Presidenti i Dhomës se Deputeteve Italiane Fini: Shqipëria, model për tu marrë shembull nga vende të tjera të Mesdheut
Sot, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, zotin Gianfranko Fini. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Fini, qeverisë dhe kombit italian mirënjohjen e thellë, për ndihmën dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që i kanë dhënë Shqipërisë, që nga koha e rënies së murit të Berlinit e deri më sot. “Ndryshimet pozitive te Shqipërisë kanë qenë dhe rezultat i mbështetjes, ndihmës, bujarisë së jashtëzakonshme të ardhura nga Italia për vendin tim.” tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha dhe zoti Fini vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojë mes dy vendeve, si në rrafshin politik, ashtu dhe në atë të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, etj. Në veçanti, të dy personalitetet konstatuan me kënaqësi intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili konkretizohet me prezencën e shumë investitorëve të mëdhenj italianë në Shqipëri, si dhe rritjen e interesit të tyre për investime, në fusha me interes të përbashkët për të dy vendet, si në energji, miniera, industrinë e çimentos, etj. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha e siguroi zotin Fini se në tërësi, investitorët italianë në Shqipëri, do të kenë mbështetjen e madhe të qeverisë shqiptare.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha dhe zoti Fini diskutuan gjerësisht për probleme të sigurisë, rendit, dhe luftës së përbashkët kundër kriminalitetit. Kryeministri Berisha shprehu vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për te nënshkruar të gjitha marrëveshjet dhe për të kompletuar të gjithë kuadrin ligjor, duke garantuar në këtë mënyrë një bashkëpunimin sa më të ngushtë dhe të frytshëm në ketë luftë.
Nga ana e tij, Presidenti Fini vlerësoi Kryeministrin Berisha, si një nga protagonistët kryesorë të betejës së popullit shqiptar, për më shumë liri e demokraci, ndërsa në ditët e sotme, si njeri me një rol kryesor drejt modernizimit të jetës shqiptare dhe ecjes së vendit drejt procesit të integrimit, në familjen e madhe evropiane. “Ne vitet e fundit, Shqipëria ka njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe kjo është në sytë e mbarë botës, fale zotësisë se qeverisë shqiptare dhe veçanërisht falë rolit të lidershipit Berisha.” u shpreh zoti Fini.
Duke vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin në familjen evropiane, Zoti Fini u shpreh se vendet e BE-së duhet të vlerësojnë me objektivitet performancën dhe meritën e Shqipërisë duke u bazuar tek rezultate e mëdha dhe duke parë shifrat e zhvillimit. Më tej, zoti Fini vijoi se nuk do të ishte i drejtë asnjë lloj vlerësimi tjetër. Lidhur me këtë, u shpreh zoti Fini, pozicioni i Italisë është dhe do të jetë shumë i qartë.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve Fini u shpreh se parlamenti italian do të ratifikojë së shpejti protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Interesi i Italisë për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë njeh unanimitetin e forcave politike italiane. Kjo duket nga ratifikimi i shpejtë që parlamenti i bëri MSA-se dhe nga ratifikimi shumë i shpejtë që do të bëhet për anëtarësimin në NATO.” tha zoti Fini.
Duke konstatuar me kënaqësi rritjen e numrit të investitorëve italianë në Shqipëri, falë masave të vazhdueshme të qeverisë shqiptare në përmirësimin e klimës së biznesit, Zoti Fini u shpreh se kjo ka ndodhur pasi Shqipëria është një vend ku ligjshmëria dhe siguria janë të garantuara. Në këtë drejtim zoti Fini shprehu vlerësimet më të larta edhe për ndryshimet mjaft pozitive të administratën shqiptare, të cilat po i ndjejnë përditë investitorët italianë në Shqipëri.
Për sa i përket bashkëpunimit në sektorin energjetik, presidenti Fini u shpreh se Italia sheh me interes të gjitha llojet e energjisë që do të prodhohet në Shqipëri.
Në përfundim të takimit, zoti Fini shprehu dëshirën që Kryeministri Berisha zhvillojë një vizitë zyrtare sa më te shpejtë në Itali.