E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri përuron fillimin e punimeve për rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve të qytetit të Pogradecit

- Ndihma gjermane për Shqipërinë gjatë 20 viteve të fundit kap vlerën 700 milion euro

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Pogradecit, ku përuroi fillimin e punimeve për rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve dhe vizitoi disa sipërmarrje të suksesshme të këtij qyteti.

Si pjesë e projektit tre fazësh për mbrojtjen e liqenit të Ohrit, nisi sot fillimi i punimeve për ndërtimin e impiantit për përpunimin e ujërave të zeza. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm Kryeministri Berisha, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, kryetari i bashkisë Artan Shkëmbi, ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Shqipëri Bernd Borchardt dhe përfaqësuesi i bankës gjermane KFW Christof Gross.

Kjo është faza e dytë e projektit për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime, projekt për të cilin qeveria gjermane, nëpërmjet bankës KFW, ka akorduar 21 milion euro. Qëllimi i kësaj faze është të arrihet mbrojtja e sistemit ekologjik përmirësimi i cilësisë së ujit të liqenit të Ohrit, duke ndërtuar një sistem kanalizimesh sipas të gjitha normave mjedisore.

Kryeministri i shprehu ambasadorit Borchardt mirënjohjen për ndihmën dhe kontributin e qeverisë gjermane për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për qytetin e Pogradecit. Ai shprehu falënderimet për ndihmën e madhe që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, duke i vendosur shqiptarët në krye të kombeve që kanë marrë më shumë ndihmë nga populli gjerman me 700 milion euro.

Ndërkohë ka përfunduar faza e parë e projektit për sistemin e ujit të pijshëm. Me përfundimin e kësaj faze në qershor të këtij viti është arritur furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë i rreth 50 mijë banorëve të Pogradecit dhe rrethinave të tij. Duke theksuar këtë fakt, Kryeministri tha se "sot, ju jeni një ndër qytetet që merrni ujë 24 orë dhe kjo përbën një arritje të madhe në sajë të ndihmës bujare të qeverisë gjermane."

Nga ana e tij, ambasadori Borchardt shprehu mbështetjen e Gjermanisë për aspiratat e Shqipërisë për integrimin në NATO dhe përafrimin me Bashkimin Europian. Ambasadori Borchardt tha se Gjermania është një mike dhe partnere e besuar e Shqipërisë. Z. Borchardt theksoi se thelbi për anëtarësim është zbatimi konsekuent i reformave dhe Gjermania do ta mbështesë këtë proces edhe më tej, si në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim, ashtu edhe në fushën politike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Së pari, në emrin tuaj dua t'i shpreh mirënjohjen më të thellë ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë, qeverisë së Republikën Federale Gjermane dhe kombit gjerman për ndihmën e madhe bujare që i kanë dhënë Pogradecit dhe Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, duke i vendosur shqiptarët në krye të të gjithë kombeve që kanë marrë më shumë ndihmë nga populli mik gjerman. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë ndihmë dhe solidaritet të jashtëzakonshëm që qeveria dhe vendi juaj kanë dëshmuar ndaj vendit dhe kombit tim, në këto vite të ndërtimit të lirisë dhe demokracisë.

Zoti ambasador, dua t'ju përshëndes gjithashtu edhe për fillimin e punës suaj. Sot, ne fillojmë së bashku me ju dhe ky është një fillim i mbarë. Ne inagurojmë punimet për sistemin e kanalizimeve të qytetit të Pogradecit, impiantin e trajtimit të ujërave të zeza me qëllimin më madhor, mbrojtjen e liqenit të Ohrit, një prej liqeneve më madhështorë të planetit, më të bukur e të pasur. Liqen, i cili është mishëruar në shpirtin dhe zemrat e qytetarëve të Pogradecit, i mishëruar në këngët, poemat, vallet, legjendat, pikturat dhe kulturën e tyre. Mbrojtja e këtij liqeni, monument madhështor i natyrës, është një kontribut i jashtëzakonshëm dhe unë dua të shpreh mirënjohjen time, sikurse dua t'i siguroj qytetarët e Pogradecit që qeveria është vendosur të bëjë çdo përpjekje që asnjë pikë ujë jo i pastër të rrjedhë në këtë liqen që nga cepi më i largët i Linit deri në Tushemisht. Ne do t'i rikthejmë liqenit pastërtinë dhe mjedisin që ia ka dhënë natyra, si dhe do ta mbrojmë nga të gjitha dëmet e pamerituara.

Zoti ambasador,

Në fjalën tuaj, ju i njohët shqiptarët me intensitetin e ardhshëm të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, në kuadrin e 20 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane. Shqiptarët janë shumë krenarë që të presin në fillim të shtatorit Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe jemi mirënjohës për të gjithë ndihmën që Gjermania i ka dhënë ushtrisë shqiptare në reformat e saj.
Shqiptarët janë gjithashtu shumë mirënjohës për vizitën që do të bëjë ministri i Jashtëm gjerman në tetor, por unë kam kënaqësi t'ju informoj se, në takimin e fundit që pata në Salzburg, Kancelaren Angela Merkel më premtoi qartë dhe përfundimisht se në agjendën e saj do të jetë vizita në Shqipëri dhe ky është një lajm i gëzuar për qytetarët e Pogradecit dhe mbarë qytetarët shqiptarë.
Le të punojmë së bashku për ta shndërruar këtë vizitë në një ngjarje të madhe midis dy kombeve dhe vendeve tona.

Dua të falënderoj gjithashtu kompaninë Strabag, nënkontraktuesin e saj, një kompani me emër në mbarë Europën, me besimin se kjo kompani do të realizojë punimet më cilësore dhe në kohë, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik ta gjejë liqenin ndër zonat më të pastra dhe më ekologjike të vendit dhe më gjerë.
Dua të shpreh falënderimet edhe për bankën gjermane KFW dhe ekspertët e saj. Sot, ju jeni një ndër qytetet që merrni ujë 24 orë dhe kjo përbën një arritje të madhe në sajë të ndihmës bujare të qeverisë gjermane. Sikundër kryetari i bashkisë më informoi se qëndrimi juaj si komunitet ndaj menaxhimit të ujit është dinjitoz dhe qytetar. Ju keni pranuar tarifat e reja dhe i keni pranuar ato në emër të një menaxhimi, i cili do t'ju sigurojë ujë në mënyrë të pandërprerë në 24 orë.
Edhe një herë dua t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju siguroj se së bashku do të inagurojmë fillimin e këtyre punimeve dhe do të nisim fazën e tretë, me të cilën investimi i bankës gjermane KFË dhe i qeverisë gjermane arrin në 21 milion euro nga 700 milion të dhëna gjatë këtyre viteve ndihmë bujare për Shqipërinë e popullin shqiptar."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›