Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e qendrës One Stop Shop për materialet e ndërtimit, investim i kompanisë greke Sideral

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në ceremoninë e përurimit të qendrës One Stop Shop për materialet e ndërtimit, në rrugën Sukth - Durrës, investim i kompanisë greke SIDERAL, pjesa e grupit SIDENOR.
SIDERAL është një qendër "One Stop Shop" e cila ofron produkte cilësore ndërtimi me standarde të larta shërbimi për klientët, duke respektuar mjedisin. Ky investim synon të plotësojë e paraprije nevojat e tregut te sektorit te ndërtimit në Shqipëri për produkte me cilësi maksimale te prodhuara në vend.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim si një mbështetje të fuqishme për ndërtimtarinë në tërësi, në Shqipëri por edhe ne rajon.
Kryeministri theksoi se industria e ndërtimit dhe ndërtimi në tërësi janë dhe do të mbeten se paku dhe për dy dekada promotori kryesor i zhvillimit të Shqipërisë. Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi faktin se kjo kompani prestigjoze me një reputacion rajonal, evropian dhe botëror sjell për ndërtuesit shqiptarë materiale ndërtimi të cilësisë më të lartë dhe të llojeve nga më të ndryshmet.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha shprehu një mirënjohje të veçantë drejtuesit e kompanive Viohal Co dhe të grupit Sidenor për besimin e madh që kanë treguar tek Shqipëria, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që ata kanë vendosur me partnerët shqiptarë, duke konsoliduar më tej traditën e shkëlqyer të investimeve greke në Shqipëri. “Investimet greke janë ndër më kryesoret në Shqipëri, ato janë shndërruar në elementë dhe faktorë thelbësorë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.” u shpreh kryeministri
Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për mbrojtjen, garantimin dhe nxitjen e zgjerimit të biznesit të kësaj kompanie në Shqipëri, si dhe të të gjitha investimeve të tjera greke në vendin tonë. “Do të bëjmë gjithçka që investimet tuaja të jenë një histori e vërtetë suksesi për ju dhe vendin tim.” u shpreh kryeministri
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një nder i veçantë, një kënaqësi e madhe për mua të përshëndes shumë përzemërsisht grupin SIDERON në këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të veprimtarisë së tij në Shqipëri, për përurimin e ONE Stop Shop në Shqipëri, modern, me të gjitha pajisjet e standardeve më të mira për industrinë kryesore të këtij vendi që është dhe promotori kryesor i zhvillimit në Shqipëri, industrinë e ndërtimit.
Ngritja pas 20 vitesh bashkëpunimi të shkëlqyer me sipërmarrës shqiptarë e këtij One Stop Shop me material ndërtimi nga grupi Sideral përbën një mbështetje të fuqishme për ndërtimtarinë në tërësi në Shqipëri por edhe ne rajon. Grupi, si bijë e kompanisë së madhe Viohal Co dhe grupeve të tjera të kësaj kompanie të një reputacioni rajonal evropian dhe botëror u sjell ndërtuesve në Shqipëri materiale ndërtimi, të cilësisë më të lartë, të llojeve më të ndryshme. Industria e ndërtimit dhe ndërtimi në tërësi janë dhe do të mbeten se paku dhe për dy dekada promotori kryesor i zhvillimit të Shqipërisë.
Vetë fakti se Sideral ka ndërmarrë këtë investim dhe ka ndërtuar këtë One Stop Shop dëshmon se ata kanë bindjen dhe besojnë shumë në dinamikën e madhe të industrisë së ndërtimit në këtë vend. Shqipëria, aktualisht ka në ndërtim e sipër qindra e qindra kilometra rrugë, ura, tunele dhe ndërtime të tjera.
Në Shqipëri, në një vend të vogël, e vërteta është se ndërtohet sot dhe gjatë këtyre viteve ndofta më shumë se në çdo vend tjetër po të bëhen proporcionet e duhura. Por, Shqipëria krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore, kanalizimeve ujësjellësave ka hapur këto dy vitet e fundit një front tjetër të madh ndërtimesh dhe ky është ndërtimi i HEC-ve.
Zonja dhe zotërinj,
Vëllimi i ndërtimit të HEC-ve tani dhe në vazhdim, do të tejkalojë gradualisht vëllimet e të gjitha ndërtimeve të tjera. Së shpejti, vitin e ardhshëm, kompania Statkraft dhe EVN e Austrisë hapin tenderët për ndërtimin e tre HEC-ve në kaskadën e Devollit, investim ky pothuajse 1 bilion euro. Kaskada e Vjosës, në të cilën parashikohet ndërtimi i 8 HEC-ve të tjera është aktualisht në treg. Qeveria shqiptare ka firmosur në sektorin privat 110 kontrata për ndërtimin e mbi 300 HEC, nga të cilat 73 janë në ndërtim e sipër, kanë bërë ndërtime të avancuara, apo i kanë nisur ose i kanë përfunduar ato.
Shqipëria është e vendosur të bëjë çdo gjë në mënyrë që të lehtësoje, të nxisë e inkurajojë ndërtimin e HEC-ve , mbi 443 HEC-e dhe të ecë e vendosur në rrugën e zhvillimit jeshil të qëndrueshëm. Shqipëria ka ambicie të shndërrohet në një superfuqi të energjetike të energjisë së rinovueshme ne rajon. Pozita gjeografike e saj bëjnë që portet e Shqipërisë të jene ne portet më fizibël në gadishullin e Ballkanit dhe unë jam i bindur se së shpejti projekte të mëdha në Vlorë dhe gjetiu do të nisin, projekte, të cilat parashikojnë investime disa miliarda euro.
Dua të shpreh një mirënjohje të veçantë për ju zotërinj, ndërtues të kompanive Sideral, të kompanive Viohal Co dhe të grupit tuaj për besimin e madh që keni treguar tek Shqipëri, për marrëdhëniet e shkëlqyera që keni vendosur me partnerët tuaj shqiptarë për konsolidimin e mëtejshëm të traditës së shkëlqyer të investimeve greke në Shqipëri. Ato investime janë ndër më kryesoret në Shqipëri, janë shndërruar në elementë dhe faktorë thelbësorë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Dua tu garantoj se në vlerësimin tim, besimin më maksimal, besimin më të madh dëshmon ndaj teje ai që të dhuron ëndrrën e tij, gjënë më të bukur që ka dhe ju faktikisht keni vendosur këtu ëndrrën tuaj së bashku me qindra investitorë të tjerë të vendit tuaj mik dhe vendeve të tjera partnere nga rajoni dhe Evropa dhe se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për mbrojtjen garantimin, nxitjen e zgjerimit të biznesit tuaj në Shqipëri. Do të bëjë gjithçka që investimet tuaja të jenë një histori e vërtetë suksesi për ju dhe vendin tim.
Ju faleminderit dhe urimet me te mira”
16/12/2011