Këshilli i Ministrave miraton paketën për privatizimin e aksioneve të qeverisë në Albtelekom
- Nga privatizimet 10 për qind e vlerës do të kalojë si fond për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.
Këshilli i Ministrave miratoi sot paketën për privatizimin e aksioneve të qeverisë në Albtelekom.
Kryeministri Berisha u shpreh se, pas privatizimit të ARMO-s dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH-së, ky proces do të vazhdojë me shitjen e aksioneve të qeverisë në të gjitha sipërmarrjet, ku qeveria është aksionere.
“Praktika tregon se është një mendësi tejet e tejkaluar aksionerizmi i qeverisë. Ndaj pas një procesi shumë të suksesshëm me AMC-në, duhet të presim një proces tjetër të suksesshëm me shitjen e aksioneve të qeverisë në Telekom. Privatizimi përbën një nga premtimet madhore të kësaj qeverie, si dhe mbajtja e tij të plotë. Faktikisht, u realizuar me sukses privatizimi i Albtelekom, ARMO-s, OSSH-së, është në negocim kontrata për INSIG-un, u shitën aksionet e qeverisë në AMC, do të shiten dhe aksionet e qeverisë në Telekom,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha se 10 për qind e vlerës së privatizimeve do të përdoren si fond shtesë për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.
“Në të gjitha ndërmarrjet, ku qeveria është aksionere, - u shpreh Kryeministri - aksionet do të shiten dhe siç është përcaktuar në ligjin e miratuar nga parlamenti, 10 për qind e vlerës nga të gjitha këto privatizime do të kalojë për kompensim të pronarëve dhe dëmshpërblim të të përndjekurve politikë. Kështu që, fondi si i dëmshpërblimit, ashtu edhe i kompensimit, do të kenë rritje të ndjeshme progresive, përveç rritjes direkt edhe nga burime të tjera. Fondet e privatizimit janë fonde shtesë për këtë qëllim.”
11/02/2009