Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën përkujtimore në kujtim të diplomatit Lublin Dilja

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën përkujtimore në kujtim të ambasadorit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lublin Dilja, i cili ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë pak ditë më parë.
Kryeministri Berisha pasi u përcolli edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të z. Dilja, vlerësoi se humbja e një njeriu si Lublin Dilja është një humbje e madhe për të gjithë ata që kanë patur lidhje miqësore apo lidhje pune me të.
Dilja ishte para së gjithash një qytetar shembullor, vlerësoi Kryeministri, i cili mishëronte dhuntitë e tij më të shkëlqyera të qytetarisë, pedagog i talentuar, intelektual i ri me një formim të plotë.
Kryeministri theksoi se atij iu besua posti më i rëndësishëm në diplomacinë shqiptare; të përfaqësonte vendin në Uashington, kryeqytetin e diplomacisë botërore. “Ai e nisi karrierën pa eksperiencë diplomatike, por me dhuntitë e tij me përkushtimin e tij, me ndershmërinë e tij ai përmbushi me nder dhe dinjitet këtë detyrë”, nënvizoi Kryeministri.
Në Konferencën Përkujtimore në kujtim të diplomatit Dilja ishte i pranishëm, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ish-ministrat e Punëve të Jashtme, përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar dhe të afërm e familjarë të z. Dilja.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Sot jemi bashkuar këtu për të nderuar mikun e dashur të të gjithëve, Lublin Dilja, i cili u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.
Vdekja e çdo njeriu të pakëson, por humbja e një njeriu si Ljublin Dilja është një humbje e madhe për të gjithë ata që kanë patur lidhje miqësore, pune me të .
Lublin Dilja ishte para së gjithash një qytetar shembullor mishëronte dhuntitë e tij më të shkëlqyera të qytetarisë, i cili u përfshi në një lëvizje që do të përbënte një ndryshim epokal për Shqipërinë, pedagog i talentuar, intelektual i ri me një formim të plotë. Atij ju besua posti më i rëndësishëm në diplomacinë shqiptare të përfaqësonte vendin në Uashington kryeqytetin e diplomacisë botërore. E nisi karrierën pa eksperiencë diplomatike por me dhuntitë e tij me përkushtimin e tij, me ndershmërinë e tij ai përmbushi me nder dhe dinjitet këtë detyrë. Kontribuoi shumë në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe la në këtë vend të madh miq të shquar për kombin dhe vendin. Lublini në parlament u shndërrua në një kohë të shkurtër në një nga deputetët më të respektuar, më të përkushtuar. Pasi u godit nga një sëmundje mizore e pabesë dhe takimin me të pas konstatimit të kësaj sëmundje ka qenë një nga takimet më të vështira të jetës sime sepse më duhej të vetëpërmbaja çdo ndjenjë time dhe t`i jepja kurajë, të bëja çdo përpjekje ta bindja se sëmundja është sëmundje dhe se jeta është jetë, cilësia e së cilës garantohet vetëm nga ata që luftojnë sëmundjen si një armik, ata të cilët i përkushtohen një lufte të vendosur kundër saj. U mundova t`i jap shumë shembuj të kësaj praktike.
Pra ai bëri një përshtatje heroike, tregoi një forcë të jashtëzakonshme të karakterit dhe shpirtit , e mposhti një sëmundje dhe mposhti mundjen, e cila në stadin që u konstatua realisht ishte e pamjekueshme.
Ky njeri qe fjalëpakë u shndërrua në një luan të vërtetë, iu nënshtrua mjekimeve eksperimentale nga më të ndryshmet, ruajti një jetë familjare krejtësisht normale, në një aktivitet diplomatik të shkëlqyer. Ai ishte nja nga diplomatët tanë më të zotë dhe më të shquar në trupin tonë diplomatik. Shtatë vite betejë legjendare duke na lënë ne të gjithë miqve të tij një mesazh shumë të madh duke na frymëzuar ne të tjerëve se si duhet të përballemi me të keqen.
Sëmundja është e keqe, sëmundja është një armik. Në të gjitha takimet që kam patur më vonë kam diskutuar me një mik që ndiqte jetën njëlloj si ne të tjerët. Ky është një rast për t`i shprehur një mirënjohje të thellë nga të gjithë ne, por ky është një rast për të falënderuar Norën, bashkëshorten e tij të mrekullueshme, e cila gjatë këtyre 7 viteve bëri çdo përpjekje që miku ynë i dashur të ketë ditën dhe veprimtarinë e tij, të ketë jetën në cilësinë më të mirë të mundshme.
Lublin Dilja në një moshe të re u nda nga jeta, por me veprimtarinë e tij me qëndrimin dhe përkushtimin dhe forcën e punës së tij ai bëri sikur kishte jetuar dy jetë të tëra. Ndaj dhe duke shprehur edhe njëherë nderimin më të thellë shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta nënës së nderuar, prindërve të Norës që e kanë patur si djalin tyre.
Askush nuk të bënte për vete më shumë se Ljublini. Dua t`ju shpreh ju të gjithëve miqve të Lublinit ngushëllimet më të sinqerta. Humbja e tij është një humbje e madhe për diplomacinë shqiptare, është një humbje e madhe për Elbasanin, është një humbje e madhe për Shqipërinë.
Dritë t`i bëhet shpirti i tij!
11/02/2009