infrastrukturë të një rëndësie strategjike për të dy vendet dhe rajonin. Kryeministri Berisha e njohu kryeministrin maqedonas për planet e qeverisë shqiptare për të filluar së shpejti me rrugën Tiranë-Elbasan, si element thelbësor i Korridorit 8 në Shqipëri dhe përfundimin e rrugës së Arbrit, e cila e shkurton me rreth 100 kilometër distancën Shkup-Tiranë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përfunduar edhe pjesën e hekurudhës deri në kufirin me Maqedoninë, duke krijuar kështu mundësinë edhe të këtij transporti shumë të rëndësishëm ndërmjet të dy vendeve dhe më gjerë.
Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Berisha theksoi se zbatimi i plotë i saj dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në vendin fqinj. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin se paqja, stabiliteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë përbën interes madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj edhe çdo akt që bie në kundërshtim dhe i cenon ato është i papranueshëm.
Më tej gjatë bisedës u vlerësuan përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e emrit mes të dy vendeve fqinje e mike.
Të dy kryeministrat u angazhuan për rifreskimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të lidhura me rregullimin e regjimit të ujërave mes të dy vendeve.
Në lidhje me krizën financiare ndërkombëtare të dy Kryeministrat vlerësuan faktin që edhe pse kjo ka ndikuar edhe vendet e rajonit, viti 2010 pritet të jetë vit i kthesës për sa i përket kapërcimit të saj dhe rikthimit në nivele të rritjeje ekonomike të kënaqshme. Në takim u vlerësua fakti që, edhe pse kriza globale preku mbarë planetin, ekonomia shqiptare vijoi të shënojë rritje pozitive mbi 3.5 për qind në vitin 2009 dhe në muajt e parë të vitit 2010 po dëshmon rezultate të larta, si dyfishimi i eksporteve “Made in Albania” etj.
Në fund të takimit, të dy krerët e qeverisë ripohuan vendosmërinë për intensifikimin e kontakteve dhe për shkëmbimin, së shpejti, të vizitave në nivelet më të larta politike.
14/05/2010