E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton ambjentet e kompanisë "Fani" sh.p.k

- Investimet aktuale të kompanisë "Fani" kapin vlerën 1.65 milionë euro

Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot mjediset e kompanisë "Fani" sh.p.k, në qytetin e Pogradecit, e cila është një ndër katër kompanitë më të sukseshme të prodhimit të tubave plastikë në vend.

Kryeministri Berisha vlerësoi investimet e bëra nga kjo firmë, të cilat kapin shifrën 1.65 milionë euro. Kompania fillimisht e ka nisur aktivitetin me prodhimin e tubave plastikë, ndërkohë në dy vitet e fundit ka zgjeruar investimet në fushën industriale, si dhe ka realizuar ngritjen e një kompleksi sportiv bashkëkohor. Kryeministri tha gjithashtu, se investimi i realizuar nga kjo kompani tregon përkushtim dhe është kontribut i madh për Pogradecin, për Gjolin që është krenaria e këtij qyteti, por edhe për të gjithë shqiptarët.

Kryeministri u njoh nga afër me veprimtarinë e kësaj kompanie, si dhe u informua nga drejtuesi i saj, zoti Ilo, për profilet e punës në fabrikë. Firma "Fani" sh.p.k prodhon në vit 1800 tonë tuba dhe ka një perspektivë të mirë të zgjerimit të ketij aktiviteti. Zoti Ilo e informoi Kryeministrin se nga fillimi i muajit gusht, kjo kompani ka filluar marrjen e lëndës së parë plastike nga firma vendase ENSAD, në Shkodër. Ajo do të furnizohet nga kjo firmë me 100 ton lëndë të parë plastike në vit. Për ndërtimin dhe vënien në funksionim të kësaj fabrike, është investuar një shumë prej 1 milionë euro.

Ndërtimet industriale janë një tjetër investim i rëndësishëm i firmës "Fani" sh.p.k. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin maksimal për investimet në këtë fushë, duke nënvizuar se kjo kompani renditet ndër kompanitë më të sukseshme edhe në fushën e ndërtimeve industriale.

Kryeministri vizitoi gjithashtu stadiumin dhe mjediset e reja sportive për të cilat është investuar një shumë prej 650 mijë euro nga kjo kompani. Kryeministri përgërzoi drejtuesin e firmës për përkushtimin e plotë tij në ruajtjen e vlerave sportive të qytetit, si dhe për kontributin e dhënë për qytetarët e tij.

Drejtuesi i kësaj firme, zoti Gjergji Ilo e njohu Kryeministrin me projektet për zgjerimin e biznesit të tij në të ardhmen, duke nënvizuar se brenda 3 viteve të ardhshme do të përfundojë kompleksi sportive, ku do të ngrihen pishina të mbyllura, rreth 40 apartamente, salla stërvitjesh dhe lojrash sportive, sauna, diskotekë, sistemimi i një plazhi modern, etj.

Kryeministri Berisha siguroi drejtuesit e kompanisë se qeveria mbetet e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet e duhura për lehtësimin e investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›