E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në pelegrinazhin e përvitshëm të bektashinjve në malin e Tomorrit

- Qeveria do të mbështesë pelegrinazhin në varrin e Baba Abaz Aliut, duke ndërhyrë në infrastrukturë

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në pelegrinazhin e përvitshëm të bektashinjve që organizohet në nderim të Baba Abaz Aliut, në majën e Malit të Tomorrit. Në këtë teqe ndodhet varri i Baba Abaz Aliut, një klerik bektashi, në përkujtim të të cilit është ndërtuar ky vend kulti.Çdo vit, pelegrinë e besimtarë nga i gjithë vendi vizitojnë Tomorrin nga 20 deri në 25 gusht. Edhe këtë vit, dhjetëra mijëra vetë morën pjesë në këtë pelegrinazh.

Gjatë bashkëbisedimit me Kryegjyshin e bektashinjve, Baba Dede Reshat Bardhi, Kryeministri Berisha u shpreh se ndodhej në këtë pelegrinazh për t'u përulur me nderim të thellë para veprës së Baba Abaz Aliut, vepër frymëzuese jo vetëm për bektashinjtë por për të gjithë ata që luftojnë e përpiqen për vlerat e mëdha, për të gjithë ata të cilët besojnë tek Zoti dhe besojnë se sakrifica njerëzore shndërrohet në vlerë hyjnore, kur ajo bëhet në emër të së mirës, të drejtës, lirisë. Kryeministri u shpreh se ky është pelegrinazhi më madhështor kombëtar dhe se ndihej i nderuar që ishte pjesë e tij.

Kryeministri u angazhua se qeveria do të përpiqet ta asistojë këtë pelegrinazh madhështor në mënyrat më të efektshme. Për këtë do të nënshkruhet një marrëveshje me Kryegjyshatën, institucionet si ato vendore dhe ato qendore, në mënyrë që tempulli shpirtëror të mund të arrihet sa më lehtë nga të gjithë shqiptarët gjatë gjithë vitit.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se Baba Aliu erdhi këtu për t'u prehur për jetë, midis bektashinjve shqiptarë, të cilët për shërbimet e mëdha që i kanë bërë Zotit, që i kanë vendit, shoqërisë, kanë merituar kryesimin e bektashizmit botëror. Ai vlerësoi se Baba Abaz Aliu mbetet frymëzues i madh për të gjithë shqiptarët, për të gjithë besimtarët, jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. Përzgjedhja e Malit të Tomorrit për paqen e përjetshme, është një fat i bardhë për të gjithë shqiptarët. Tomorri është mali më madhështor i të gjithë këtyre trevave. Por Mali i Tomorrit ka një specifikë, rrënjët nuk i ka në tokë, por i ka në shpirtin e banorëve të këtyre trevave, i ka në shpirtin e shqiptarëve, në legjendën e shqiptarëve, në poemat e shqiptareve, në këngët e tyre, në besimin, në shpresën e tyre. Me vendosjen këtu të banesës së përjetshme të Baba Abaz Aliut, Mali i Tomorrit merr vlera më të mëdha hyjnore dhe njerëzore", tha Kryeministri.

Nga ana e tij, Kryegjyshi i bektashinjve, Baba Reshat Bardhi, vlerësoi këtë vizitë të Kryeministrit, duke u shprehur se është hera e parë që një kryeministër i Shqipërisë viziton varrin e Abaz Aliut dhe ky është një nder i madh. Ai tha se është i kënaqur që mijëra vet vijnë çdo vit për të vizituar këtë simbol shpirtëror të të gjithë bektashinjve.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe nderimin e tij për Baba Reshat Bardhin, i cili i riktheu kombit këtë pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore. Kryeministri tha se Baba Reshati Bardhi, me sakrifica shumë të mëdha ndërtoi dhe ngriti varrin e Baba Abaz Aliut dhe bëri çdo përpjekje për të nxitur këtë pelegrinazh të shenjtë. Sot këtu, në këtë vend, kanë ardhur mijëra qytetarë nga të gjitha anët e trevat shqiptare, por edhe nga mbarë bota. Ne do të investojmë, në mënyrë që t'jua lehtësojmë ardhjen pelegrinëve jo vetëm gjatë kësaj periudhe të shenjtë, por gjatë gjithë viti. Kryeministri u shpreh se qeveria do të plotësojë të gjitha detyrimet e saj për të përmirësuar segmentin rrugor dhe furnizimin me ujë të pijshëm.

"Unë mora një zotim dhe ju siguroj se qeveria, duke respektuar plotësisht ndarjen e fesë nga shteti, do të bëjë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar këtë pelegrinazh madhështor të jashtëzakonshëm me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Unë do t'ia përcjell sot qeverisë këtë mesazh. Autoritetet vendore, por edhe Ministria e Kulturës dhe të gjitha ministritë e tjera përgjegjëse do të marrin detyrimet e tyre që ky pelegrinazh të jetë sa më masiv dhe sa më i denjë për pelegrinët", tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›