Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, zotin Gjergj Dedaj
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me Kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, zotin Gjergj Dedaj.
Kryeministri vlerësoi rolin e Partisë Liberale të Kosovës dhe përpjekjet e saj gjatë këtyre viteve për zgjidhjen e çështjes së statusit.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që çështja e Kosovës të marrë zgjidhjen përfundimtare. Duke u shprehur se nuk ka rrugë tjetër përveç pavarësisë, Kryeministri Berisha theksoi se periudha 120 ditore e negociatave është vendimtare dhe se klasa politike kosovare duhet të dëshmojë pjekurinë dhe maturinë e saj.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se mbështet qëndrimin e Grupit të Unitetit se pavarësia e Kosovës dhe moscënimi territorial i saj janë të panegociueshme.
Nga ana e tij, zoti Dedaj falenderoi kryeministrin Berisha dhe shprehu besimin se qeveria do të luajë në të ardhmen, rolin e saj të deritanishëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Zoti Dedaj u shpreh i bindur se zgjidhja përfundimtare është pavarësia e Kosovës.