Prononcim për shtyp i Kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë, zotit Xhanfranko Fini
Në përfundim të takimit mes tyre, kryeministri Berisha dhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë Xhanfranko Fini, dhanë një prononcim për shtyp.
Kryeministri Berisha: “Sapo përfunduam një takim shumë të përzemërt dhe miqësor me mikun tim të shquar dhe mikun e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, zotin Xhanfranko Fini. Ishte një rast shumë i veçantë për mua që ti shprehja mirënjohjen time më të thellë presidentit Fini, qeverisë së Italisë, kombit italian për ndihmën dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm, bujarinë e madhe që kanë demonstruar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga rënia e murit të Berlinit, e deri më sot.
Besoj se vizitorët më të shpeshtë të Shqipërisë janë nga Italia mike dhe ata kanë patur rastin që të konstatojnë ndryshimet e mëdha të këtij vendi. Ajo çka duhet tu them unë atyre, është se në këtë ndryshim, vendi dhe kombi i tyre kanë qenë pjesëmarrës dhe kontributorë shumë të rëndësishëm.
Me Presidentin Fini ne diskutuam mbi marrëdhëniet tona të gjithanshme, të cilat janë të shkëlqyera. Zoti Fini më informoi se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë edhe Kryeministri Silvio Berluskoni. Për sa i përket marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona, ato janë të një niveli të lartë, më të mira se asnjëherë më parë.
Gjatë takimit tonë diskutuam me kënaqësi dhe konstatuam intensifikimin e madh të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Sot, prezenca e investitorëve të mëdhenj italianë dhe investitorëve italianë në tërësi është më e madhe se kurrë në Shqipëri. Interesi i tyre përfshin të gjitha fushat, duke nisur nga energjia, minierat, çimentoja, manifakturat,të cilat konkretizohen në investime qindra e qindra milionë euro në vit. E sigurova Presidentin Fini se investitorët italianë do të kenë një mbështetje të madhe nga qeveria shqiptare. Ne bashkëpunojmë ngushtë me ambasadën italiane për tu dhënë atyre ndihmën më të mirë të mundshme. Energjia është një nga fushat me interesin më të madh nga të dy vendet. Projekte të mëdha energjetike janë në zhvillim e sipër në Shqipëri. Një seri kompanish italiane kanë marrë licencat për energji eolike. ENEL ka një interes të madh për një termocentral në Porto Romano. Me Presidentin Fini dhe më parë me Presidentin Berluskoni kam diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri. Në tërësi, kapitulli i investimeve po ecën shumë mirë, përveç disa incidenteve me disa antiglobalë, për të cilat unë i thashë presidentit Fini se janë varianti i fundit i ekstremizmit marksist-leninist.
Me presidentin diskutuam gjerësisht për probleme të sigurisë, rendit dhe luftës së përbashkët kundër kriminalitetit. Shqipëria ka vullnetin e plotë që së bashku me Italinë mike të krijojë modelin më të shkëlqyer të luftës me zero tolerancë, kundër kriminalitetit. Shqipëria është e vendosur të nënshkruajë të gjitha marrëveshjet, të kompletojë të gjithë kuadrin ligjor për bashkëpunimin më të ngushtë dhe më të shkëlqyer në ketë luftë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të përmbushim detyrimet që kemi ndaj qytetarëve të saj për sigurinë e tyre. Bashkëpunimi në këtë drejtim është intensiv dhe i përditshëm.
Presidenti Fini më siguroi se parlamenti Italian do të ratifikojë së shpejti protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe se Italia do të jetë avokati më i shkëlqyer i përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Edhe njëherë dua ta falënderoj mikun tim të shquar dhe të Shqipërisë, presidentin Fini për këtë vizitë të shkurtër por intensive.”
Presidenti Fini: Kam pasur rastin ta njoh dhe ta çmoj Kryeministrin Berisha, si një nga protagonistët kryesor të betejës së popullit shqiptar për më shumë liri e demokraci, pas daljes së vendit nga një regjim I zymtë. Vlerësimi im ndaj tij, sot është edhe më i madh, kur, pasi arriti vlerat e lirisë dhe demokracisë, impenjimi i tij shkon sot drejt modernizimit të jetës shqiptare dhe më tej, drejt procesit të integrimit të vendit në familjen e madhe evropiane.
Italia është në vijën e parë të mbështetjes për një Shqipëri moderne dhe të integruar në familjen evropiane, sepse në radhë të parë, kjo është në interesin tonë. Ajo që vihet re është fakti se në vitet e fundit Shqipëria po ecën në rrugën e duhur.
Ashtu siç e tha edhe Kryeministri, ne takimin tonë vlerësuam një sërë argumentesh mbi të cilat bashkëpunimi me dy vendeve tona është në një nivel të shkëlqyer, në radhë të parë për sa i përket marrëdhënieve ekonomike – tregtare, marrëdhënie që mund vetëm të përmirësohen, sidomos në disa sektorë të veçantë, si dhe çështje që lidhen me energjinë, të cilat janë vërtetë çështje strategjike. Shqipëria ka burime të mëdha në këtë fushë dhe Italia, edhe për shkak të afërsisë gjeografike me Shqipërinë, ka një interes objektiv për të gjetur format e bashkëpunimit më të ngushtë në këtë sektor.
Gjithashtu, dua të nënvizoj një aspekt që për mua është shumë kuptimplotë. Nuk mund të ketë modernizim dhe evropianizim të një vendi, pa pasur siguri dhe garanci në këtë vend. Ligjshmëri dhe siguri do të thotë luftë kundër çdo forme të kriminalitetit, do të thotë bashkëpunim i plotë me vendet fqinjë. Ajo që Shqipëria ka bërë në këto sektorë në vitet e fundit, me bashkëpunimin e plotë dhe me mbështetjen e bindur të Italisë, përfaqëson një shembull shumë të mirë që duhet ndjekur në marrëdhëniet mes vendit tonë, Italisë dhe vendeve të tjera fqinjë.
Nëse investitorët italianë që investojnë sot në Shqipëri janë gjithnjë e më të shumë të numër, kjo ndodhe sepse Shqipëria është një vend ku ligjshmëria dhe siguria janë të garantuara. Në një moment kur tema e emigracionit në vendin tim është një temë gjithnjë e më të rëndësishme, ajo që kanë bërë autoritetet shqiptare për të garantuar një emigracion të ligjshëm dhe të rregullt, është një shembull që u bën nder autoriteteve shqiptare dhe që mbahet në konsideratë të lartë edhe nga autoritetet italiane.
Shpreha gjithashtu urimin dhe dëshirën që Kryeministri Berisha të mund të zhvillojë një vizitë sa më shpejtë në Itali, për ta pritur atë në Dhomën e Deputetëve me nderimet që meriton dhe për t’i përsëritur në atë takim, jo vetëm vlerësimin tim personal, por edhe konsideratat dhe vlerësimin e gjithë popullit Italian. Faleminderit