Kryeministri Berisha: Kancelarja Merkel do vijë në Shqipëri
Kryeministri Berisha tha sot se Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vijë në Shqipëri. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, theksoi Kryeministri, do të intensifikohen në muajt në vazhdim. Ai bëri të ditur se në fillim të shtatorit do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri ministri gjerman i Mbrojtjes dhe në tetor Ministri i Shtetit per Bashkepunimin Ekonomik.
"Shqiptarët janë shumë krenarë që të presin në fillim të shtatorit ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe jemi mirënjohës për të gjithë ndihmën që Gjermania i ka dhënë ushtrisë shqiptare në reformat e saj. Shqiptarët janë gjithashtu shumë mirënjohës për vizitën që do të bëjë ministri i Shtetit për Bashkëpunimin Ekonomik në tetor.
Kam gjithashtu kënaqësinë t'ju informoj se në takimin e fundit që pata në Salzburg Kancelarja Angela Merkel më premtoi qartë dhe përfundimisht se në agjendën e saj do të jetë vizita në Shqipëri dhe ky është një lajm i gëzuar për mbarë qytetarët shqiptarë. Le të punojmë së bashku për ta shndërruar këtë vizitë në një ngjarje të madhe midis dy kombeve dhe vendeve tona," u shpreh Kryeministri.